Shënohet trevjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës

Në tre vjetorin e vdekjes, liderët kryesorë të vendit, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, nderuan veprën dhe punën e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Të dy së bashku bënë homazhe pranë varrit të ish presidentit duke vlerësuar se Kosova e pavarur është kontribut i punës dhe veprimtarisë politike të Ibrahim Rugovës.

Në tre vjetorin e vdekjes së tij, kryesia e LDK-së, ka vendosur që të themelojë fondacionin për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, “ Ibrahim Rugova”.

Me vlerësimet më të lartë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës , liderët kryesorë të shtetit por edhe zyrtarët partiak, e nderuan ish presidentin Ibrahim Rugova, në tre vjetorin e vdekjes së tij.

Presidenti, Fatmir Sejdiu, së bashku me kryeministrin, Hashim Thaçi , bënë homazhe tek varri i ish presidentit. Sejdiu vlerësoi se Ibrahim Rugova ishte personalitet unikat që ka dhënë kontribut deri në shkrirje për Kosovën e pavarur.

“Rugova bashkë me Adem Jasharin komandantin legjendar të UÇK-së, mbeten një binom i pashkëputshëm për luftën, rezistencën, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot falë këtyre sakrificave dhe gjithë njerëzve të këtij ideali kemi Kosovën e pavarur të njohur nga 54 shtete”, tha Sejdiu. /RTK/