Deklarata tendencioze dhe qëllimkëqija

Nikollë Gegaj kritiokon deklaratat e disa liderëve të partive opozitare lidhur me shqiptarët në Mal të Zi

Podgoricë – Anëtari i Këshillit Qendror të PDS-së së Malit të Zi, Nikollë Gegaj, i ka cilësuar deklaratat e disa liderëve të veçantë të partive opozitare ndaj popujve pakicë, sidomos ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, si qëllimkëqija dhe tendencioze.
“Ata duhet ta dinë se shqiptarët në Mal të Zi së bashku me malazezët dhe popujt e tjerë e respektojnë dhe janë lojalë ndaj Malit të Zi, kurse qytetarët e Malit të Zi i kosiderojnë si fqinj, kumbarë dhe miq të tyre, si më të afërmit e tyre”, thuhet në deklaratën për shtyp të Gegajt.
Ai ka thënë se mu për këtë shkak Mali i Zi është i vetmi shtet i ish Jugosllavisë i cili ka arritur që përkundër luftrave të zhvilluara në fqinjësi të tij të ruajë harmoninë multietnike dhe multikonfesionale, duke vlerësuar në këtë drejtim sidomos rolin e PDS-së.
Sipas Gegajt, “Mali i Zi mund të shërbejë si model i mirë për tërë rajonin se në çfarë mënyre të sigurohet bashkëjetesa e grupeve të ndryshme fetare dhe nacionale.”
“Mali i Zi ka përparësi sepse posedon një traditë historike të kultivimit të ndryshimeve, por në të njëjtën kohë është edhe treguesi më i mirë se në Ballkan është e mundur bashkëjetesa”, ka thënë ai.
Gegaj i ka cilësuar politikisht jokorrekte deklaratat e një pjese të opozitës se pas njohjes së Kosovës, shqiptarët në Mal të Zi do të kërkojnë shtet brenda shtetit.
“Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë e as që do të jenë faktor destabilizues, por faktor i paqes dhe i stabilitetit. Këtë e kanë dëshmuar shumë herë. Ndërsa liderë të veçantë, me siguri, në këtë mënyrë ua kthejnë borxhin votuesve të tyre shqiptarë të cilët ua kanë dhënë besimin në zgjedhjet e fundit presidenciale”, thotë anëtari i Këshillit Qendror të PDS-së, Nikollë Gegaj. /kohapress/

KOMENTOJE