Duhen më shumë zëra nga Malësia për Malësinë

E vërteta për Malësinë ka depërtuar edhe në Kosovë. Për Hotin , Grudën, Trieshin e Kojën pak vite më parë flitej vetëm në orët e lëndës së historisë kur përmendej atdhetari i madh Dedë Gjo Luli dhe betejat e kryengritjet heroike të shqiptarëve atje për liri. Por, gjendja ndryshoi për të mirë kohëve të fundit. Lexuesit e shumtë çdo ditë përmes malësia.org përcjellin me kureshtje rrjedhën e ngjarjeve të përditshme në Malësinë e Madhe dhe mundohen në mënyrë të organizuar e përmes aktiviteteve të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e madhe “Martin Dreshaj” ta ngritin zërin në përkrahje të Malësisë dhe të kërkesave legjitime të shqiptarëve atje. Qytetarët në Pejë, Dukagjin, Kosovë, Preshëve , Bujanovc, Medvegjë, edhe pse me plot halle të jetës vazhdimisht ngritin zërin dhe tregojnë se fuqishëm janë me Malësinë. Ata jetojnë me sytë dhe zemrat drejt trojeve të Dedë Gjo Lulit dhe mundohen të bëjnë ndonjë veprim a lëvizje pozitive, por shpesh mundësitë janë të kufizuara. Për Malësinë, më shumë se Shoqata, e kanë obligim të flasin e të bëjnë institucionet. Zyrtarët më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës sa herë vizitojnë SHBA-në, krahas takimeve me zyrtarët e mikut më të madh të shqiptarëve, takohen edhe me Shoqata e grupe të organizuara të shqiptarëve dhe pranë tavolinave të mbushura plot u falënderohen për gjithë atë ndihmë të madhe në vite e dekada për zgjedhjen e drejtë të çështjes së Kosovës e pastaj duke marrë dhurata bukur të majme, u premtojnë malësorëve se do të kenë mbështetjen e madhe në mbrojtje të të drejtave elementare të shqiptarëve në Malësi e Kosovë Lindore, por me t’u kthyer në Kosovë a Shqipëri harrojnë premtimet dhe nuk e bëjnë as këmbën e miut për të realizuar premtimet e për t’u kthyer në zë të Malësisë.

Krahas liderëve e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë e Kosovës, nuk janë pa faj edhe disa liderë e zyrtarë shqiptarë në Mal që Zi. Ata nuk flasin as kur duhet e as sa duhet për problemet e shumta e të grumbulluara në Malësi. Madje edhe kur e vizitojnë Kosovën, më shumë harxhojnë kohë për të bindur njerëz që të shkojnë verave në det sesa që flasin me zyrtarët për realitetin e hidhur mes shqiptarëve të administruar nga Mali i Zi. Ka liderë që veprojnë edhe më keq duke ngritur në qiell partinë e tyre dhe duke ngritur dolli me kryetarë të ndonjë partie në Kosovë , që u duket më e afërt. Këta liderë e kanë fituar të drejtën e fjalës nga vota e malësorit dhe duhet ta dërgojnë zërin e votuesve deri në parlamentin e Malit të Zi dhe deri të institucionet më të larta. Ata duhet këtë zë ta përcjellin edhe në institucionet ndërkombëtare për të kërkuar nga ata që të vizitojnë Malësinë dhe të binden nga afër për gjendjen shumë të rëndë dhe për mohimin e të drejtave më elementare që po u bëhet nga një pushtet antishqiptar e që në Evropë paraqitet si dashamire e demokracisë dhe paqes. Zëri i këtyre liderëve i thënë me gjuhën e popullit do të jehonte kumbueshëm dhe do të kishte forcë shumë më të madhe ndikuese te institucionet vendore e ndërkombëtare se sa protestat e qytetarëve apo të ndonjë Shoqate në Kosovë, Malësi apo në SHBA. Derisa nuk ngritin zërin disa nga këta liderë të Malësisë, atëherë Evropa e bota do të mendojë se puna është mirë me shqiptarët dhe qeveri evropiane e botërore do të gëlltisin gënjeshtrat që i plason Mali i Zi për të drejtat e pakicave dhe për gjendjen e qetë e demokratike në Mal Të Zi. Liderët nuk duhet harruar se te Ferri i Dantres më të ndëshkuarit janë ata që e shohin të keqen , por që e heshtin apo nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar gjendjen.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE