Forumi Shqiptar do të marrë vendimin për pjesëmarrjen në qeverinë e re deri të hënën, ka bërë të ditur kreu i listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj.
“Do ta shqyrtojmë draftin e propozuar të marrëveshjes, i cili do të analizohet në ditët në vijim dhe do t’i përcillet organeve të subjektit politik për vendim”, ka thënë Gjeloshaj në profilin e tij në Facebook.
Ai shtoi se matematikisht qeveria mund të formohet pa Forumin Shqiptar.
“Lëvizja “Evropa tani” dhe Mali i Zi Demokratik janë adresa që do të marrin përgjegjësinë për komunikimin me partnerët tanë ndërkombëtarë. Qeveria e Malit të Zi zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme, ne mund të jemi pjesë e qeverisë nëse dhe vetëm nëse ajo qeveri dënon agresionin rus dhe ngrihet në mbrojtje të të drejtave të Ukrainës, mbështet sanksionet e BE-së kundër Rusisë, e cila mbron të drejtat e pakicave dhe respekton sovranitetin e vendeve fqinje të njohur nga shteti i Malit të Zi”, tha Gjeloshaj.
Thuhet se Forumi Shqiptar do të marrë pozicionin kryesor në departamentin e administratës publike, ndërsa Aleanca Shqiptare do të marrë ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.