Sa e dhembshur pyetja në Kosovë se a është festë dita e flamurit kombëtar

Me vite e dekada ngjyra e kuqe e flamurit tonë kombëtar u bë edhe më e ndezur nga gjaku i bijve më të mirë që përjetonin dhunë e tortura në kazamatet serbosllave duke kënduar me një zë atë himnin e bukur të Asdrenit e duke ngritur lart flamurin e Gjergj Kastriotit në kreshta e ndërtesa banimi. Ky zë trimërie kishte gjetur forcë e kishte shpërthyer horizontin edhe në shekullin e kaluar kur në kryengritjet e mëdha në Malësi Dedë Gjo Luli ngriti lart flamurin shqiptar në bjeshkët e forta si graniti të Malësisë. Një zë burrëror i ishte shtuar kushtrimit edhe në ditën e madhe të 28 Nëntorit të lirisë nga plaku Ismail Qemajli në Vlorë dhe nga Drenica vite më vonë kur Zoti i kishte falë truallit të Kosovës një djalë që do ta ndërronte historinë dhe do ta kthente nderin e nëpërkëmbur të shqiptarëve me luftën dhe sakrificën sublime në emër të lirisë dhe flamurit kombëtar. Më të moshuarit e mbajnë mend fare mirë se në Kosovë dhjetëra e qindra djelmosha e vajza atdhetare kishin përjetuar shtresat më të rënda të ferrit serb vetëm pse e mbronin identitetin kombëtar dhe flamurin tonë kuq e zi. Gjeneratat e dinë se edhe bijtë më të mirë të këtij trualli kanë dhënë betimin për vdekje a liri para flamurit të Gjergj Kastriotit. Gjeneratat e dinë se në të gjitha labirintet e kohës dhe nëpër gjithë ato furtuna që frynin nga Karpatet shqiptarët e Kosovës po mbaheshin të fortë duke pasur në zemër flamurin tonë kombëtar dhe duke kënduar zëshëm fjalët e bukura të himnit për të që kishte shkruar Asdreni ynë.
Kosova sot , para se të lejojë të shtrohet pyetja se a është a nuk është festë 28 Nëntori, duhet t’u rikujtojë gjeneratave, që mbase paskan harruar, se shqiptarët në Kosovë, Malësi të Madhe, Kosovë Lindore, Shqipëri, Maqedoni e kudo në botë janë të një kombi dhe se kishin e duhet të keni një gjuhë, një kullure, një traditë shqiptare dhe të njëjtin flamur. E kjo nuk po ngjan këtu në Kosovë. Dhe pse është harruar e kaluara e njerëzit po merren me rrahje gjoksesh nga qendrat e vendosjes po na vijnë lajme si korbat e zi pikat e atij e të këtij. Në Kosovë me vetëdije u punua shumë për decentralizim, për krijim të kombit të ri kosovar, për një gjuhë të re dhe për një identitet të ri. E gjithë kjo katrahurë bëri që të krijohet atmosferë e zbehtë në nëntor dhe që edhe intelektualë, që kanë kryer shkolla me krah e lidhje fisnore, të shtrojnë pyetjen se a është në Kosovë a nuk është festë 28 Nëntori. Bujku nuk e bën këtë pyetje po vazhdon të përbetohet në flamurin shqiptar. As shqiptarët në vise të tjera etnike nuk me bëjnë dot këtë pyetjen marroqe , që dëgjohet në Kosovë se a është a nuk është festë ajo dita e madhe e shqiponjës. Shqiptarët në Malësinë e Rozhajës, vëllezërit e tyre në Malësi të Madhe e në disa vise të tjera të robëruara, po bëjnë gjithë përgatitjet për ta ngritur me nder e me këngë flamurin tonë të shenjtë, e në Kosovë, si një zë ndjellakeq vazhdon të shtrohet pyetja e marrë për festën. Sa keq shtrohet kjo pyetje në Kosovën e larë me gjak e dhembje për këtë flamur të lirisë. Festa e flamurit është e të gjithë shqiptarëve dhe mjerë atë që e vënë në pyetje këtë datë të madhe.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE