Për nder të njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Komunën Urbane të Tuzit organizuan të dielën në mbrëmje spektaklin e madh “100 vjet për një ditë” me rastin e 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Të pranishmit të cilët kishin mbushur tej mase sallën ndoqën me radhë interpretimet e shoqërive artistike të ardhura enkas për këtë koncert, si “Dedë Gjon Luli”, grupi nga Çamëria, këngëtarët Dava Gjergji, Arif Vladi, Shaban Gjeka, Elizabeta Marku, Artan Kola, etj.

Tuz – Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Komunën Urbane të Tuzit organizuan të dielën në mbrëmje spektaklin e madh “100 vjet për një ditë” me rastin e 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në sallën e koncerteve të Qendrës së Kulturës së kësaj komune.
Ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, Nikollë Camaj, ambasadori i Shqipërisë në Podgoricë, Tonin Beci, kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, deputeti Ferhat Dinosha, Ministri për Mbrotjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, kryetari i Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga, si dhe të ftuarit nga Shqipëria – kryetari i Shoqatës “Kosova” Dashamir Uruçi së bashku me bashkëshorten, Esmeralda Uruçi, aktualisht nënkryetare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe ish-ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Në fjalën e tij të hapjes, kryetari i UDSH-së, deputeti Ferhat Dinosha, ndërmjet të tjerash tha: “Mirëseerdhët në festën më të madhe të historisë më të re të kombit shqiptar, në ditëlindjen e parë të Kosovës shtet. Unë e kam ditur edhe në kohët më të vështira se festat tona kombëtare do t’i festojmë bashkë. Sonte na kanë mbledhur dy unione – Unioni Artistik i Kombit Shqiptar me në krye të palodhshmin Azgan Haklaj dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, partia juaj e cila ju ka thënë sa herë se shqiptarin që jeton në Mal të Zi e gjen në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, në Preshevë e deri në Çamëri.
Sonte e kemi parë të udhës që të jemi bashkë në Tuzin e Deçiqit dhe të Dedë Gjon Lulit, dhe ta festojmë bashkë ditëlindjen e parë të Kosovës. Besoj se do ta kalojmë mirë së bashku me artistët shqiptarë të të gjitha trevave të cilët i përshëndes dhe i falënderoj që i shoh sonte të japin këtë spektakël në Tuz, me shpresë së do t’i shohim sa më shpesh në tokat tona.”
Në vijim të pranishmit të cilët kishin mbushur tej mase sallën ndoqën me radhë interpretimet e shoqërive artistike të ardhura enkas për këtë koncert, si “Dedë Gjon Luli”, grupi nga Çamëria, këngëtarët Dava Gjergji, Arif Vladi, Shaban Gjeka, Elizabeta Marku, Artan Kola, etj.
Ndërsa nga ana e tij, Presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, në një nga pauzat e këtij spektakli, u shpreh:
“U kemi sjellë sonte krushqit e Kosovës me lirinë nuse. Tashmë pas 100 vjetësh në mileniumin e ri festojnë ditëlindjen e parë të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë dasëm janë bashkë binjakët e lirisë si Dedë Gjon Luli dhe Isa Boletini, është bashkë me ne sonte Adem Jashari dhe Azem Hajdari, është mendja e Ibrahim Rugovës dhe e Ferhat Dinoshës. E filluam nga Tuzi, nga Kuvendi i Deçiqit, sepse në vitin 2006, nga aktiviteti spektakolar në sheshin “Skënderbej” i titulluar “Një komb, një qëndrim” kushtuar Kosovës, ne bëmë thirrje që shqiptarët të bashkohen në Referendumin e shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia, vetëm 3 ditë para zhvillimit të tij.Ky ishte preludi i parë i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, më 17 shkurt, tek Isa Boletini në Mitrovicë, tek Ali Ahmeti në Shkup. Por jemi edhe për t’u thënë vëllezërve të Çamërisë se ëndrra e Bilal Xhaferrit do të bëhet realitet. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe sepse, siç thoshte një shekull më parë i madhi Hasan Prishtina, Dhe sot jemi më krenarë se kurrë sepse për 10 vjet, me ideatorin shqiptar Sali Berisha, me idetë e tij të hedhura në sheshin “Skënderbej”, ”Një komb, një qëndrim”, mundësuam që të jemi së bashku sot. Jemi krenarë se jemi në mes të flamujve të NATO-s. Ne, sakrifikues sa Krishti dhe paqësor sa Muhamedi, duhet të jemi të gjithë bashkë në një trung të vetëm për ta përmbyllur me sukses ëndrrën tonë, çështjen shqiptare.”
Më pas Haklaj, në mes të duartrokitjeve dhe ovacioneve të fuqishme në sallë i dorëzoi z. Ferhat Dinosha Titullin e Nderit “Pjetër Bogdani” në emër të këtij unioni me këtë motivacion: “Për kontribut të shquar në mbrojtjen e simboleve kombëtare, kontribut të gjithësishëm për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga qeveria e Malit të Zi. Për një rol të spikatur në forcimin e faktorit shqiptar si dhe në mbështetjen që i ka dhënë Unionit Artistik të Kombit Shqiptar për unifikimin kulturor e shpirtëror të kombit tonë.”
Ka përshëndetur të pranishmit me këtë rast edhe Ambasadori i Shqipërisë në Malin e Zi, Tonin Beci.
“Festa si këto nuk kanë nevojë për protokoll. Sot është një ditë e shënuar për të gjithë, festojmë atë që është festa e të gjithëve. Sot kombi shqiptar ka arritur një zgjidhje, atë që quhet jetesa fizike. Unë mendoj se kombi shqiptar, pas shumë shekujsh e arriti. Nuk ka rëndësi se në çfarë date do të anëtarësohemi në NATO, por ajo zgjidh përfundimisht luftën e shqiptarëve për mbijetesë. Me pavarësinë e Kosovës, çështja shqiptare përfundimisht është futur në zgjidhje të plotë. Unë besoj se pas zgjidhjes së mbijetesës vjen çështja e dytë; që të bindim botën dhe ata të cilët na kanë akuzuar për atë që gjoja nuk jemi të aftë të bëjmë; për ndërtimin e shtetit. Sot shqiptarët kanë nevojë t’i tregojnë botës se janë të aftë plotësisht të ndërtojnë shtetet e tyre. Edhe një herë të gjithëve gëzuar, urime dhe gëzime të tilla na mbledhshin gjithmonë.”
Në mbyllje të këtij spektakli që zgjati më se dy orë, organizatorët shtruan një drekë për nder të të ftuarve në Podgoricë.
Të martën, në 1-vjetorin e shpalljes së shtetit të Kosovës, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar ka dhënë spektaklin e dytë dhe finalizues në Mitrovicë. / Arben Lagreta – Koha Javore /

KOMENTOJE