Vendimi përfundimtar për rikonstrukcionin e Qeverisë, i cili është paraparë në marrëveshjen e koalicionit, i takon kryeministrit Millojko Spajiq, tha Ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj theksoi se kush nuk është i gatshëm të respektojë dhe të punojë në bazë të parimeve të marrëveshjes, nuk do të jetë pjesë e Qeverisë.
“Marrëveshja për formimin e Qeverisë është e qartë. Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes janë parimet dhe secili parim nga marrëveshja ka rëndësinë e vet. Besoj se kjo është vendimtare dhe se është e nevojshme që të gjithë t’i përmbahemi në vazhdimësi asaj që kemi nënshkruar. Sa i përket Forumit Shqiptar, sigurisht që do të jetë kështu”, tha Gjeloshaj.
Ai shton se rikonstrukcioni është i paraparë në marrëveshje dhe është i përcaktuar qartë, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë kryeministri.
Sipas marrëveshjes, rikonstruksioni i Qeverisë është paraparë të bëhet deri në fund të vitit. Sipas kësaj marrëveshje, pjesë e Qeverisë do të bëhen partitë e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, të cilat, përveç tjerash, do të marrin katër ministri.
Njëri ndër liderët e këtij koalicioni, Andrija Mandiq, në tetor të vitit të kaluar u zgjedh Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Përfshirja e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, i njohur si blloku pro-rus dhe anti-NATO në Mal të Zi, ishte kundërshtuar nga liderët perëndimorë, para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara.
Përveç Beogradit zyrtar, për hyrjen e këtij koalicioni në Qeveri u angazhua edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
/MALESIA.ORG/