Deputeti i Forumit Shqiptar, nga radhet e LDSH-së, Nikollë Camaj, gjatë diskutimit në Parlamentin e Malit të Zi, tha se kushdo që ndan pikëpamjet e tyre për Evropën, NATO-n, fqinjët, Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë, do të jetë i pranueshëm për të bashkëpunuar me ta, dhe këto, me nënshkrim të Marrëveshjes, i ka pranur Koalicioni i bllokut serb.
“Besa është ose nuk është, nuk ka mes, dhe kjo për ne ështê e shënjtë. Këtë e vlerësojnë edhe miqtë tonë ndërkombëtarë, e besoj edhe shumë nga ju në këtë sallë. Kush e respekton këtë do ta ketë përkrahjen tonë. Kush nuk e respekton, nuk ka çfarë të kërkojë më nga ne”, ka deklaruar Camaj.
Ai tha gjithashtu se Qeveria e 44-të nuk do ta ketë të vështirë të jetë “më europianja, vetëm nëse do”.
“Nuk e kemi pasur të lehtë ta përkrahim Millo Gjukanoviqin në vitin 1997, por ajo mbështetje jo vetëm se është keqpërdorur kundër nesh, por edhe kundër vendit të vet, e në favor të individëve”, theksoi Camaj.
Camaj, duke iu përgjigjur deputetit të DPS-së, Nermin Abdiq, tha se DPS tenton të identifikohet me shtetin.
“Ne ua dhamë mundësinë ta ndërtoni shtetin si shtet qytetar, por ju iu përkushtuat aktiviteteve të tjera. Se jeni aty ku jeni, nuk ju ka faj askush, përpos politika juaj”, theksoi Camaj.
Camaj theksoi se ia mbajnë mend DPS-it, Fluturimin e Shqiponjes të cilin e kanë realizuar pesë muaj pas referendumit të Malit të Zi, e që shqiptarët e kanë mbështetur 100%.
“Dhe me këtë thua duhet ta mbajmë mënd politikën tuaj të mirë. Këtë ne nuk mund të ua harrojmë, por as ju nuk mund ta fshini, kjo është e vërteta”, deklaroi deputeti Camaj.
Ai theksoi se nuk i ndan njerëzit në çetnik dhe partizanë, por kur jemi aty, gjithmonë kam thënë: “Më mirë të jem me çetnik sesa me hajdutë”.
Ndër të tjera, Camaj theksoi se shqiptarët i kanë interesat e veta nacionale, dhe në këtë mënyrë ata duan që në Mal të Zi, të jetojnë sa më mirë, të jënë të kyçur, të integruar, duke ruajtur identitetin e vet dhe duke ruajtur historinë, që të krijojnë kushtet që njerëzit tonë të jetojnë këtu dhe të mos largohen nga këtu, pasiqë fal politikës së 30 viteve të fundit, dy të tretat e Malësisë i kemi në Shtet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi deputeti Camaj.
Malesia.org