Rreziku nga formimi i një qeverie të re pro-serbe


As qeveria e re nuk pritet që të jetë një qeveri e qëndrueshme, ashtu si dy qeveritë e dala nga zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020 të cilat kanë prodhuar krizë institucionale të vazhdueshme duke bërë që Mali i Zi të jetë de facto pothuajse tërë kohën në një gjendje të jashtëzakonshme.

Shkruan: Ismet Kallaba

Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 11 qershor 2023, nuk kanë prodhuar një shumicë bindëse për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi. Megjithëse ka fituar numrin më të madh të votave, Lëvizjes Evropa Tani i duhet të formojë koalicion paszgjedhor me parti të tjera politike për formimin e shumicës qeverisëse. Duke qenë se kjo parti (Evropa Tani) e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare URA, mundësitë e manovrimit për formimin e qeverisë së re janë ngushtuar edhe më shumë.

Tashmë dihet se boshtin qeverisës do ta përbëjnë Lëvizja Evropa Tani dhe Demokratët. Këta të fundit, ndonëse kanë qenë në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Qytetare URA, kanë pranuar të jenë pjesë e shumicës qeverisëse pa këtë parti. Në rrethanat ekzistuese, ka mundësi që shumica qeverisëse të formohet bashkë me partitë pro-serbe të koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, ose me partitë e pakicave. Disa prej partive të pakicave kanë deklaruar hapur se janë kundër pjesëmarrjes në një qeveri, pjesë e së cilës do të ishin edhe partitë pro-serbe të ish-Frontit Demokratik.

Në rastin e parë, qeveria e re (pa Lëvizjen Qytetare URA) do të ishte një lloj kopjeje e qeverisjes së dalë pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit 2023, e njohur për politikën e saj radikale dhe të rrënimit të çdo gjëje të krijuar nga pushteti i mëhershëm me PDS-në në krye, sado artificiale apo për dukje të kenë qenë ato të arritura. Që prej 30 gushtit 2020, Mali i Zi ka vendnumëruar në proceset integruese, bile në disa çështje ka bërë kthim prapa. Duke ditur përvojën e qeverisjes së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, një qeveri e tillë do të përbënte rrezik për të ardhmen e Malit të Zi.

Në rast të formimit të shumicës qeverisëse vetëm me partitë e pakicave, kjo do të ishte një qeveri e brishtë. Edhe pse nuk përjashtohet si mundësi, duke i njohur para së gjithash qëndrimet ndryshe për çështjet e politikës së jashtme të Malit të Zi, është vështirë të besohet se partitë e pakicave do të pranonin të ishin në të njëjtën qeveri me partitë pro-serbe të ish-Frontit Demokratik.

Derisa Lëvizja Evropa Tani, megjithëse deklarativisht paraqitet si parti pro-evropiane, në vetvete është një parti mishmash, ku janë bashkuar individë me bindje të ndryshme politike e nacionale, të frustruar dhe të zhgënjyer nga partitë politike ekzistuese dhe qeverisjet e mëhershme. Duke mos qenë në pushtet, ata i ka bashkuar pakënaqësia ndaj forcave të tjera politike, por tani që pritet të vijnë në pushtet kanë filluar të shpërfaqen publikisht dallimet mes vetë anëtarëve të saj për çështje të ndryshme. Nëse kësaj i shtojmë edhe përçarjet e brendshme, deri tani të mohuara, midis vetë udhëheqësve të kësaj partie (Spajiq dhe Millatoviq), si dhe rreshtimet e deputetëve krah njërit apo tjetrit, atëherë kuptohet që vështirësitë për formimin e qeverisë së re do të jenë edhe më të mëdha. Kjo parti është ngritur dhe rritur mbi bazën e një politike ekonomike populiste me efekte afatshkurtra, pasojat e së cilës në planin afatmesëm dhe afatgjatë nuk dihen, por vetëm mund të përfytyrohen.

Sido që të jetë, as qeveria e re nuk pritet që të jetë një qeveri e qëndrueshme, ashtu si dy qeveritë e dala nga zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020 të cilat kanë prodhuar krizë institucionale të vazhdueshme duke bërë që Mali i Zi të jetë de facto pothuajse tërë kohën në një gjendje të jashtëzakonshme.