Presidenti Topi dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes” ish-ambasadorin William Graham Walker

Heroi i Reçakut, miku i madh i shqiptarve Ambasdori William Walker, u nderua në ditët festës së madhe të shqiptarve, 96 – Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me “Medaljen e Mirënjohjes”

TIRANE : Njoftimi zyrtar nga Presidenca e R. Shqipërisë, thekson se këto ditët e festës së madhe të 96 – Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisës, në një ceremoni zyrtare të zhvilluar sot në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi ish-ambasadorin Uilliam Graham Uoker me “Medaljen e Mirënjohjes”.
Ky vlerësim dhe nderim i lartë i Kryetarit të Shtetit i bëhet z. Uoker për kontributin tepër të rëndësishëm në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës, në momentet e vështira dhe vendimtare të historisë së tyre, gjatë krizës humanitare të vitit 1999, duke mbështetur fuqimisht të drejtën që ata kërkonin, për të jetuar të lirë dhe të pavarur.
Pas ekzekutimit të himnit tonë kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes” ish-ambasadorit Uilliam Graham Uoker, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh:

“Zoti President,
Miq,
Jam vërtet i befasuar dhe gjithashtu shumë i nderuar duke marrë këtë lloj dekorate nga duart e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Siç u përmend dhe në motivacion, unë kam qenë më i njohur në çështjen kosovare, por unë e di shumë mirë se çfarë kuptimi kanë pasur ngjarjet e ‘99-ës për shqiptarët kudo që ata kanë qenë. Meqë këtu është qendra, është zemra i kombit shqiptar jam me të vërtetë i nderuar duke u nderuar në këtë mënyrë. Jam i lumtur që jam këtu, jam i lumtur që bëj pjesë në këtë komb shqiptar dhe që kam pasur rastin të shijoj shpeshherë mikpritjen e shqiptarëve, e cila është përmbytëse, prandaj edhe ky nder më ka mallëngjyer dhe më ka përmbytur në ndjenja, kështu që ju falenderoj shumë zoti President”!
Pas ceremonisë së dekorimit, Presidenti Topi dhe z. Uoker patën një takim, i cili u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e miqësore. Gjatë bisedës, Kryetari i Shtetit shprehu edhe njëherë mirënjohjen për ndihmën e pakursyer dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë amerikane dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar përgjatë gjithë rrjedhës së historisë dhe momenteve vendimtare, duke theksuar edhe rolin e rëndësishëm dhe të spikatur të ish-ambasadorit Uoker gjatë ngjarjeve që ndodhën në Kosovë para dhe gjatë luftës së saj çlirimtare dhe fitimit të pavarësisë.
Nga ana e tij, ish-ambasadori Uoker pasi falenderoi Kreun e shtetit edhe njëherë për nderin e madh që iu bë, shprehu admirimin për ndryshimet e mëdha e pozitive të vendit dhe rajonit tonë gjatë dekadës së fundit duke vlerësuar rolin e rëndësishëm dhe moderator të faktorit shqiptar në Ballkan në shërbim të paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit afatgjatë.

BEQIR SINA, New York

KOMENTOJE