Barack Obama, president i SHBA-ve

Barack Obama është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë presidenti i parë afrikano-amerikan në historinë e këtij vendi. Demokrati Obama e tejkaloi ndjeshëm numrin e 270 votave elektorale, të nevojshme për fitoren. Ai ka siguruar 338 vota elektorale, ndërsa rivali i tij republikan, John McCain, mori 152 vota.

Qindra mijëra përkrahës të Obamës dolën nëpër rrugët e qytetit të tij, Chicago, me thirrje gëzimi, sapo rrjetet televizive e deklaruan Obamën fitues të zgjedhjeve presidenciale. Përkrahësit entuziastë valëvisnin flamuj amerikanë, disa prej tyre qanin me lot gëzimi.
Në fjalimin e fitores Obama tha: “Nëse ka njeri që ende dyshon se Amerika është vend ku çdo gjë është e mundur, që ende vret mendjen nëse ëndrra e themeluesve tanë është gjallë në epokën tonë, që ende vë në pyetje fuqinë e demokracisë sonë, sonte keni përgjigjen”.
Fitorja e tij përballë republikanit John McCain erdhi si rezultat i përkrahjes nga të rinjtë, afrikano-amerikanët dhe gratë.
Shpresat e McCainit për ta fituar garën u zbehën, kur ai humbi garën në disa shtete tepër të rëndësishme për garën, si Pensilvania, Florida, Ohio dhe Virginia. Që nga viti 1964, asnjë republikan nuk kishte humbur në Virginia.

McCain i telefonoi nga qyteti i tij, Feniksi i Arizonës Obamës, për ta përgëzuar për fitoren historike, duke theksuar se fitorja e tij ka një domethënie të veçantë për afrikano-amerikanët.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti George Bush i telefonoi Obamës për ta uruar për fitoren. Fitorja e Obamës i jep fund drejtimit 8 vjeçar të Shtëpisë së Bardhë nga presidenti Bush.
Barack Obama do të jetë presidenti i parë zezak në historinë 232 vjeçare të Shteteve të Bashkuara. Ai do të bëjë betimin më 20 janar. /Telegrafi/

KOMENTOJE