Të mëdhenjtë interesohen për Lorik Canën

Lorik Cana është preferenca e parë e Hamburgut për t’u përforcuar në mesfushë. Pasi kanë gjetur marrëveshjen për transferimin e De Jong te Mançester Siti, drejtuesit e klubit gjerman shihnin te kapiteni i Olimpik Marsejës zëvendësuesin ideal.

Megjithatë, interesimi i klubeve të mëdha evropiane për 25-vjeçarin i ka trembur zyrtarët e Hamburgut, të cilët ishin shprehur të gatshëm të paguanin deri në 16 milionë euro.

Ata zhvilluan një takim informal me Kristof Mongain, këshilltarin e Lorik Canës: edhe pse nuk u mësuan shumë detaje rreth bisedës, përfundimi është se blerja e mesfushorit shkatërrues duket e pamundur.

“Arsyeja që Cana nuk mund të afrohet te Hamburgu është sepse për këtë futbollist interesohen italianët e Interit (Hoze Murinjo e admiron lojën e shqiptarit dhe e vëzhgonte që prej periudhës kur drejtonte Çelsin), Bajerni dhe Evertoni në Premiershipin anglez”, theksonin burime pranë klubit. Ndërkohë, nga Franca vijnë lajme të mira për kombëtaren shqiptare.

Zv/kapiteni është riaftësuar pas dëmtimit në gju dhe gjatë ditës së sotme pritet të fillojë stërvitjen normale. Cana ka zhvilluar stërvitje të diferencuara që prej dhjetorit 2008, por tashmë problemi është hedhur pas shpine dhe ai do të jetë në formën optimale për sfidën eliminatore të 11 shkurtit kundër Maltës. /TCH/