Nimanbegu: Jam i sigurt se dikush jashtë Malit të Zi ka pasur gisht në formimin e qeverisë


Kreu i Forcës, Genci Nimanbegu, i cili dha dorëheqjen nga posti i deputetit, ka folur për ABC-në shqiptare për situatën aktuale politike në Mal të Zi, por edhe për aktin e tij që i parapriu vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, raporton Portali Analitika.

Kujtojmë se Nimanbegu nuk donte të merrte pjesë në qeverinë e re, por mazhoranca brenda Aleancës Shqiptare – ku përfshihej edhe Forca – mori një vendim tjetër.

“Të them të drejtën, që kur kam dorëzuar dorëheqjen, votuesit shqiptarë po më falënderojnë në masë, po më falënderojnë për një gjest që elitat politike rrallë i drejtohen”, theksoi Nimanbegu.

Ai shton se elitat politike shpeshherë devijojnë nga interesat e qytetarëve, ndaj ndodh që të zgjedhin rrugën më të shpejtë.

“Megjithatë, rrugët më të shpejta drejt kësaj Qeverie duken si rrezik… Ndër shtyllat e qeverisë së re askush nuk votoi për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në vitin 2017 si përfaqësues i shqiptarëve e votova. Jam i sigurt se dikush jashtë Malit të Zi ka pasur gisht në procesin e formimit të kësaj qeverie”, shtoi ai.

Por, siç shtoi ai, duhet të presim dhe të shohim se cilat do të jenë rezultatet e pjesëmarrjes në një qeveri të tillë.

Edhe pse, siç thekson ai, disa votues janë të zhgënjyer nga dorëheqja e tij, është një akt që thotë se diçka nuk është në rregull.

“Ky është vendimi im politik me të cilin dua t’u them votuesve tanë dhe publikut se është bërë një gabim”, ka përfunduar ai.