Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha për Portalin RTMZ se pozitat e kryetarëve dhe deputetëve komunalë nuk janë në konflikt interesi.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka iniciuar procedurë kundër kryeministrit Dritan Abazoviq dhe tetë zyrtarëve publikë, në mesin e të cilëve është edhe Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, nën dyshimin se kanë shkelur dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, të cilat i referohen kufizimeve në ushtrimin e funksioneve publike.
Sipas APK-së, ata nuk mund të mbajnë pozitën e deputetëve dhe njëkohësisht të kenë një funksion tjetër publik.
“Institucionet le të bëjnë punën e tyre në kompetencën e tyre, pozitat e kryetarëve dhe deputetëve të komunave nuk janë në konflikt interesi, pas miratimit të Kushtetutës së Malit të Zi në vitin 2007, për shumë vite disa kryetarë komunash kanë qenë edhe deputetë. Shumë shpejt, së bashku me disa kolegë të tjerë të kryetarëve të komunave, do të apelojmë në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, që të mbajë qëndrim dhe deri atëherë të marrë një masë të përkohshme. Pas përfundimit të këtyre procedurave mund të jap dorëheqjen, nuk kam në plan të mbaj postin e deputetit, por vendosa ta bëj këtë hap, për të përfshirë edhe publikun profesional, që të mos heshtim për zgjidhjet antikushtetuese. E kam njoftuar kuvendin se nuk duhet të më paguajnë kompensim për punën time dhe se funksionin do ta kryej në baza vullnetare”, tha Gjeloshaj.
Kujtojmë se të hënen ka skaduar afati deri në të cilin deputetët me poste të tjera publike duhej të dorëzonin dorëheqjet.
/MALESIA.ORG/