Çfarë është nëntori i vitit 2008 për trojet etnike shqiptare ?

Çfarë është nëntori i vitit 2008 për trojet etnike shqiptare ?

Nëntori i vitit 2008 do të duhej të ishte moment i shënimit e kremtimit të datave e festave të mëdha për kombin shqiptar. Zoti në këtë muaj, por në vite të ndryshme, sikur caktoi fate e ngjarje të madha. Para 100 vitesh në nëntor burra të dijes, guximit e pendës me At Gjergj Fishtën e mendje të tjera të kombit mbajtën Kongresin e Manastirit dhe e bënë popullin tonë me alfabetin e bukur, që u mundua të zë vend në zemrat e fëmijëve të kombit tonë kudo në trojet etnike. Po në nëntor u ngrit për të dytën herë flamuri ynë kombëtar dhe plaku Ismajl me trimat e tjerë iu bashkua valles e valltarëve të rrugëtimit burrëror, që kishte nisur trimi i madh Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Po në këtë muaj të madhërishëm Zoti i kishte falë Kosovës njërin nga kryetrimat e kombit, Komandantin legjendar Adem Jashari, që përcolli deri në rënien sublime idenë për liri, që kaliti me tërë shpirtin Skënderbeu, Dedë Gjo Luli, Ismajli e trima të tjerë. Këto janë nëntorët e madhështisë së shqiptarëve nëpër trojet etike.

Por, çfarë është nëntori i vitit 2008 për trojet etnike? Ai është një nëntor i dhembshëm, dhe pse disa do të mundohen ta shpallin si nëntorin me plot arritje e fitore për shqiptarët. Ani, le të lavdërohen ata që duan me arritjet dhe le t’i hiperbolizojnë e kthejnë në legjenda ato fitore, por realiteti në trojet etnike është krejt tjetër. Ai është i zymtë. Është i zbehtë, e më i zymti është në disa prej trojeve etnike, që kanë mbetur të burgosura nga i huaji e të harruara nga dy shtetet shqiptare. Kosova do të kremtojë në këtë nëntor festën e flamurit të Gjergjit e Ismajlit me shtetësinë sa për të thënë e me një flamur e himn të askujt. Shqipëria do ta festojë nëntorin me flamur, me himn, me hyrje në NAT0, por edhe me plot probleme dhe me pa gatishmërinë për të marrë në mbrojtje shqiptarët në Malësi e Kosovë Lindore, të cilëve u shkelen të drejtat më elementare.

Malësia do të gjendet në këtë nëntor në heshtje. Do të gjendet në dëshirë për të festuar datën e flamurit e 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit, por vështirë se do të dalë kënga nga zemra e malësorit sepse ai pa e çka nuk ka parë që nga shtatori i vitit 2006. Ka parë furtuna e shfryrje mllefesh të policëve që urrejnë çdo gjë shqiptare. Ka parë procese gjykimesh të padrejta. Ka parë kordonë policësh me sy plot gjak e urrejtje, ka parë lot nënash e burgosje djelmoshash, por pak ka parë gëzime. Ka parë edhe më pak gatishmëri vëllazërore në Shqipëri e Kosovë për t’i thënë “ “Oj Malësi krenare qëndro se ne jemi me ty”. Këtë e kishte thënë Malësia dhe me plot zërin e saj , që kumbonte nga Bjeshkët e Dedë Gjo Lulit,kur i ishte drejtuar vëllezërve të saj në Kosovë, që po vriteshin e po torturoheshin nga pushtuesi. Një zë kumbues po e pret edhe në këtë nëntor Malësia, që nga furtunat e rënda e të ftohta nuk po mundet të ketë festa. Edhe në nëntorin e njëqindtë të ABC-së, shkronjat shqipe dhe tërë historia, gjuha e tradita shqiptare keq i kanë punët në Malësi. Ato po shtrydhën e po ndrydhen nga një pushtet jodemokratik, i cili duke shfrytëzuar përgjumjen dhe heshtjen e dy shteteve shqiptare , po vazhdon rrugëtimin kobzi për të zhbërë çdo gjë shqiptare. Edhe në këtë nëntor Malësia do të mbijetojë ditët e plagosur nga dhuna malazeze, por edhe më e plagosur nga harresa që i kanë kurdisur vëllezërit e saj në Shqipëri e Kosovë. Nuk mund të quhet ky nëntor i festave dhe lumturisë. Nuk mund të quhet sepse disa troje shqiptare jetojnë në ankth e duke u përballur me urrejtjen , përbuzjen dhe dhunën. Ky është nëntori i vitit 2008 në trojet etnike.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE