Organizimi i veprimtarisë me emërtimin “Samiti i Diasporës”, që u mbajt në Tiranë me 22-23 nëntor 2023, paraqet ngjarje të veçantë në nivel mbarëkombëtar. Ishte ky takimi i tretë i kësaj veprimtarie ku kanë marrë pjesë shqiptarët nga e tërë bota, duke dëshmuar se takimi i tillë ka vlerë shumëdimensionale kombëtare.
Me këtë rast dua të ceki çështjen e emërtimit “Samiti i diasporës”, e cila ka marrë përmasa të mëdha në hapësirën shqiptare. Termi diasporë nuk është i panjohur, sepse ajo nuk është e kohës së re. Ajo është me prejardhje greke qe do të thotë “shpërndarje”, ku popullsia duke lëvizur nga vendi është vendosur në një vend tjetër.
Ne këtë aspekt te shqiptarët njihet diaspora historike, e cila është e hershme, por me shumë njihet nga mesjeta (shek. XIV) e tutje. Pikërisht nga kjo kohë e më pas kemi vendosjen e arbëreshëve (shqiptarëve) në Itali e po ashtu edhe në Greqi, Bullgari, Rumani, Kroaci, Turqi, Egjipt etj.
Por, pas pavarësisë së Shqipërisë (1912) e më pas në sajë të luftërave dhe politikës asimiluese e pushtuese të fqinjëve tanë nga njëra anë dhe motiveve ekonomike nga ana tjetër shqiptarët kanë vazhduar të emigrojnë duke marrë epitetin e emigrantëve. Në këtë kategori bëjnë pjesë shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike në ish-Jugosllavi të cilët pas Luftës së Dytë Botërore kanë emigruar në vendet e ndryshme evropiane si dhe në SHBA e Australi.
Ndërsa, me rastin e dështimit të sistemit të diktaturës komuniste në Shqipëri nga viti 1991, emigrimi i popullsisë mori përmasa shqetësuese, dukuri e cila vazhdon edhe sot. Dhe e tëra kjo lëvizje migruese ka një emërtim të përbashkët, që është Mërgata shqiptare! Duke marrë parasysh se kemi një shpërndarje të shqiptarëve nëpër vende të ndryshme të botës, është detyrë emergjente e Qeverisë së Shqipërisë, të bëjë evidentimin, përkatësisht regjistrimin e shqiptarëve në botë, për të pasur një numër optimal sikurse e bëjnë vendet demokratike që janë të përkushtuara për çështjen kombëtare. Në këtë drejtim mund të angazhohen përfaqësitë diplomatike, si ambasadat apo konsullatat në vendet përkatëse, sepse me përjashtim të rastit, pothuaj i tërë personeli tyre është pasiv, që nuk është në favor të misionit të tyre diplomatik.
Gabimisht të ftuar
Nga organizatori i “Samitit të diasporës” përveç shqiptarëve në botë, janë ftuar edhe shqiptarët në trojet e tyre në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Nuk ka dilemë se ftesa për të marrë pjesë në një takim mbarëkombëtar është e qëlluar, por çështja qëndron të përmbajtja e emërtimit, sepse shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze nuk janë diasporë, sepse janë në tokën e tyre dhe nuk i përkasin kësaj kategorie.
Andaj, ftesën për të marrë pjesë në këtë Samit të Diasporës, edhe shqiptarët nga trojet e tyre (Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Kosovës e Mal të Zi) duhet vlerësuar si gabim teknik nga ana e organizatorëve, e jo se ata janë pjesë e diasporës, që duhet të jetë mësim për të ardhmen.
Pa vlerësim e vëmendjen e duhur
Të gjithë jemi dëshmitarë, ndonëse jemi në kohën e pluralizmit politik, diaspora shqiptare nuk e ka vëmendjen dhe vlerësimin e duhur nga qeveritë e shteteve përkatëse. Ne këtë aspekt kritika kryesore bie mbi shtetin amë – Shqipërinë, e cila duhet të angazhohet me të gjitha kapacitetet shtetërore për ta mbështetur diasporën. Por, jemi dëshmitarë se diaspora po përdoret nga politika, vetëm për qëllimet e veta nga ana e pushtetarëve e jo duke i trajtuar ata si pjesë e pandarë e shqiptarëve në atdhe.
