Politika Shqiptare dhe liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi

Politika Shqiptare dhe liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi

Pozitës dhe opozitës malazeze kështu i duhet faktori shqiptar, me zënka nga më të ndryshmet, me grindje të pandërprera mes politikanëve, por ajo për të cilën shtrohet pyetja është: pse duhet pranuar ky status i shqiptarëve në Mal të Zi nga këta liderë që nuk shohin se asgjë nuk është bërë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, dhe nëse vetëm diçka është bërë, ajo është farsë para opinionit.

Nga ajo që lexohet sot lidhur me aktivitetet e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi nuk mund të kuptohet se cila nga këta ka një avantazh ndaj tjetrës. T`i lëmë mënjanë se cila nga këto ishte dhe është më vizionare se tjetra, kjo ka pak rëndësi, qoftë kur u votua për pavarësinë e Malit të Zi, qoftë kur u miratua në Parlamentin malazez Rezoluta për njohjen e Kosovës, qoftë deklaratat e liderëve të subjekteve politike shqiptare lidhur me njohjen e Kosovës shtet të pavarur e demokratik nga ana e Malit të Zi.
Në këto raste le të marrim në konsideratë shkrimet që bëhen nga politikanë – gazetarë, jo edhe aq kundër të tjerëve sa lavdërimet, rrahagjokset e atyre që shkruajnë për vete me çka duan të tregojnë se këtu fillon çdo gjë, me bezdinë e përsëritjes së asaj çfarë ndodhi në këto vite të demokracisë nga ku e vetmja risi është se këtu nuk ka asgjë të re. Nuk ka asgjë të re për faktin se frazat e përdorura dëgjohen për të satën herë të njëjta, sulmet po ashtu të njëjta nga ku nuk mund të shihet ndonjë bosht se ku mund të mbështeten argumentet se njëri krah është profet, kurse të tjerët janë dështakë, pa vizion e profil politik. Për këtë tashmë të gjithë ata që përcjellin sadopak ngjarjet politike në Mal të Zi është e qartë se nuk ka ndonjë strategji politike që do t`i bashkonte këta liderë nga ku vetëm me thashetheme mundohen të qëndrojnë në piramidën politike, pa transparencë, pa shtjellim idesh, të cilët para se të shfrytëzojnë maksimumin e mundshëm politik duan të heqin qafe, në kuptimin politik, përfaqësuesit e partive të tjera shqiptare duke prezantuar veten si largpamës e profetë.
Kur Dekarti thoshte “Mendoj, pra jam”, përmblidhte në dy-tri fjalë qëllimin dhe synimin e jetës, urtësinë dhe shkakun e ekzistencës. Vetëm se asnjëri prej nesh nuk mund ta shprehë të njëjtën ide me të njëjtën formë mendimi. Dhe po t`i pyesësh liderët tanë për idetë e hedhura lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, do të shprehin mendime të njëjta, ku i dallon forma e të shprehurit dhe kjo nuk është gjë tjetër por identitet vetëm i vetvetes. Asgjë nuk është reale dhe e paprekshme, nga fjalët e tyre mund të konstatohet se këta duhet zëvendësuar me kuadro të reja, për të larguar ata që për dekada kanë vetëm fjalë se do të jetë më mirë në arsim, kulturë, shëndetësi, etj., diçka që transmetohet që nga periudha komuniste, diçka e dëgjuar edhe më parë me çka mbyllet mundësia për t`u takuar së bashku kudo qoftë e për të biseduar qartë se a ka ndonjë strategji afatgjate kundër këtyre problemeve që janë grumbulluar aq shumë sa që do të na mallkojnë gjeneratat e ardhshme. Ky komunitet i këtushëm nuk e meriton të dëgjojë e lexojë fraza nga më të ndryshmet se ishim “ne” e jo “ata” që dhamë ide për këtë e atë problem, se ne kemi të drejtë t`u premtojmë shqiptarëve në Mal të Zi se kanë për të përfituar shumë në bazë të projekteve tona, nga ku vetëm fjala politike ka peshën e saj për lënien e trojeve shqiptare në këtë situatë.
Sipas tyre shqiptarët në Mal të Zi nuk duhet të luftojnë me ndonjë “armik”, por vetëm me ndonjërin nga liderët e subjekteve politike shqiptare për të bërë një politikë “përçaj e sundo”, dhe kjo jo për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, por për të përfituar sa më shumë përkrahës që të sigurohet edhe ndonjë mandat tjetër. Kjo është një prej sindromeve të politikanëve-gazetarë të sotëm që nuk duan, apo nuk dinë se i talentuari nuk punon për eliminimin e të talentuarve, por lufton që të zëjë vend e të radhitet krah tyre. Nëse jo kështu, atëherë përgjigjja ndaj të keqes me të keqe tregon për mangësi serioze të karakterit te njeriu, kurse përgjigjja ndaj së keqes me të mirë flet për burrëri dhe dinjitet.
Natyrisht se pozitës dhe opozitës malazeze kështu i duhet faktori shqiptar, me zënka nga më të ndryshmet, me grindje të pandërprerë mes politikanëve, por ajo për të cilën shtrohet pyetja është: pse duhet pranuar ky status i shqiptarëve në Mal të Zi nga këta liderë që nuk shohin se asgjë nuk është bërë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, dhe nëse vetëm diçka është bërë, ajo është farsë para opinionit, rezultatet shihen. Kur kjo të bëhet faktike për ta, ndoshta vetëm atëherë do të lindin forca të reja ku për çdo veprim të hyjnë së bashku për të përcaktuar gjithçka që është në dobi të komunitetit të këtushëm. Kështu me veprimet e tyre, qofshin pro apo kundër, mbajnë në këmbë shtetin malazez dhe përmirësojnë ardhmërinë e tyre.
Sa herë që merret ndonjë hap politik e që reflektohet përmes gjuhës së urrejtjes të njërit krah ndaj tjetrit i atakojmë politikanët tanë, sepse nuk dinë të flasin e të merren vesh, nga ku si hileqar të mbrojtjes së sistemit përpiqen të ruajnë vetveten. Në këtë atmosferë politike që po i rritet me shpejtësi nxehtësia s`ka se si të lihet jashtë vëmendjes fakti ku politikanët neglizhojnë etikën e komunikimit, pavarësisht se nga burojnë idetë e tyre, pranimi i një realiteti është si një e vërtetë absolute.

Shaban Peraj
/kohajavore/

KOMENTOJE