Partitë politike si zyra të punësimit


Në kohën e pluralizmit te partitë politike në pushtet, si në nivel lokal edhe atë qendror, dukuria e punësimit ka marrë përmasa shqetësuese, sepse më vlerë ka libreza partiake se sa diploma e fakultetit. Një dukuri e tillë është e pranishme në të gjitha vendet e ish-kampit socialist ku as Mali i Zi nuk është përjashtim. Pikërisht nga ambiciet e tilla janë formuar partitë politike, sepse ofrojnë mundësi punësimi si dhe përfitime të ndryshme, jo vetëm materiale për individë të ndryshëm në elektoratin e tyre votues.

Shkruan: Nail Draga

Edhe këtu si në rajon, formimi i partive politike ka marrë përmasa të mëdha, sepse përmes tyre individët e klanet e ndryshme kanë përfitime jo vetëm materiale. Pikërisht nga ky aspekt në Mal të Zi janë formuar një numër i madh i partive politike, që është i veçantë, duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të popullsisë në vend. Në sajë të dhënave nga Ministria e Administratës publike në Mal të Zi në këtë moment janë të regjistruara 51 parti politike, ku nga to 17 më përfaqësuesit e tyre janë të pranishëm në parlamentin shtetëror, duke përfituar përfitime të ndryshme.
Nga ana tjetër, nëse krahasojmë të dhënat nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, del se Mali i Zi me 51 parti politike ka më së shumti parti për banorë, ku në çdo 12.000 banorë vjen një parti politike. Në Kroaci janë të regjistruara 157 parti, Serbi 120, B e H 96, Slloveni 87, Maqedoni të Veriut 63 dhe në Kosovë 50.

Grupe të interesit
Në sajë të rrethanave shoqërore e në veçanti ato ekonomike në kohën e pluralizmit partitë politike në Mal të Zi janë profilizuar si subjekte përkatësisht të grupeve të interesit të individëve dhe klaneve të ndryshme. Ne këtë aspekt ata iu ngjasojnë zyrave të punësimit për elektoratin votues, duke zgjidhur çështje të ndryshme materiale, apo avancimin në resoret e ndryshme në nivel lokal e atë qendror.

Opozita mësoi nga pozita
Një dukuri e tillë nuk është e panjohur, sepse partitë kanë mësuar nga njëra tjetra, madje në disa aspekte edhe i kanë tejkaluar. Pikërisht nga gushti i vitit 2020, kur në Mal të Zi u bë rotacioni i pushtetit, ish opozita u mobilizua në çdo aspekt duke dëshmuar se qeverisja qendrore ofron përfitime qe është shfrytëzuar për të plotësuar kërkesat e elektoratit të tyre votues. Me përjashtime, pothuaj të gjithë të punësuarit kalojnë në profilin partiak, duke filluar nga punëtorët sanitar e tutje. Një veprim i tillë duhet të jetë shqetësues për çdo shoqëri, sepse bëhet diferencimi i qytetarëve në baza partiake, sepse ata të cilët nuk janë pjesë apo mbështetës të partive politike, janë në pozitë të vështirë për tu punësuar.

Nënshkrimet e obligueshme
Varësisht prej vendeve në regjion për themelimin e partive politike duhen nga 100 deri në 10.000 nënshkrime të qytetarëve. Kështu për themelimin e partisë në Serbi duhen 10.000 nënshkrime të qytetarëve, ndërsa më së paku duhen në Kroaci, gjithsej 100. Në Mal të Zi e Slloveni duhen 200 nënshkrime, BeH 500, Maqedoni të Veriut 1.000.
Në këtë aspekt ka propozime qe në Mal të Zi numri i nënshkrimeve për themelimin e partive politike duhet të jetë më i lartë. I mbetet Këshillit për reformën zgjedhore në Mal të Zi të vendosë për këtë çështje, qe sipas gjasave do të filloj të punojë gjatë këtij viti.

Koalicionet me partitë e vogla
Duke vlerësuar situatën politike dhe mundësitë për të arritur objektivat e tyre formimi i koalicioneve parazgjedhore është bërë dukuri e njohur pothuaj në të gjitha ciklet zgjedhore, në nivel lokal e atë qendror. Në këtë aspekt koalicionet llogariten si shpëtim për partitë e vogla, të cilat të vetme nuk do të arrinin të kalonin pragun zgjedhor. Por, në sajë të pasigurisë për të arritur objektivat e tyre partitë më të mëdha i marrin në koalicion partitë e vogla, të cilat në shumë raste i kushtezojnë ata si në aspektin material dhe të mandateve(këshilltar e deputet).
Një veprim i tillë dëshmon në mënyrë transparente se nuk kemi të bëjmë me parimet apo programet partiake, por kryesisht interesin për përfitime jo vetëm materiale, ku përvoja e deritanishme e dëshmon një konstatim të tillë.
Po ashtu, duhet cekur se ne këtë formulim zgjedhor, ka kohë që marrin pjesë edhe grupet e qytetarëve të cilëve iu mundëson ligji zgjedhor. Ato dallohen nga partitë politike, me lehtësimin e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje përkatësisht në skenën politike. Në këtë aspekt shqiptarët kanë një përvojë si në Ulqin dhe në Tuz, ku grupet e qytetarëve ishin pjesë e zgjedhjeve lokale e ate qendrore.

Shqiptarët me shumë parti politike
Në sajë të ambicieve lideriste, animozitetit e sjelljeve autokratike në skenën politike në Mal të Zi, shqiptarët dallohen me numër të lartë të partive politike. Dhe një përbërje e tillë e cila në një moment ishin 12 parti politike apo grupime qytetarësh, ka ndikuar në dobësimin e kohezionit politik të shqiptarëve qe është dëshmuar si në zgjedhjet lokale e ata parlamentare. Një situate e tillë konfuze i ka konvenuar pushtetit, që ishte i angazhuar në këtë drejtim, sepse partitë politike të shqiptarëve, janë përfaqësuesit autentik të tyre. Ndonëse në dy zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi(2020, 2023) nuk u arrit që shqiptarët të dalin me një listë zgjedhore, por, janë paraqitur me dy lista zgjedhore. Një veprim i tillë u mbështet nga elektorati votues shqiptar duke qenë pjesë e parlamentit dhe pjesë e pushtetit qendror.
Çështje të veçantë paraqet përfaqësimi me kuadro në qeverisje lokale e qendrore, sepse në shumë raste nuk kanë qenë të qëlluar. Sepse në pozita të ndryshme nuk mjafton vetëm përfaqësimi por peshë të veçantë ka prezantimi. Në lidhje me këtë çështje pa nënçmuar kuadrot e mbështetësit partiak, përparësi duhet dhënë kuadrove të dëshmuara në profesionin e tyre.
Vetëm ne këtë formë do të dëshmohej respektimi i vlerave profesionale, autoriteti shoqëror dhe meritokracia si kudo në botën demokratike. Në këtë aspekt shqiptarët kanë mundësi të mësojnë nga të tjerët, e jo duke qenë peng i koncepteve autokratike e militantëve partiakë. Është koha të mendohet për unifikimin e partive politike, duke zvogëluar numrin e tyre, sepse bashkimi i tyre favorizon edhe kërkesat për avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.

Kuadrot imazhi i partive
Në skenën politike te çdo mjedisi partitë pjesëmarrëse krijojnë imazhin me programin e tyre i cili mbështetet nga elektorati votues. Ne këtë aspekt rol të veçantë luajnë kuadrot përfaqësuese, të cilët përveç se përfaqësojnë subjektin politik, kanë mundësi të dëshmojnë përgatitjen e tyre profesionale në sektorët përkatës. Por jo rrallë, dukuria e punësimit e kuadrove partiake nuk është e qëlluar, madje disa lënë për të dëshiruar, sepse nuk janë të denjë për pozicionet përkatëse. Në kohën e krizës morale të gjithë jemi dëshmitarë se dukuria e antivlerave ka marrë përmasa shqetësuese, sepse më vlerë ka libreza partiake se sa diploma e fakultetit. Kemi të bëjmë me një dukuri e cila bënë diferencimin e qytetarëve në ata partiakë e jopartiak, me pasoja sot dhe në të ardhmen.