Një zyrtar policor është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.
Në anën tjetër, tre nga terroristët serbë janë vrarë, ndërsa janë arrestuar gjashtë, dy prej të cilëve të plagosur që ishin me uniforma dhe të armatosur, ndërsa katër të tjerë u gjetën me radiolidhje, që sipas policisë dyshohet se ishin në kontakt me grupin sulmues.
Grupi i terroristëve përbëhej prej rreth 30 personave të armatosur.
Përleshja e armatosur ndodhi në fshatin Bansjka të komunës së Leposaviqit, ku grupi i armatosur u barrikadua brenda një manastiri të fshatit, i cili më vonë gjatë ditës u vu nën kontrollin e policisë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, tha se “Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll zonën ku ndodheshin terroristët, zbuloi një sasi të jashtëzakonshme armatimesh të rënda”.
“Armët janë të llojllojshme, pas hetimeve do ta keni listën e saktë. Ka disa armë që mund të lidhen me aksionin e mehershëm të Zveçanit, me disa armë jemi ndeshur për herë të parë. Mund të thuhet se kishte pajisje për qindra sulmues të tjerë. Përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetit teritorial”, tha ministri Svecla. Sipas tij, shumica e veturave që u gjenden në vendin e ngjarjes janë nga Beogradi, ndërsa, theksoi se “hyrjet e terroristëve nga Serbia në Kosovë nuk janë të pamundshme. Përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetit teritorial”, tha Sveçla.
Kurti: Formacion terrorist e kriminal, profesionist
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “formacion profesionist”, grupin e personave që kreu sulmin e armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici shqiptar Afrim Bunjaku.
“Nga ato çfarë kemi mësuar deri tani, janë ato që i kemi menduar edhe më herët. Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti në një deklaratë për media.