Miti për njerëzit dhe miti për tokat

Shqiptarët me shekuj jetuan në trojet e tyre dhe nuk është shënuar as edhe një rast që ata kishin bërë luftëra pushtuese. Të tjerët erdhën në Ballkan dhe gllabëruan toka shqiptare. Shqiptarët mbijetuan duke ruajtur traditat e tyre të kulluara. Ata nga barbarët i morën disa të këqija e shëmtira, që nuk i kanë përdorë kurrë ndaj të huajve, si bëjnë sllavët, po i përdorin kundër njëri-tjetrit, i përdorin kundër vetës dhe kombit të tyre. Pushtuesit me shekuj krijuan në Ballkan mitin për tokat, kurse shqiptarët, në vend të kësaj, krijonin e po krijojnë mitet për njerëzit. Serbia me mitet për tokat trazoi , shpesh, edhe mendjet e kthjellura të Evropës dhe botës dhe shpesh ata i mbanin krahun këtij shteti skëterrë. Serbia i bëri sa e sa luftëra e sa e sa masakra e dëbime masive në emër të mitit për tokat. “Serbia do Tokia” është shkruar në sa e sa mure të shtëpive të djegura në Kosovën e luftës nga vrasësit serbë. Ata Kosovën e u munduan ta shpallnin mit të tokës së shenjtë dhe nuk pranin duke vrarë e prerë në emër të këtij miti, që në Evropë e botë filloi dikur edhe të blihej si i tillë. Serbia të gjitha krimet e masakrat tmerruese i bëri në emër të miteve për tokën.
Nga ana tjetër shqiptarët gjithmonë zhvilluan beteja e luftëra të mëdha e të drejta në mbrojtje të trojeve të tyre, por kurrë nuk krijuan mite për tokat. Ata në vend të kësaj zhvilluan një prirje të keqe për të krijuar mite për njerëzit. Kjo traditë vazhdon të mbijetojë e të krijojë probleme edhe në ditët e sotme. Zakoni për të krijuar NJERI MIT ka bërë që shqiptarët kurrë të mos jenë të bashkuar sepse disa e mitizonin një e disa të tjerë personin tjetër, i cili, kuptohet, në kohë dhe moment të caktuar po dallohej me a angazhime. Kështu në Shqipëri vazhdon të jetohet me mitet. Dikush ka krijuar mit njeri nga Saloja dhe ai për ta është i paprekshëm. Nëse ndokush e kritikon Sali Berishën për mungesë angazhimesh në mbrojtje të të gjithë shqiptarëve kudo janë, mitizuesit e tij të bien në qafë dhe bëhesh kandidat serioz për të të shpallur spiun a tradhtar. Edhe tabori tjetër në Shqipëri ka krijuar mitin e vet dhe nëse ua kritikon për cilën do gjë Nanon do të fjalosesh keq me ta dhe nga miku i mirë do të bëhesh njeri i padëshiruar.
Hiç më mirë me NJERIUN MIT nuk qëndron puna as mes shqiptarëve të Maqedonisë. Ky ves i keq i krijimit të miteve nga njerëzit u pa shumë i dëmshëm edhe në zgjedhjet e fundit atje kur kishte edhe mitizues të vrarë. Askush nuk u përplas me të tjetët port tokat e robëruara ilire atje, por u damkosën e u sakatosën duke u shtyrë se cili njeri (mit) është më patriot se tjetri .
NJERIU MIT i ka kushtuar shumë të këqija edhe Kosovës. Në fushata u këndohen himne e mitizohen liderët, kurse Kosova dhe tërësia e saj përmenden vetëm sa për të fituar edhe ndonjë votë më shumë. Krijimi i këtyre miteve u mundësojë disa liderëve të lazdrohen e të mos prekin më në tokë sepse u bënë nga mitizuesit përmendore e kulte që nuk guxon të preken. Kur flet njeriu në Kosovë duhet të ruhet se çfarë po thotë e kë e ku po e kritikon. Po ua kritikove edhe më një mijë argumente MITIN e tyre njerëzit do të mbesin në qafë. Për këtë arsye as edhe një herë nuk kishte unifikim të ideve e angazhimeve të përbashkëta për atdheun në Kosovë. Për këtë ende pyeten të tjerët për fatin e këtij vendi të larë aq shumë me gjak e lot.
Edhe në Malësi fatkeqësisht më shumë flitet për njerëzit se për truallin. Edhe këtu u krijuan, sipas vesit të keq shqiptar, mitet për njerëzit e jo për truallin dhe për këtë arsye Malësia nuk është unike, por është e ndarë në ide, mendime e paraqitje. Ky ves i keq ua mundësojë disa liderëve, që u kthyen në mite, që të mbijetojnë e ta trashin qafën në kolltukë e në kurriz të malësorit. Mitizimi i dha hapësirë edhe Dinoshës që të rrah gjoks për patriotizmin. Ai i fascinuar nga mitizimi që i kanë bërë disa atij, mitizon Gjukanoviqin dhe e thotë me plot gojën se u ndjeka krenar pse ka jetuar në kohën e Gjukanoviqit, të cilin e vë në të njëjtën skenë e piedestal me kryetarin e parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Është i tmerrshëm u unifikimi i këtyre dy emrave. Rugova ishte pacifist dhe njeri i popullit. Ai kurrë nuk do të burgoste dikë të pafajshëm e Gjukanoviq prangosi gjithë ata malësorë vetëm pse ishin shqiptar. Ka edhe liderë të tjerë, që njerëzit duke ndjekur shembullin e Dinoshës, i kanë kthyer në mite dhe mu për këtë Malësia nuk po është unike as në këto kohë furtunash. Në Malësi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni , Kosovë Lindore e kudo tjetër në trojet shqiptare duhet hequr vesin e keq të krijimit të miteve nga njerëzit. Në vend të kësaj duhet krijuar e forcuar respektin për kombin dhe për trojet etnike. Duhet shtuar angazhimet për realizimin e amanetit sublim të gjithë atyre luftëtarëve të atdheut për unifikimin e kombit dhe truallit. Shqiptarët i kanë borxh atdheut dhe truallit shqiptar, që në shekuj e dekada është leckosur e grimcuar e njerëzit, qoftë edhe nëse kanë dhënë çdo gjë për atdheun, nuk e meritojnë të kthehen në mite. Dashuria për kombin dhe atdheun e përbashkët forcon bashkimin e kombit e mitet vetëm e përçajnë atë.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE