Hapet panairi i IV i Librit në Tuz


Në ambientet e QKI Malësia në Tuz, u bë hapja e panairit të IV të Librit.

Hapjen zyrtare e bëri kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Ai theksoi rëndësinë e faktit që tashmë përpos përparimeve të tjera njihemi edhe si qytet i Panairit të Librit. Duke shtuar më tej se investimet në kulturë janë ato që ruajnë më të ruajnë identitetin dhe ardhmërinë tonë.

Kurse në emër të organizatorit sekretaria e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, në fjalën e saj falënderoi tridhjetë shtëpitë botuese që ju përgjigjen pozitivisht ftesës, çka dëshmon edhe për seriozitetin e organizimit.

Organizatorët kishin njoftuar për pjesmarrjen e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, por ai kishte lajmëruar për pamundësinë e tij të marrin pjesë.

Kadare dërgoi letër përshëndetëse, ku shprehi gëzim lidhur me organizimin e përvitshëm të Panairit e sidomos për librin shqip.

Në natën e parë të Panairit u prezantuan dy revistat shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës,  gjegjësisht revista shkencore ,,Gjurmime albanologjike” dhe  ,,Gjuha shqipe”.

Në panel ishin prof.ass.dr. Faton Krasniqi, prof.asoc.dr. Abdurrahim Maxhuni si dhe prof.asoc.dr Naim Berisha.

Falë bashkëpunimit midis dy institucioneve, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhuroi një numër të konsiderueshëm të librave, të cilët do të vihen në shërbim të nxënësve të Gjimnazit të Tuzit.

Panairi është i hapur çdo ditë prej orës 10 deri në 14:00 si dhe nga ora 17:00 deri në 21:00.

MALESIA.ORG