E di angazhimin Tuaj politk dhe institucional, por detyrohem t’u shkruaj për një shqetësim të madh, të një pjese të shqiptarëve, që po vuajn “ kodin” mesjetar të Hakmarrjes, si një dukuri jashtëkohe, kur pretendojmë se kemi shtetin ligjor!
Edhe pse Kanuni i Lek Dukagjinit është quajt me të drejtë “ Kodi më demokratik i Evropës mesjetare”, nuk mund të shërbejë për model, në një shtet të rregulluar me ligj dhe Kushtetutë.
Në Kanun, në asnjë nen të tij, nuk thuhet të hakmerresh mbi gra dhe fëmijë, por frika e hakmarrjes është futur në një proces mjaft negativ dhe shumë shqetësues, për një pjesë të popullsisë veriore, ku teoria e ngujimit, po u merr të drejtat njerëzore më elementare, ( Kufizimin e lirisë )!
Ju lutem, deri në përgjërim, ndikoni me autoritetin Tuaj, për t’i nxjerrë në liri fëmijët e ngujuar, nga hasmëritë ordinere, sepse ata e duan lirinë, e duan shkollën, e duan jetën!
Fëmijët e ngujuem dhe të pafajshëm, engjuj të pamëkatit, t’i shpëtojmë, t’u japim siguri, shpresë e guxim për të jetue. T’i largojmë nga muret e mbyllura shekullore të errësirës dhe paditurisë, plagë që duhet shëruar sa më parë. Të ndalojmë gjamën e lotët e zemrave të plasura të nënave e motrave, prindërve e fëmijëve jetimë e bashkëshorteve, për më të dashurit e tyre dhe, mos të lejojmë që t,i mbulojë varri, para se pleqëria i kërkon të shkojnë në jetën e amshueme!
Unë që po ju shkruaj, jam anëtar i Misionarëve të Paqës kundër Hakmarrjes. Misionarët dhe banorët e Malësisë së Madhe të Mbishkodrës e mbyllën këtë plagë, me krijimin e “Besëlidhjes së Malësisë”, 6 Prill 2005. U qoftë nderimi! E ruajnë si sytë e ballit dhe me përkushtimin më të madh e zbatojnë!
Ju lutem edhe një herë, si përsonalitet i padiskutueshëm i botës shqiptare:
Ndaloni Hakmarrjen, në emër të shumë viktimave dhe, në emër të shqipëtarëve, për të mirën kombëtare, të një brezi që do ua di për nder në gjithë historinë që vjen!
Me respekt dhe nderim :
Prof. Lulash Nika Palushaj
Detroit, 30 janar 2009