SHBA: Artistët reagojnë për diskriminimin kulturor shqiptar

Në një deklaratë të artistëve thuhet se “dënojmë fuqimisht këtë mënyrë të diskriminimit të vlerave kulturore shqiptare në shtetin multietnik të Maqedonisë nga ana e Ministrisë së Kulturës, ku shqiptarët janë komunitet i dytë për nga numri i popullësisë dhe kanë vlera të pasura kulturore”.

“Shprehim keqardhje që nuk ka shqiptarë që marrin pjesë në këto manifestime, kur dihet se kemi personalitete të njohura në të gjitha fushat e artit dhe kulturës. Vlerësojmë se akoma vazhdon diskriminimi ndaj shqiptarëve në sferën e kulturës. Shpresojmë se reprezentët shqiptarë do të zgjohen nga gjumi dhe do të shprehin revoltën e tyre”, thuhet në reagimin e artistëve shqiptaro-amerikan.
Reagimi i drejtuar është një mesazh për autoritetet shtetërore të Maqedonisë dhe institucionet e kulturës, ku hapur shihet diskriminimi kulturor dhe qasja e injorimit të kulturës dhe artistëve shqiptarë.

“Improvizimet e kulturës dhe mënyra e përfaqësimit segregacional dëmton rëndë imazhin e këtij shteti ballkanas, ku gërshetohen kultura të ndryshme”, theksohet në reagimin e artistëve shqiptarë, një nismë e drejtuar nga aktori Luan Bexheti me origjinë nga Maqedonia.
Ai tha se reagimi do t’i drejtohet edhe institucioneve amerikane për të zbardhur një pakorrektësi lidhur me përfaqësimin dhe promovimin e kulturës shqiptare të Maqedonisë jashtë vendit.

Sipas agjencisë së lajmeve INA, në ekipin e artistëve dhe personaliteteve kulturore dhe të artit të Maqedonisë të udhëhequr nga ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska- Mileva nuk është përfshirë asnjë artist shqiptarë. Siç bëhet e ditur, në mënyrë simbolike është përfshirë me dy piktura, piktori Reshat Ahmeti nga Gostivari, prania e të cilit gjithashtu mungon në këtë manifestim të Ditëve të Kulturës në SHBA.
Ditët e Kulturës filluan dje me koncertin debitues të pianistit Simon Trpçevski me orkestrën simfonike në Çikago. Ndërkaq ,aktivitetet e tjera do të pasojnë me artin muzikor, figurative dhe filmic në Çikago, Nju Jork dhe Uashington nga 12 deri më 26 nëntor. (B.S/INA)

KOMENTOJE