Mehmet Bardhi uron ambasadorin amerikan Moore për zgjedhjen e presidentit të ri në SHBA

Mehmet Bardhi uron ambasadorin amerikan Moore për zgjedhjen e presidentit të ri në SHBA

I nderuari Zotëri Ambasador Moore,

Lajmi i sotëm, në mëngjes këtu, se SHBA-të, në historinë e vet 232-vjeçare zgjodhën Presidentin e 44-të me radhë, demokratin Barack Obama, na gëzoi të gjithëve, pikë se pari për shembullin e zgjedhjeve demokratike. Prandaj, zotëri Ambasador, edhe me këtë rast,
kam kënaqësi dhe nder që me anë të kësaj letre, në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, partisë së parë politike të shqiptarëve, popullit autokton, në trojet e veta, sot në Malin e Zi (e formuar më 09. 09. 1990 në Tuz), në emër të shqiptarëve në MZ, t’ju uroj Ju, dhe përmes Jush të gjithë popullit amerikan zgjedhjen e Presidentit të Ri.

Zgjedhjet e djeshme, të 4 nëntorit, padyshim do të jenë zgjedhje historike. Këto treguan qartë se SHBA-të ofrojnë shanse të barabarta për të gjithë dhe se janë lider të demokracisë në botë. Ky është sukses i Amerikës, po edhe një përgjegjësi edhe më e madhe për pjesëmarrjen vendimtare në vendosjen dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në çdo cep të botës.

Jemi të bindur se në politikën e jashme do të ketë një vazhdimësi, sepse SHBA ruajnë parimsinë e saj tashmë të dëshmuar në botë, edhe të politikës në Ballkan, në thellimin e proceseve demokratike.

Posaçërisht jemi të bindur se përkrahja, ndihma dhe angazhimet miqësore e njerëzore, diplomatike e ushtarake, shkencore-arsimore e materiale për PAVARËSINË E KOSOVËS, për realizimin e të drejtave posaçërisht të shqiptarëve dhe të gjithë popujve të tjerë të shtypur, për zhvillimet demokratike, për stabilitetin e paqen e vendosur, do të vazhdojnë edhe mëtej.

Në këtë kontekst jam i bindur se vëmendja e SHBA-ve do të jetë pamëdyshje e përqendruar edhe në angazhimin e ndihmën e pakursyer në mëkëmbjen e forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimet ekonomike, që do të jenë një sfidë e vërtetë në botë, pastaj në vendosjen e funkcionim e plotë të shtetit të së drejtës në shtetet e Ballkanin shpeshherë të trazuar, po edhe më gjerë.

Përkrahja Shqipërisë nga SHBA-të, në rrugën e saj demokratike të pakthim, jemi të bindur se nuk do të ndryshojë.

SHBA-të, sidomos me ardhjen Tuaj Ambasador këtu në Malin e Zi, treguan qartë se edhe një shtet i vogël si Mali i Zi, multinacional, multietnik e multifetar, për shumë arsye gëzoi ndihmën e pakursyer në rrugën e mëkëmbjes së tij.

Zotëri Ambasador, në këto zgjedhje në SHBA, me shumë dinjitet e përkushtim morën pjesë edhe shumë shqiptarë shtetas amerikanë, që Amerika iu bë shtëpi e dytë dhe e parë, pas përndjekjeve të shumta e të ndryshme policoro-gjyqësoro-shtetërore, që iu bënë në trojet, në atdheun e tyre, që tashmë janë pjesë e integruar e shoqërisë amerikane, që po japin kontributin e tyre të çmuar, të cilët poashtu i përshëndes dhe i falënderoj.

Në fund , i nderuari Ambasador Moore, nuk mund mos të uroj edhe kandidatin tjetër për kryetar, kandidatin republikan zotëri Mc Cain dhe votuesit e tij për sjelljet dinjitoze, i cili menjëherë pas bërjes me dije të rezultatit në zgjedhje, uroi fitoren e zotëri B. Obama dhe tha se vë në dispozicion veten dhe stafin e tij në shërbim të Amerikës. Vërtetë sjellje dinjitoze, njerëzore, demokratike e patriotike.

Urojmë popullin amerikan që Presidenti i posazgjedhur të ketë sukses së pari në të mirë popullit të vet po edhe të të gjithë njerëzimit.

Me respekt.
Mehmet BARDHI,
Kryetar i LD në MZ dhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi

KOMENTOJE