Hapet rruga për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Unë jam i bindur se LD në MZ dhe ASH do të prishin koalicionin në Komunën Urbane të Tuzit me Partitë Socialiste Popullore me të cilën mbajnë pushtetin. Nuk mund të lumturohet Malësia me ata të cilët nesër do të protestojnë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Me ata të cilët djepin e tyre e duan në dhomat tona të fjetjes.

Ferhat Dinosha

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar më 3 tetor Rezolutën për domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimeve europiane dhe euroatlantike të këtij shteti. Natyrisht se integrimi në BE, por edhe ai në NATO, janë me interes jetik për një shtet dhe shqiptarët këto duhet t`i përshëndesin pa rezervë, por rezoluta e sipërpërmendur ka për ne edhe një dimension të veçantë. Në njërën nga pikat e saj ajo, në mënyrë elegante, hapë rrugë për Qeverinë e Malit të Zi që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Hartues të Rezolutës ishin deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve të kryeministrit Gjukanoviq dhe ata të Partisë Social Demokratike të kryeparlamentarit Krivokapiq, të cilat së bashku me Unionin Demokratik të Shqiptarëve, bëjnë Qeverinë e Malit të Zi. Në Rezolutë thuhet qartë se Mali i Zi i sheh integrimet europiane dhe euroatlantike si interes strategjik të tij dhe se do të jetë i gatshëm të përmbush të gjitha normat dhe sugjerimet e BE-së dhe të NATO-s lidhur me të gjitha çështjet, duke shtruar se sjellja e tillë do të jetë prezente edhe lidhur me çështjen e Kosovës. Kjo, de facto, do të thotë se Mali i Zi do të njohë Kosovën dhe se Qeveria nuk do të presë shumë për të marrë një vendim të tillë, pasi që Rezoluta është miratuar në seancën e parë të sesionit të vjeshtës të Parlamentit të Malit të Zi. Rezolutën, pos PDS-së, PSD-së e UDSH-së, e kanë përkrahur edhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare dhe Partia Boshnjake. Edhe deputeti kroat i cili është në listën e PDS-së votoi pro.
Kundër saj kanë votuar Lista Serbe, Partia Socialiste Popullore, Partia Popullore dhe Partia Liberale. Në mbledhje nuk ka marrë pjesë Lëvizja për Ndryshime, por, sipas liderit të saj, sikur të kishte marrë pjesë edhe ajo do të kishte votuar kundër.
Miratimi i Rezolutës, diskutimi dhe votimi rreth saj, imponojnë analizimin e disa aspekteve të proceseve politike në Mal të Zi, sidomos nga këndi i interesit të shqiptarëve.
Së pari, është e qartë se pa partitë qeveritare kjo rezolutë nuk ishte miratuar dhe as që kishte hyrë në rend të ditës. Me këto parti prej partive shqiptare bashkëpunon vetëm UDSH-ja edhe në nivele lokale edhe në ato shtetërore, duke krijuar një partneritet të mirëfilltë dhe duke i ndihmuar ato në krye të projekteve që kanë qenë vendimtare për përmirësimin e ambientit të përgjithshëm politik e shoqëror në Mal të Zi, pra edhe për avancimin e pozitës dhe të interesave të shqiptarëve. Vetëm UDSH ka qenë i gatshëm të nënshkruante pikërisht me këto parti Marrëveshjen për veprim të përbashkët në fushatën e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi. Vetëm përfaqësuesi i UDSH-së ka folur në konventën përfundimtare të kësaj fushate para më se 70 mijë përkrahësve të pavarësisë. Unioni ishte ai të cilit asokohe i është dukur se pavarësia e Malit të Zi do të jetë e rëndësishme për pavarësinë e Kosovës. Unioni e ka dikur se pavarësia e Malit të Zi është paradhomë e pavarësisë së Kosovës. Dhe ja që Mali i Zi i pavarur po tregon gatishmëri për të njohur Kosovën e pavarur.
Natyrisht, nuk e bën ai këtë për hatër të Kosovës as pse i është gëzuar shumë pavarësisë së saj. E bën këtë për hir të interesit të vet nacional dhe shtetëror.
E bën për arsye se në lojën e shahut, të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët, figurat kanë ardhur në atë pozicion. Ka qenë me rëndësi që ndonjë parti shqiptare “të tërheqë ndonjë potez” në këtë lojë dhe UDSH nuk e ka lënë pa e bërë këtë.
