Statusi aktual Komunë Urbane e Tuzit, është pozita më shpërfillëse ndaj malësorëve. Për të qenë në shërbim të qytetarëve, Mali i Zi duhet t’i lejojë urgjentisht Malësisë komunën e plotë, thotë kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Smail Çunmulaj, në një bisedë për KosovaLive.
Çunmulaj ka deklaruar se tash dy vjet ekziston kjo formë e dështuar e organizimit territorial, shpenzohen kot paratë e popullit dhe shqiptarët si popull autokton i kësaj treve, nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre themelore pas dyerve të Podgoricës.
Komuna e Tuzit, për dallim nga komunat tjera në Mal të Zi, është nënkomunë e Podgoricës, pa gati asnjë kompetencë në pushtetin lokal.
“Sot, kryeqyteti Podgorica kremton ditën e vet, me objekte të reja grandioze, ndërsa Malësia si nënkomunë e saj vuan për ujë të pijshëm dhe rrugë automobilistike, është zona më e pazhvilluar në shtet, por zë vendin e parë për emigrimin e shqiptarëve në vendet tejoqeanike për të siguruar mbijetesën ekonomike”, theksoi Çunmulaj.
Sipas tij, kjo formë e qeverisjes vendore nuk ekziston askund, jo vetëm në vendet e rajonit, por as në Evropë: pa kufij administrativë, pa buxhet, pa Plan urbanistik.
“Për të qenë në shërbim të qytetarëve, Mali i Zi, Malësisë duhet t’i lejojë urgjentisht komunën e plotë, e të mos mbahet peng i interesave meskine politike që janë në dëm të shqiptarëve të kësaj treve”, nënvizoi Çunmulaj, duke theksuar se Tuzi në fund të viteve 50-ta të shekullit të kaluar, kishte një komunë me kompetenca, por atëbotë shteti arbitrarisht ia anuloi këtë të drejtë.
“Ky status nën kthetrat e Podgoricës, malësorëve po u sjell prapambeturi, pamundësi të realizimit të drejtave themelore kombëtare e qytetare, dëshpërim”, nënvizoi kryetari i Tuzit, duke apeluar se vetëm komuna e plotë sjell progres në Malësi që do të ishte edhe në favor të Malit të Zi që pretendon të integrohet në Evropë. (KosovaLive)