Meritat, privilegjet dhe anomalitë si pasoja të një veprimtarie nuk ndahen

Nuk dua të polemizoj me qëndrimet dhe pikëpamjet e z. Dinosha lidhur me veprimtarinë, qëndrimet dhe angazhimet e Lidhjes Demokratike, pasi që ai ka kohë që është i rreshtuar në një strukturë tjetër politike dhe, ndonëse e ka të njohur se angazhimet e LD në zgjidhjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi kanë qenë të drejta, zor se mund të pritet qëndrim tjetër i tij në rapor me subjektin e parë, përpos atë që lexojmë në faqet e të përjavshmes sonë. Pra, qëndrimet e z. Dinosha nuk çudisin, edhe pse abecedën politike e mësoi në Lidhjen Demokratike.

Nikollë Camaj

Kohëve të fundit në faqet e “Kohës javore” kemi kënaqësinë që të lexojmë analiza, opinione dhe vështrime të ndryshme madje edhe nga një veprimtar publik, i cili të gjitha këto ka mundësi ti thotë në raste të shumta, si takime, mbledhje, tryeza, debate, në parlament etj. Por ani! Është mirë edhe kështu, që gjërat të mbeten të shkruara për tzi lexuar një ditë edhe vetë autori. Personalisht nuk jam i prekur nga këto shkrime, aq më pak pasi që ato vijnë nga bashkëveprimtari politik në fillet e pluralizmit politik në Mal të Zi të viteve të 90-ta, z. Ferhat Dinosha. Nuk dua të polemizoj me qëndrimet dhe pikëpamjet e z. Dinosha lidhur me veprimtarinë, qëndrimet dhe angazhimet e Lidhjes Demokratike, pasi që ai ka kohë që është i rreshtuar në një strukturë tjetër politike dhe, ndonëse e ka të njohur se angazhimet e LD në zgjidhjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi kanë qenë të drejta, zor se mund të pritet qëndrim tjetër i tij në rapor me subjektin e parë, përpos atë që lexojmë në faqet e të përjavshmes sonë. Pra, qëndrimet e z. Dinosha nuk çudisin, edhe pse abecedën politike e mësoi në Lidhjen Demokratike. Ka edhe asi, i kisha quajtur me fjalorin e z. Dinosha, gojëkëqinjsh, që pohojnë ndryshe! Por unë nuk dua të replikoj duke sjellur tryezën në atë mënyrë që të flas për mangësitë e UDSH-së, as për “aktivistetët e denjë” të këtij subjekti, të cilët në vitet e 90-ta ishin kundër themelimit të subjektit politik shqiptar, e që sot rrahin gjoksin dhe në emër të UDSH-së mbajnë poste e kanë privilegje të shumta nga Qeveria e Malit të Zi. Por po, dua të komentoj disa qëndrime që lidhen me anomalitë në politikën tonë, për të cilat flet z. Dinosha, e të cilat janë më se të sakta por, si zakonisht, ai fajësinë për to do tzia hedhë dikujt tjetër. Thonë se faji është jetim, andaj nuk çudit as tentativa e z. Dinosha që përgjegjësinë për anomalitë ta ndajë nga meritat që i do vetëm për vete. Por ato nuk mund të ndahen.
Fillimisht do të thoja se politikani i profilit të Dinoshës nuk do të duhej të ketë nevojë që të jetë kaq i “zhurmshëm” në arsyetimin e hapave të vet. Veprat le ta tregojnë atë. E në vepra të tij e të subjektit të tij janë rreshtuar bukur mirë aktivitete, por ato duhet pranuar me gjithë anomalitë që i përcjellin. I numëroj vetëm disa: komuna urbane e Tuzit, studimet e mësuesisë, Ligji mbi pakicat, Këshillat nacionale, që janë produkte të kompromiseve politke të UDSH-së. Për këto askush nuk u kërkon pjesë në meritat që u takojnë, por natyrisht as në anomalitë që dalin si pasojë e tyre. Ia fillojmë nga e para.
Komuna urbane e Tuzit iu “shit” opinionit duke e krahasuar atë me komunën e Sarajit në Shkup. Kungull për shalqi, na u shit! Ajo ka emblemë, ne nuk kemi; ajo ka kufi, ne nuk i kemi; ajo ka ditën e vet, ne nuk e kemi, ajo ka buxhet e ne nuk kemi…. E Saraji nuk ishte kurrë qytet, por pjesë e tij, e Tuzi ishte çdoherë qytezë në vete, e kurrë pjesë e Podgoricës. Ditë më parë mora pjesë në një tryezë të rrumbullakët në Shkup, organizuar nga PER, Princeton, në lidhje me menaxhimin e komunave multietnike, ku ishte prezent edhe Ministri i pakicave, nga radhët e UDSH-së, bashkë me ndihmësin e tij, të cilët, pa kurrëfarë informatash relevante sulmuan ashpër, drua më ashpër se do ta bënte cilido malazias, qëndrimet e mia lidhur me bazueshmërinë që Tuzi të ketë komunë të plotë. Nuk dua të publikoj këtu detajet e kësaj tryeze sepse nuk është objekt i kësaj teme, por nuk mund të heshti faktin se Minsitri i (dez)informon të pranishmit se Komunës urbane të Tuzit i takojnë 8% të buxhetit të Podgoricës dhe se Tuzi (Malësia) do të fitojë komunën kur të dëshmohet se mund ta këtë buxhet edhe si komunë e ndarë.
