Tuzi si kryeqendra e Malësisë, nuk ka një qendër sportive, andaj kërkesa që ajo të ndërtohet në Tuz, është kërkesë e arsyeshme.
Ndërtimi i një qendre sportive dhe rekreative është një vepër që gëzon çdo qytetar të komunës së Tuzit, por pse po bëhet ky projekt i shumëpritur infrastrukturor në Sukruq, gjashtë kilometra larg qendrës së Tuzit, pyet Enis Gjokaj, këshilltar i UDSh-së në Kuvendin komunal të Tuzit.
Gjokaj tha se sipas planit të Kryeqytetit, ndërtimi i qendrës sportive ishte paraparë të kryhet në Tuz, në lokacionin në mes të stadiumit të KF Deçiqi dhe shkollës së mesme, çka siç thotë ai, aty dhe e ka vendin.
Gjokaj tha se qendra sportive duhet të ndërtohet në Tuz.
“Le t’u themi banorëve të Dinoshës se është pothuajse më afër qendra sportive Moraça se sa Sukruqi”, tha Gjokaj.
Sipas tij nuk është mirë që një projekt i tillë e i cili edhe do të kushtojnë jo më pak se tetë milionë euro, të ndërtohen në periferi dhe jo në brenda pjesës urbane të komunës. Ai, si shembull përmendi Qendrën e Kulturës në Sukruq, e cila më së paku i shërbeu qëllimit.
Gjokaj i ka ftuar kolegët e tij nga Forumi Shqiptar që të mendojnë edhe një herë dhe të shqyrtojnë mundësinë, nëse është e mundur, të korrigjojnë vendimin për vendndodhjen dhe ky objekt i shumëpritur sportiv dhe rekreativ të ndërtohet brenda qytezës së Tuzit.