Pretendenti për fron, Leka Zogu, reagon ndaj kërkesave të “Omonias”

Të heqë dorë nga qëndrimet shoviniste, nga nxitja e urrejtjes ndëretnike

TIRANE : Pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu, kërkon që Parlamenti shqiptar dhe ai i Greqisë të kërkojnë që organizata e minoritarëve grekë në vendin tonë “Omonia” të distancohet menjëherë nga qëndrimet shoviniste. Në një deklaratë për shtyp mbreti Zog ka reaguar, pasi u bë publik fakti se “Omonia” i ka kërkuar Parlamentit grek të mos ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, nëse nuk plotësohen disa kërkesa, mes të cilave që pjesës jugore të vendit t’i jepet statusi i autonomisë. Për Zogun shteti fqinj, Greqia, më parë duhet të garantojë dhe të respektojë të drejtat e shqiptarëve me origjinë çame, të cilët u dëbuan me forcë nga trojet e tyre.
“Ka ardhur koha që t’i kërkojmë Greqisë së demokracisë së lashtë, që sot në fillim të mijëvjeçarit të tretë të shoqërisë njerëzore, aspak në reciprocitet të kërkesave absurde të ‘Omonias’, t’u miratohen ligjërisht dhe t’u garantohen të drejtat të gjithë shqiptarëve autoktonë çam të Veriut të Greqisë të përzënë përdhunshëm nga trojet amtare gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore”, – thuhet në deklaratën e lexuar nga zëdhënësja e Oborrit Mbretëror, krah së cilës ishte ulur vetë pretendenti për fron. Në këtë qëndrim zyrtar Zogu nënvizon se të dy shtetet, Greqia dhe Shqipëria, duhet të qortojnë dhe këshillojnë publikisht “Omonian” që t’i përmbahet statusit ligjor si shoqatë kulturore dhe “të heqë dorë sa më parë nga qëndrimet shoviniste dhe nga nxirja e urrejtjes ndëretnike”.
Pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu, tha se deklaratat e lëshuara që nga krijimi i organizatës së minoritetit grek në Shqipëri e pozicionojnë në një forcë të mirëfilltë politike antikushtetuese, në kundërshtim me statutin e saj juridik. Megjithatë, pretendenti për fronin tregohet i kujdesshëm dhe me një gjuhë diplomatike thekson se është e nevojshme vazhdimi i politikave të fqinjësisë së mirë me Greqinë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe politikat integruese. Sipas tij, këto marrëdhënie duhet të ndërtohen mbi bazën e reciprocitetit në marrëdhëniet ndërshtetërore. Ai theksoi se është në favor të miqësisë së mirë me shtetin helen. /INA /

KOMENTOJE