SHKA Gruda përkujtoi 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 100-vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt

Sesioni shkencor i SHKA “Gruda” përkujtoi muajin e kalaur 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 100-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit të shquar shqiptar, Eqrem Çabej. Mbi këto dy data folën prof.dr. Mark Camaj, Xhoana Perkaj, Pjetër Ivezaj, mr.Rrok Gjolaj dhe Mark Dushaj. Të gjithë folësit konstatuan se këta dy përvjetorë cilësohen si ngjarje të rëndësishme për kulturën, historinë dhe kombin shqiptar.

Në praninë e një numri të qytetarëve, udhëheqësve të KU të Tuzit, por edhe të Ambasadorit të Shqipërisë në Mal të Zi, Tonin Beci, SHKA “Gruda” nga Gruda organizoi muajin e kaluar në QKI “Malësia” në Tuz dy përvjetorë të rëndësishëm të kulturës shqiptare, njërin kushtuar 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe tjetrin kushtuar 100-vjetorit të lindjes së gjuhëtarit, Eqrem Çabej.
Në emër të sesionit shkencor “Gruda” të pranishmit i përshëndeti Vitore Lulgjuraj, e cila këto dy data i konsideron si tejet të rëndësishme për popullin shqiptar.
Duke marrë fjalën i pari, Mark Camaj, në kumtesën e ti rreth Kongresit të Manastirit theksoi se fillimet e para të shkrimit shqip treguan se rruga për kristalizimin e alfabeti të gjuhës shqipe ishte e gjatë dhe e mundimishme, e vështirë dhe me plot vuajtje e sakrifica.
“Shqiptarët megjithëse gjeografikisht gjendeshin në kryqëzimin e dy kulturave qysh në fillimet e angazhimeve të tyre për alfabet të vetin kanë përqafuar abcedën latine.
Shqiptarët janë të vetmit në Ballkan që kanë filluar shkrimin e gjuhës së tyre me shkronja latine dhe e kanë ruajtur këtë traditë si mbizotëruese, derisa kaluan tërësisht në alfabertin latin. Nga koha kur dolën shkrimet e para shqipe e deri në Kongresin e Manastirit u zhvillua një aktivitet i gjerë për alfabetin e gjuhës shqipe”.
Dr. Camaj duke folur mbi rrethanat historiko-shoqërore të kohës tha mes tjerash se rrethanat ishin të atilla që nuk e lejuan përhapjen e plotë të alafabetit latin në mbarë truallin e shqipes. Sipas tij, gjysma e dytë e shekullit XIX dhe dekada e parë e shekullit XX shënoi pikën më kulmore të zgjidhjes së çështjes së albatetit të njësuar të gjuhës shqipe. Po ashtu Marku foli edhe për komisionet e zgjedhura të Kongresit. Për prof Camajn ende mbeten të panjohura diskutimet e zhvilluara në seancat e mbyllura të komisionit të Kongresit.
Duke përmbyllur kumtesën e vet, Camaj mes tjerash pohoi se vendimet e Kongresit të Manastirit konkretizuan dhe finalizuan orientimin perëndimor të politikës kulturore gjuhësore dhe kombëtare, të formuluar që në viti 1879 nga Sami Frashëri.
Folësi i radhës, Xhoana Perkaj, po mbi Kongresin e Manastirit, foli mbi pozitën kulturore të shqiptarëve në suaza europiane në kohën që i paraprinte mbajtjes së Kongresit të Manastirit dhe rolin e Kongresit të Manastirit në ruajtjen e indentitetit tonë kombëtar.
Z.Perkaj duke folur mbi pozitën e shqiptarëve në vitin 1908 sqaroi se koha kur u konvokua Kongresi i Manastirit ishte kohë kur pritej shkatërrimi definitiv i Përandorisë osmane.
“Kongresi ka qenë ai faktor i cili ka ndikuar që të vazhdojë via e drejtë e identitetit tonë burimor. Ky kongres e dëshmon lartgpamësinë e pjesëmarrësve të tij që i vetmi alfabet i shqiptarëve është ai latin”, u shpreh Xhoana Perkaj, historiane.
Sipas saj, historia e popullit tonë në gjashtë shekujt e fundit ka qenë aq dramatike, saqë i përngjan njeriut i cili gjendet në një lumë të thellë plot humnera, lumë të cilit nuk i shihen brigjet.
Edhe folësi, i radhës Pjetër Ivezaj, po ashtu historian, duke folur për të njëjtën temë (Kongresin e Manastirit) përmes referatit të tij shpalosi disa ngjarje të rëndësishme të popullit shqiptar.
Kongresin e Manastirit Ivezaj e cilëson si një ngjarje tejet të rëndësishme kulturore.
“Kongresi i Manastirit u mbajt në kohën kur pjesa dërrmuese e popullit shqiptar bënte përpjekje luftarake për çlirimin kombëtar nga okupatori shumëshekullorturk.
Kongresi i Manastirit i paraprin formimit dhe ekzistimit të klubeve të ndryshme dhe në mënyrë të konsideruar brenda dhe jashtë tokave shqiptare”, bëri të ditur Ivezaj.
Po ashtu ai përmendi edhe disa ngjarje që i kanë parapri këtij Kongresi, por foli edhe për hapjen e shkollave të ndryshme në trojet shqiptare.
Ndërkaq, mbi figurën dhe personalitetin e Eqrem Çabejt me rastin e 100-vjetorit të lindjes foli mr. Rrok Gjolaj.
“Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabejt përfshin një periudhë më se një gjysmë shekulli. Ai në fillim të veprimtarisë së tij u muar, jo vetëm me studime shkencore, por edhe me botime të tjera të nevojshme për shkollat shqipe, por ai i kushtoi rëndësi edhe folklorit dhe letërsisë artistike”, konstatoi Gjolaj duke përmendur disa botime nga fusha e gjuhësisë, folklorit dhe letërsisë artistike.
Përveç punës së pavarur shkencore dhe kontributet të shquar në veprimtaritë e ndryshme, Çabej, u shpreh më tej Gjolaj, pati bashkëpunim edhe me gjuhëtarët e tjerë të shquar shqiptarë. Në fund Gjolaj foli edhe për kontributet e tjera të rëndësishme të Çabejt në fushën e dialektologjisë, onomastikës etj. .
Për veprimtarinë e Eqrem Çabejt foli edhe Mark Dushaj, i cili tha se veprimtarinë shkencore-gjuhësore të Çabejt e dallon një sëri temash kërkimore në të cilat vihet në pah zotësia dhe thellësia e mendimit të tij.
“Duke ndjekur parimin se historia e gjuhës është edhe historia e popullit u përkushtohet kërkimeve gjuhësore. Ai veçanërisht zgjeroi dhe thelloi dituritë etimologjike. Me kërkimin e rrënjës së fjalës Çabej zbulon rrënjët e vetvetes, rrënjët e kombit shqiptar. Çabej në kërkimet etimologjike zbaton parimin, sendet dhe fjalët. Vepra e Çabejt Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe, e ndikuar nga vepra e Norbert Joklit, ka pasur si themel lëvrimin e veprave të Buzukut, Bardhit, Bogdanit, Budit”, u shpreh mes tjerash Dushaj. /Koha Javore/