Flamuri i Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga dita e sotme do të qëndrojë mbi ndërtesën ku deri dje ishin Trupat Mbrojtëse të Kosovës. FSK-ja, mbrëmë në mesnatë, ka filluar misionin edhe zyrtarisht.
Në një ceremoni simbolike, trupat e FSK-së janë rreshtuar para ndërtesës në minutat e parë të ditës së sotme, me ç’rast ka parakaluar edhe komandanti i kësaj force, gjenerali Sylejman Selimi.
I veshur me uniformën e re, gjeneral Selimi me këtë rast ka thënë se kjo trupë është ndërtuar me parametrat e NATO-s dhe do të bashkëpunojë me miqtë ndërkombëtarë dhe me institucionet e Kosovës.
Forca e Sigurisë e Kosovës do të jetë forcë shumetnike dhe e krijuar në bazë të paketës së Ahtisaarit.
Ndryshe, të gjithë shtetasit e Kosovës pa dallim kombësie, religjioni dhe gjinie do të kenë të drejtë të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kështu ka njoftuar ekipi për verifikim i KFOR-it. Personat e interesuar të konkurrojnë për oficerë duhet të jenë 25 deri në 30 vjeç dhe të kenë diplomë universitare, ndërsa ata për grada të tjera 18 deri në 30 vjeç dhe duhet të kenë të përfunduar shkollimin e mesëm.
Procesi i përzgjedhjes përbëhet nga pesë faza të ndryshme, ndërsa të interesuarit duhet t’i dorëzojnë aplikacionet deri më 14 shkurt, kohë kjo kur edhe do të fillojë procesi i rekrutimit. FSK-ja do të ketë 2 mijë e 500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervistë. /ktv/