Kreu i Bashkësisë Islame të Ulqinit, Rexhep ef. Lika, Kryeimami i Ulqinit në prag të Kurban Bajramit ka uruar të gjithë besimtarët e fesë islame me mesazh për paqe dhe harmoni. Ai ka ftuar që kjo festë të reflektojë ndjenjën e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë e mbi të gjitha devotshmërisë e cila është edhe simbolika e prerjes së Kurbanit.
Kreu i Bashkësisë Islame të Ulqinit, Rexhep ef. Lika, Kryeimami i Ulqinit fillimisht në mesazhin e tij shprehu kënaqësinë e veçantë që në emër të Bashkësisë Islame të Ulqinit, t’ju urojë për festën e kurban – Bajramit, me dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturinë e të gjithë besimtarëve. Me tej në mesazhin e tij në prag të festës së kurban Bajramit Rexhep ef. Lika, Kryeimami i Ulqinit, flet për rëndësinë e festës.”Festa e Kurban – Bajramit, tek ne duhet të reflektojë, krahas adhurimit të krijuesit fuqiplotë, edhe ndjenjën e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë e mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë, sepse edhe flijimi i kubanit që e bëjmë me këtë rast nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë” thotë ai.
Sipas Rexhep ef. Lika, Kryeimami i Ulqinit, festa e Kurban – Bajramit duhet kuptuar drejtë e mirë sepse ngërthen në vete adhurime të cilat ushqejnë shpirtin, pastrojnë zemrën dhe bëjnë njerëzit që të duhen më shumë ndërmjet veti.“Në shpirtin tonë duhet të kultivojmë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri të shëndoshë, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë. Në këtë ditë feste, më lejoni edhe njëherë të ju urojë të gjithëve shëndet dhe lumturi” thuhet në mesazh..
Kreun e Bashkësisë Islame të Ulqinit, dhe gjithë besimtarët mysliman, me rastin festës së Kurban Bajramit i kanë përgëzuar presidenti i Malit të Zi – Filip Vujanoviq, kryeministri Milo Gjukanoviq si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe subjekteve politike në vend. /Lajme nga Ulqini
Stafi i Malesia.Org gjithë shqiptarëve të besimit Islam kudo që ndodhen, u uron Gëzuar Kurban Bajramin!