Amerika është e mrekullueshme

Njeriu me ngjyrë në krye të shtëpisë së bardhë

Kjo fitore ka tejkaluar edhe ëndrrën e legjendarit Martin Luter King. As ai nuk ka menduar se do të vinte dita, relativisht shpejt, që në krye të Shtëpisë së Bardhë të jetë zezaku, kur para masës zezake, para më se një gjysmë shekulli kishte klithur: “I have a dream…”, para se plumbat e dorës së bardhë ta kalonin në pavdekësi duke i marrë jetën e cila e tëra kishte kaluar në luftë për të drejtat e zezakëve të shtypur dhe për barazi mes njerëzve. Le të jenë të fundit plumbat që i kanë marrë jetën Kingut, ata që shkrepen për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Ferhat Dinosha

Zoti Një e di pse e ka çuar tash Barak Obamën në krye të saj, por Amerika është e mrekullueshme. Ajo i hap derën e Shtëpisë së Bardhë presidentit të parë zezak, të 44 me radhë. Duke ditur rolin dhe fuqinë e Amerikës në marrëdhëniet ndërkombëtare, mund të thuhet se Obama do të jetë në krye të botës. Kam qëlluar në Bruksel në ditën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve historike amerikane të 4 nëntorit 2008 dhe kam mundur të hetoja se Evropa e ka pritur me përkrahje e shpresë fitoren e Obamës. Kryetari i Komisionit Evropian, Barroso, është shprehur se Evropës i duhet një new deal me Amerikën. Shteti i diplomacisë evropiane, Solana, po ashtu ka përshëndetur fitoren e demokratit Obama, duke shprehur bindjen se, së bashku, do të punojnë për një botë më të mirë. Sinjale të mira vinë edhe nga Kina, Japonia, Lindja e Mesme, Lindja e Afërt.
Barra që trashëgon Obama nga republikani Bush nuk është aspak e lehtë, as në ekonomi as në politikën e jashtme dhe koha do të dëshmojë sa të forta janë supet e demokratit të ri zezak për të kalitur e ndryshuar atë. Por, unë dua të merrem me disa aspekte të tjera të kësaj fitore historike, që shënon “fillimin e një epoke të re në politikën amerikane”, siç janë shprehur shumë analistë të shtëpive të ndryshme televizive të botës.
Çka tregon fitorja e Obamës, të cilën nuk e kanë pritur as përkrahësit e tij më të rryer nga radhët e afroamerikanëve, (as ky autor, për të qenë i sinqert me lexuesit)?
Kjo fitore tregon se Amerikan, e cila deri para gjysmë shekulli përkgjakej nga konfliktet racore, ka bërë progres të jashtëzakonshëm në zbutjen, mbase edhe në kapërcimin e kësaj plage të madhe të njerëzimit. “Obama shemb murin e racizmit” shkruan një gazetë kineze, duke përshëndetur fitoren e Obamës. Zezaku deri vonë, nuk ka mundur të hynte në autobusin e e të bardhëve, sot po hyn në Shtëpinë e Bardhë! I përkrahur jo vetëm nga zezakët, hispanikët e të ngjyrosurit e tjerë të Amerikës, por edhe nga të bardhët pa të cilët s`do të fitonte. Kush ka përcjellur tubimin impozant të votuesve të Obamës, gjatë fjalimit të tij postviktorial në Çikago hometown, ka mundur të shijonte madhështinë e emocionit të përbashkët të zezakëve dhe të të bardhëve. Ata përqafonin njëri-tjetrin, ndanin bashkë lotët e gëzimit, përshëndesnin bashkë familjen e parë zezake, Obamën me të shoqen dhe dy të bijat e tij, si familje të parë amerikane. Çfarë ndryshimi në Amerikë?!
Nuk e beson këtë lehtë as aktivisti i spikatur zezak i të drejtave të njeriut, Xhesi Xhekson, i cili shihej aty të qante nga gëzimi që i kishte shkaktuar fitorja e papritur e vëllait të ngjyrës Barak Obama.
Ky i fundit, ashtu si i ka hije, i vetëdijshëm se fitorja e tij i ka lënë pa frymë edhe përkrahësit edhe kundërshtarët e tij, i drejtohet masës së ngazëllyer: “Nëse ka ende asish që dyshojnë se në Amerikë është çdo gjë e mundur, përgjigjja juaj në zgjedhje u ka thënë – change has come in America”.
Kjo fitore ka tejkaluar edhe ëndrrën e legjendarit Martin Luter King. As ai nuk ka menduar se do të vinte dita, relativisht shpejt, që në krye të Shtëpisë së Bardhë të jetë zezaku, kur para masës zezake, para më se një gjysmë shekulli kishte klithur: “I have a dream…”, para se plumbat e dorës së bardhë ta kalonin në pavdekësi duke i marrë jetën e cila e tëra kishte kaluar në luftë për të drejtat e zezakëve të shtypur dhe për barazi mes njerëzve. Le të jenë të fundit plumbat që i kanë marrë jetën Kingut, ata që shkrepen për shkak të ngjyrës së lëkurës.
Me fitoren e Obamës, Amerika dëshmon se ngjyra e zezë nuk është domosdo disavantazh në cilëndo garë me të bardhën. Por, për fitore duhet shumë dhunti për shpirtin e për karakterin, të cilat Obamës duhet t`ia ketë dhënë Zoti. Një analist suksesin e Obamës e kishte përmbledhur si vijon: “Begatia e karakterit ka qenë më e fortë se ngjyra e lëkurës”.
Ndoshta fitores së Obamës i kanë dhënë krah edhe huqet e presidentit Bush, sidomos në fushën e ekonomisë dhe të financave, ose ato të angazhimeve luftarake nëpër botë! Por, Amerika dëshmon se është dhe duhet të jenë lidere e Botës. Cili vend tjetër në botë sot kishte përkrahur kandidatin e pakicës për kryetar të shtetit, qoftë edhe të të njëjtës ngjyrë të lëkurës?
Amerika duket të ketë edhe një përparësi esenciale. Kundërshtarët e deridjeshëm i sheh të gatshëm të punojnë bashkë për demokraci. Kam përcjellë fjalët e kundërkandidatit Mekejn pasi kishte pranuar fitoren e Obamës, me tëcilat po qetësonte votuesit e tij të zhgënjyer e të hidhëruar: “Unë do të përkrah njeriun i cili ka qenë kundërshtari im dhe do të jetë presidenti im”.
Dashamirës i reales së momentit është treguar edhe Presidenti Bush, i cili tashmë ka pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin e posazgjedhur, Obama dhe nga i cili janë dëgjuar fjalë shpresëdhënëse.
Derisa përcjellë transin që kishte shkaktuar fitorja e Obamës në fshatin e vnedlindjes së babait të tij, në Kenia të Afrikës, më përshkon ndjenja se njerëzit e mëdhenj kurrë nuk i ikin rrënjës, sepse u përngjajnë lisave të mëdhenj, hija e të cilëve i shërben çdo të molisuri nga vapa. Edhe rrënjët e vicepresidentit Bajden janë larg kontinentit të Amerikës, por ndoshta vie koha që të dyjat bashkë të bëjnë një lis të madh amerikan, nën hijen e të cilit mund të gjejnë pushim njerëzit e të gjitha ngjyrave, nacionaliteteve, feve…
Shqiptarët nuk kanë pse të mos jenë të kënaqur me fitoren e Obamës. Me demokratin Klinton, të ndihmuar edhe nga senatori Bajden i cili tash do të jetë nënkryetar i Obamës, kemi përjetuar fushatën humanitare të bombardimeve të NATO-s dhe kapitullimin e Serbisë në Kosovë, me republikanin Bush, të cilin e kemi pritur në Krujë poshtë si Gjergjin në Krujë lartë, kemi përjetuar festën më të madhe në historinë tonë të re, pavarësinë e Kosovës, me demokratin Obama, dashtë Zoti, në vallen e ingtegrimeve, mund të ngjajë që Dardani t`i këndojë Çamërisë… nëse njerin tel të çiftelisë ia kemi falë Amerikës. /kohapress

KOMENTOJE