Z. Nimani theksoi se Ulqini, kur ai ishte kryetar komune, kishte më pak se 3 milionë euro buxhet dhe se realizohej diku vetëm rreth 60%, por nuk i përmendi arsyet e mosrealizimit. Ai nuk e sheh, apo më mirë të them nuk do ta shohë anomalinë kryesore se problem kyç në Mal të Zi paraqet mu çështja e decentralizimit, për të cilën do të duhej pritur përkrahja e Ministrit nga radhat e popujve pakicë. Por edhe nga z. Dinosha. Aty do të duhej të ishte rezuzltanta e bashkëveprimit që çon drejt decentralizimit e jo, për interesa të disa stolave, të përkrahen tentativat centralizuese të pushetit qendror që Ulqinin e lë pa plazhe, pa hotele, pa ullishta, pa truall ndërtimor, pra pa buxhet e Tuzin pa komunë të plotë.
E për cilat privilegje të heshten këto!? Të tilla privilegje nuk besoj të ketë!
Po studimet e mësuesisë, çfarë prodhuan? A nuk do të ishte më mirë të kishim një qendër studimesh në Ulqin apo Tuz, apo në fund të fundit, të siguronim bursa për aq mësues të rinj sa na duhen e tzi shkollonim në Tiranë, Shkodër, Prishtinë apo Tetovë. Hiperproduksioni i mësuesëve, që më tepër promovon Qeverinë malazeze si demokratike sesa ndihmon nevojën tonë, po ashtu është një anomali që i takon atij që bëri këtë kompromis, jashtë asaj që ishte konsensusi ndërshqiptar.
Poashtu Këshilli nacional së bashku me përbërjen e tij, paraqet anomali të llojit të vet, por gjithnjë, me mundësitë që i ka dhënë ligji, dikur, sipas UDSH-së, aq i mirë, e sot i anatemuar. Dihet pse; UDSH nuk arriti ta marrë nën kontroll. Lexuesve besoj se u kujtohet qëndrimi ynë lidhur me këtë ligj, i prodhuar enkas për të inkurajuar popujt pakicë në prag të referendumit. Sikur edhe shumë projekte tjera që paraqiteshin si arritje shpëtimtare, e që në fund dilnin të mangëta. Këtë tashmë e ka të qartë edhe Dinosha, por ai nuk do ta shohë se situta nuk ndërron me shërim parcial. Shërimi mund të arrihet vetëm nëse ne kemi një front të përbashkët shqiptar, e jo të bashkuar me pushtetin, të mundim partitë e tjera shqiptare. Kjo nuk jep zgjidhje, por jep vetëm privilegje për individë, e që në raport me çështjen tonë të përbashkët edhe tutje krijon anomali. Angazhimet e tilla lënë vend që edhe ata pak bar që, falë akcesit të UDSH-së te fondet shtetërore, ka “shpërthyer anës mullarit”, të thahet, se përderisa mjetet nuk sigurohen në formë institucinale por me lidhje personale, ato mund të shuhen në çdo moment. Nuk besoj se duke i anatemuar të gjithë të tjerët dhe duke mbajtur UDSH-në si meritore të vetme për të mirat, mund të largohet terri i shkaktuar nga “sana e dendur rreth mullarit”, thënë me fjalorin poetik të z. Dinshës.
Sa i pëkret Verës Kulturore në Ulqin dhe mospjesëmarrjes së një pjese të politkës shqiptare, do të shtoja se në disa ishim, por vendi që na u dha, tregoi se as ne nuk e kishim vendin aty, e jo më të vinin edhe të tjerët. Si duket ata e kishin të njohur këtë, pra se si shtëpiaku sillet ndaj nesh të vegjëlve, kur është i zënë me të mëdhenjtë, prandaj nuk erdhën.
Dhe krejt në fund, a është anomali të kesh një Ministri të pakicave dhe nga zyrat e saj të mos dalë asnjë pakënaqësi apo reagim lidhur me mënyrën e realizimit të aksionit famëkeq policor “Fluturimi i shqiponjës”. Janë tortu
ruar pjesëtarët e pakicës, pleq e fëmijë, nga e cila vinin dy ministra që u ndërruan ndërkohë, e që janë nga radhët e UDSH-së dhe asnjë fjalë keqardhje, së paku familjarëve, nuk u drejtuan. Të lihen anash procesi dhe (pa)fajësia, por nuk ishte logjike që tortura ndaj të pafajshmëve, të heshtej. Paramendoni reagimet, sikur në atë post të ishte një kroat dhe të torturuarit të ishin nga pakica kroate!
Për këto e të tjera anomali a thua mund të jetë tjetërkush më meritor se ata që janë në pushtet! Derisa ata të gëzojnë privilegjet që si pasojë kanë këto lloj anomalish, neve na mbetet, së paku, që të vazhdojmë të mos i pëlqejmë ato. /kohapress

KOMENTOJE