Vetëm njëri nga tre përfaqësues të Malit të Zi voton pro Kosovës në Këshillin e Evropës

Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 mbetën abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi raportin e Dora Bakoyanis që fton Këshillin Evropës të pranojë Kosovën si anëtare të saj, duke shënuar një hap tejet të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Delegacioni i Malit të Zi përbëhej nga tre deputetë me të drejtë vote, e që vetëm një votoi pro pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, një abstenoi dhe një votoi kundër.

Kryetarja e Delegacionit të Malit të Zi, Maja Vukiçeviq votoi kundër. Ajo është deputete nga koalicioni serb, koalicion i cili është pjesë e shumicës parlamentare, e që shpejt, sipas marrëveshjes, pritët të jenë edhe pjesë e Qeverisë.

As deputeti nga partia e Kryeministrit Millojko Spajiq (Evropa Tani), Vasilije Çarapiq nuk votoi pro, por abstenoi. Ai përkrahi amendamentin që kërkonte përmbushjen e kushteve për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vetëm pas kësaj, të bëhet pranimi i Kosovës në Këshillin i Evropës. Ky amendament nuk u pranua.

Vetëm anëtari i delegacionit Boris Mugosha nga opozita (Social Demokratët) votoi pro Kosovës.

“Për neve serbët Kosova është pjesë e Serbisë. Mendimi im është që nuk e ndihmojnë dialogun duke e pranuar Kosovën në KiE Fakti është shumica e OKB-së nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe as pesë vende s’e njeh Kosovën.
Marrë këto fakte nuk mund të themi se nuk është territor i pakontestuar. Duhet të dihet si u fitua ky territor.” tha Vukiçeviq.

Në pritje të formimit të qeverisë aktuale të Millojko Spajiqit, partitë e shumicës, përfshirë koalicionin serb, nënshkruan një marrëveshje koalicioni, ku zotohen “të respektojnë kursin euroatlantik të vendit dhe të zhvillojnë bashkëpunim miqësor me të gjitha vendet, të cilat Mali i Zi i ka njohur”.

Mospërkrahja ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, bije ndesh me politikat e Bashkimit Evropian dhe është kundër parimeve të marrëveshjes të cilën e ka nënshkruar shumica parlamentare në Mal të Zi.

Deri me tani nuk kemi ndonjë reagim nga Forumi Shqiptar i cili është pjesë e shumicës parlamentare dhe pjesë e Qeverisë.

/MALESIA.ORG/