Aksioni që policia e Serbisë ndërmorri në orët e hershme më 26 dhjetor 2008 në Preshevë, me të cilin rast xhandarmeria serbe arrestoi 10 ish-pjesëtarë të UÇK-së, shqetësoi pa masë edhe shqiptarët në trojet e veta, sot në Malin e Zi.
Lidhja Demokratike e denon këtë akt të policisë së Serbisë. Ky akt policoro- vandalesk paraqet një vazhdimësi të dhunës serbe ndaj shqiptarëve me qëllim të përhapjes së frigës te shqiptarët, dëbimin me dhunë dhe pastrimin etnik të trojeve shqiptare.
Ky aksion e këto arrestime na tregojnë qartë se polítika hegjemoniste serbe po vazhdon të jetë në skenë, se shqiptarët dhe trojet e tyre vazhdojnë të jenë në shenjestër të politikës zyrtare serbe-sllave. Janë këto arrestime që i përngjajnë edhe për nga forma e intervenimi dhe qëllimi, aksionit famkeq të policisë malazeze “Fluturimi i Shqiponjës” më 9.9.2006 në Malësi.
Lidhja Demokratike e denon këtë aksion të policisë së Sebisë dhe kërkon që të arrestuarit të lirohen menjëherë.
Ndërsa apelojmë te forcat politike shqiptare në Luginën e Preshevës, që këto arrestime t’i marrin në mënyrë serioze, pasi ato na porosisin se kohët e vështira për ne shqiptarët nuk kanë kaluar. Duhet bërë me dije, Sebisë dhe të tjerëve se shqiptarët, në trojet e veta shekullore, as në Luginën e Preshevës as në Malin e Zi, as diku tjetër, nuk pranojmë të jemi monedhë për asçfarë pazaresh e kusuritjesh.
Për
SHËRBIMI-n PËR INFORMIM
Kryetari, Mehmet Bardhi