Pikërisht këtu është dështimi i qeverive të Shqipërisë në pluralizëm, sepse atyre iu është mohuar e drejta legjitime për të marrë pjesë në votime sikurse qytetarët tjerë në Shqipëri. Një veprim i tillë absurd vazhdon gjithnjë se partitë politike e sidomos shumica parlamentare në Shqipëri, nuk e trajton këtë çështje me seriozitet, sepse ata i frikësohen diasporës, sepse me votat e tyre mund të prishin objektivat e tyre për pushtet. Ne këtë aspekt shembull pozitiv shërben Kosova, e cila ia ka mundësuar mërgatës shqiptare të marrë pjesë në votime, çështje e cila është definuar si normë ligjore.
Nga ana tjetër, diasporës i është mohuar përfaqësimi i saj në dikasteret shtetërore dhe në strukturat vendimmarrëse. Ne këtë aspekt mendoj se do të ishte shumë pozitive prania e përfaqësuesve të ndryshëm të diasporës në diplomacinë shqiptare, sepse ata kanë kuadro të përgatitura qe do të nderonin diplomacinë shqiptare, e jo si deri tash, që lënë për të dëshiruar. Andaj, pjesëmarrja e kuadrove shqiptare nga diaspora në diplomaci do të ishte risi dhe freski për të qenë model të përfaqësimit të shtetit shqiptar, duke vendosur aty kuadro profesionale e jo partiake, si kudo në botën demokratike.
Po ashtu, duhet cekur se si me parë edhe tash kapitali financiar i diasporës ka qenë vendimtar për të ardhurat e shumë të familjeve shqiptare, që janë ballafaquar me vështirësi ekonomike, por nuk ka pasur vëmendjen e duhur të qeverisë për të trajtuar këtë kategori me përparësi në investime në vendlindje.
Takim jo sa për fotografi
Takimin e Tiranës nuk duhet trajtuar si takim sa për fotografi, por me prezantimin e ideve dhe propozimeve konkrete për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar. Por, duhet thënë se në takimin e Tiranës kësaj here pjesëmarrësit e diasporës nga shumë shtete të botës, kësaj here ishin me të paktë në numër. Pse ka ndodhur diçka e tillë i mbetet organizatorëve të japin shpjegimin e duhur, por duhet thënë haptazi se nuk na duhen fjalë por veprime konkrete, sepse diaspora meriton vëmendjen e duhur në mënyrë të vazhdueshme. Qëndrimi ndaj diasporës nuk duhet të varet nga partitë politike të cilat janë në pushtet sepse ajo është e të gjithë shqiptarëve si nga pozita e opozita, ndërsa politizimi i saj nuk është në favor të saj dhe çështjes kombëtare.
Ndërgjegjja e kombit
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me takim mbarëkombëtar, do të ishte e udhës që “Samiti i Diasporës” të quhet “Takimi i mërgimtarëve shqiptarë”, duke përfshirë edhe pjesëtarët nga diaspora historike dhe mërgimtarët shqiptarë nga shek. XX e këndej.
Pasi nuk kemi të bëjmë për çështje personale, çështja e tillë duhet të jetë preokupuese për të gjithë e ne veçanti për institucionet shtetërore, të cilat janë të obliguar për të mbrojtur gjuhën nga vërshimi i fjalëve dhe shprehjeve të huaja.
Ndërsa, duke vlerësuar lart kontributin e saj në favor të çështjes kombëtare, ku si shembull tipik është lufta e fundit në Kosovë, diaspora shqiptare ishte dhe ka mbetur ndërgjegjja e kombit, të cilën duhet mbështetur maksimalisht nga të gjitha institucionet shtetërore, si kudo në vendet demokratike.