Deklaratë e LDnëMZ – Hilet e pushtetit malazias

Hilet e pushtetit malazias

Shqiptimi i denimeve, në Gjyqin themelor në Podgoricë, pjestarëve të njësitit special antiterorist, deshmon pohimet tona permanente se në akcionin policor “Fluturimi i shqiponjës” janë tejkaluar kompetencat, janë keqëtrajtuar dhe torturuar qytetarët e pafajshëm të Malësisë, pleq, gra dhe fëmijë. Ky proces gjyqësor dhe denimet e shqiptuara pesë pjestarëve të policisë speciale, të cilët në mënyrën e vet kishin marrur pjesë në realizimin e akcionit famëkeq policor, kanë vertetuar edhe një pohim tjetër; se fjala është për proces të montuar politik, të bazuar mbi thenien “qellimi nuk zgjedhë mjetin”. Pra, edhe shqiptarët e prangosur edhe policët e denuar janë viktima të politikës, por “mëkati” nuk u është matur me të njëjtën peshojë. Justiciani i pushtetit malazez si duket, kur ka shqiptuar vendimin kunder pjestarëve të policisë, e ka hapur njërin sy, por megjithatë nuk e ka parë as peshuar krejt brutalitetin e këtij aksionit. Kështu, edhe me akcionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, pushteti malazias e ka dëshmuar se është i perfekcionuar që me një goditje të vrasë dy miza; Me arrestimin e shqiptarëve kanë tentuar që opinionit të brendeshem dhe atij ndërkombëtar t’i deshmojnë orjentimin dhe fuqinë e vetë antiteroriste, kurse me denim të policëve, faktin se forca e shtetit i arrinë ata të cilët e keqperdorin pozitën. Gjoja askush nuk është mbi ligjin. Mirëpo edhe shkatërrimi i “grupit terorist” edhe denimi i atyre që kanë shkelur ligjin dalin vetëm si një tentativë e zbehtë e pushtetit malazias për t’i qitur pluhur syshë opinionit të gjërë, me qëllim përfitimi në sytë e bashkësisë nderkombëtare. Jemi të mendimit se askush nuk është aq naiv sa të besojë në këto tentativa. Besojmë se është kohë e fundit që pushteti i këtushëm ta kuptojë se në Evropë nuk mund të shkohet duke imponuar rregullat e veta por duke pranuar rregullat evropiane. Kjo është e mundur vetëm me pranimin dhe ndreqjen e gabimeve dhe lëshimeve nga e kaluara. Njëra nder to me siguri do të ishte edhe lirimi i viktimave të këtij procesi të montuar politik,si dhe kerkim falje Malësisë, për torturën dhe fyerjet, me rastin e realizimit të akcionit policor “Fluturimi i shqiponjës”, gjë që mbetet kerkesë permanente e LD në MZ.

Edhe pse, tre muaj burg, për një brutalitet të tillë, paraqesin denim qesharak, kjo megjithatë e ka dëshmuar atë që në mënyrë konstante është mohuar nga zyrtarët më të lartë të shtetit dhe të policisë; torturën dhe kapërcimin e kompetencave.
Mirëpo parashtrohet pyetja çfarë është fati i rasteve të tjera të ngjashme të pjestarëve të policisë; ndaj familjeve tjera të të arrestuarëve, e të mos flasim për keqëtrajtime dhe torturë në bodrumet dhe hapësirat e paraburgut, madje dhe të gjyqit. Poashtu, mbetet dilema mbi zvarritjen e këtij procesi. Sikur të ishte shqiptuar ky dënim para se janë denuar shqiptarët e arrestuar në akcionin “Fluturimi i shqiponjës”, çfarë kuptimi do të kishin pasur dënimet e shqiptuara në Gjyqin e lartë me 5 gusht. Pra, të vetëdishëm për këto fakte, pushteti me qellim e ka zhagitur këtë proces kunder pjestarëve të policisë, e jo për arsyena që i paraqesin ata.

Sidoqoftë, mbetet edhe mëtej fakti i dhimbshëm. Njerëzit janë dënuar; të parët për konspiracion kurse të tjerët për torturë, tashmë të dëshmuarr; të parët ndodhen në burg kurse të tjerët kënaqen me familjet e veta.
A thua thenia “ujku i ngimë e dhentë në numër” ka vend në këtë rast!?

Për Lidhjen demokratike,
Nikollë Camaj

KOMENTOJE