Por, “potezat” e duhur nuk mund t`i tërheqë kushdo. Ato janë shpesh të dhimbshme, por duhet të tërhiqen se të mirën e kanë pas. Nuk do ta ketë aspak të lehtë kryeministri Gjukanoviq që ta njohë Kosovën. Nuk e ka pasur lehtë as brenda partisë së vet, do ta ketë vështirë edhe brenda opinionit malazez dhe atij serb. Por, vetëm ai ka qenë i aftë t`i dalë zot kësaj pune, pa çarë kokën për fyerjet dhe anatemat e nacionalistëve serbë, duke thënë se këto janë llogari për politikat e gabuara nacionaliste të serbomëdhenjve në të kaluarën. Andaj, partneriteti i partive shqiptare me të dhe me pushtetin e tij nuk mund të jetë në dëm të shqiptarëve.
Së dyti, është e qartë se nuk mund të kihet partnerizëm me partitë serbe në Mal të Zi. Është dëm i madh dhe humbje kohe çdo bashkëpunim me to. Unë jam i bindur se këtë e kanë kuptuar më në fund edhe LD në MZ dhe ASH, të cilat kanë flirtuar mjaft gjatë me to. Jam i bindur se e kanë kuptuar përse të gjitha partitë serbe ishin zemërgjera dhe përkrahnin komunën e plotë të Tuzit në momentin e pikërishëm politik në Mal të Zi. Në momentin kur ai po përgatitej për referendumin e pavarësisë dhe kur, pa votat e Malësisë pushteti në kryeqytetin e Malit të Zi do të kalonte në duart e partive serbe, me të gjitha pasojat fatale për proceset demokratike, gjë që ende nuk është evituar… Unë jam i bindur se LD në MZ dhe ASH do të prishin koalicionin në Komunën Urbane të Tuzit me Partitë Socialiste Popullore me të cilën mbajnë pushtetin. Nuk mund të lumturohet Malësia me ata të cilët nesër do të protestojnë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Me ata të cilët djepin e tyre e duan në dhomat tona të fjetjes.
Së treti, është e qartë se bashkëpunimi dhe partneriteti nuk është i mundshëm as me disa parti opozitare malazeze të cilat janë paraqitur në skenë me pak më tepër petk demokratik. Thashë më sipër se kundër Rezolutës ka votuar edhe Partia Liberale dhe se kështu kishte bërë po të kishte marrë pjesë në mbledhje Lëvizja për Ndryshime e z. Medojeviq. Liberalët kanë ditur një kohë të gjatë të marrin një përqindje të majme të votave shqiptare, kurse Lëvizja për Ndryshime si parti e re parlamentare ka pas filluar të joshë për bashkëpunim edhe disa liderë shqiptarë. Ata, madje në zgjedhjet e fundit presidenciale i patën ftuar shqiptarët që të përkrahin liderin e tyre z. Medojeviq për president të Malit të Zi.
Por, ja që koha i bie gjërat në vendin vetë. Z. Medojeviq është ithtar i integrimeve, por jo edhe i atyre që Kosovën e shohin shtet të pavarur.
Është për të drejtat e shqiptarëve si pakicë nacionale në Mal të Zi, por jo edhe për të drejtat e shqiptarëve si popull në Kosovë!
UDSH të tillëve kaherë u ka thënë STOP.
Së katërti, është e qartë se edhe në të ardhmen, së paku në të ardhmen e afërt, partitë shqiptare në Mal të Zi duhet të vazhdojnë të kërkojnë partneritet me partitë aktuale qeveritare në Mal të Zi. Me ato parti të cilat nesër do ta njohin Kosovën; me ato të cilat nesër do të jenë të gatshme për fqinjësi të mirë me Kosovën dhe me Shqipërinë; me ato parti të cilat nesër Berishën dhe Thaçin do t`i kenë mikpritës në Tiranë a Prishtinë ose mysafirë në Podgoricë.
Së pesti e për fund, është e qartë se për t`u krijuar këto relacione e realitete është dashur edhe nga ana e partive shqiptare në Mal të Zi shumë punë e dije, durim e sakrificë, pragmatizëm e diplomaci, vendosmëri e sinqeritet. Koha po dëshmon se qysh në vitin 1997, kur z. Millo Gjukanoviq u ka thënë “Jo” politikave të Millosheviqit, këto elemente në punën e tij e kanë përcjellur më së shumti Uni
oinin Demokratik të Shqiptarëve, të cilit iu bënë më se dhjetë vjet në Qeverinë e Malit të Zi, në atë Qeveri e cila nesër do ta njohë Kosovën. /kohapress

KOMENTOJE