Kur shqiptarët e Shqipërisë së Jugut, para një shekulli, shkelën trollin e kontinentit amerikan, u vendosën në Boston. Ky qytet i njohur për vlerat e tij historike dhe intelektuale- u dha mundësi emigrantëve shqiptarë të përparojnë ekonomikisht dhe kombëtarisht. Në përpjekjet e tyre që të mbajnë gjallë lidhjet me atdheun, ata botuan gazetën Dielli dhe, pak vjet më vonë, themeluan Federatën Pan Shqiptare ” Vatra”. Bostoni është qendër e dy universiteteve më të njohura botërore- Harvardi dhe Instituti i Teknologjisë.
Përveç njerzëve të rëndomtë, si krah pune, këtu arritën edhe patriotë dhe intelektualë të njohur shqiptarë : Sotir Peci, Petro Nini Laurasi, Fan Noli, Faik Konica, Kost Çekrezi e të tjerë. Bostoni për shumë vjet është i njohur si “Kryeqyteti i shqiptarëve në Amerikë”. Në vitin 1907 kishte 700 shqiptarë, nga 600 mijë sa kishte gjithsejt ky qytet.
Bostoni është edhe qyteti i themelimit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe i shoqërive dhe gazetave të tjera shqiptare, me fjalë të tjera, djepi i kulturës shqiptare në Amerikë.
Gazeta “Dielli” pa dritën më 15 shkurt 1909. Kjo gazetë vinte pas gazetës “Kombi”, e cila ishte drejtuar nga intelektuali Sotir Peci e në të cilën kishte punuar edhe F. Noli. Gazeta “Dielli” me Nolin e Konicën për një kohë të shkurtër u afirmua në gjithë botën shqiptare ngaqë kjo mirrej me tema thelbësore kombëtare. Më 1912, kur u themelua Federata “ Vatra”, “Dielli” u bë organ zyrtar i kësaj federate. Kjo gazetë filloi të depërtojë në të gjitha vendet ku ndodheshin shqiptarët në Amerikë dhe në kolonitë tjera shqiptare në botë. “Dielli” për shkak të reputacionit që kishte- për një kohë u dërgua edhe në Shqipëri, derisa këtë e lejuan rrethanat politike, që shërbeu si një urë e fortë e lidhjeve në mes shqiptarëve të Amerikës dhe Shqipërisë. Kjo gazetë informativo-tematike, ushtroi influencë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare për pavarësi dhe, njëherësh, nuk la anash, nevojën e konsolidimit të një shtetit demokratik shqiptar, ku atij populli të përvuajtur do t’ i sillte lumturi. Në gazetën Dielli punuan personalitete të njohura të kulturës, politikës dhe diplomacisë shqiptare, si Fan Noli, Faik Konica, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi, Sotir Peci, Athanas Gegaj etj.
Për një shekull të ekzistimit të tij, “Dielli” kaloi nëpër shumë vështirësi materiale e probleme të tjera të llojeve të ndryshme (deri te çështjet politike). Gjatë shfletimit të disa numërave të “Diellit” më ra në sy shembulli i lartë i vëllezërve Luc dhe Gjek Gjonlekaj, të cilët me ndihmën që i dhanë kësaj gazete (12 mijë dollarë) më 1986 e nxorën nga kriza, që ishte buzë mbylljes. Lidhur me këtë akt shembëllues po paraqes disa fragmente nga autorë të ndryshëm të shkruar në gazetë.
* * *
Në një editoral të kryeredaktorit të gazetës Dielli, Xhevat Kallajxhi, lidhur me kontributin e vëllezërve Gjonlekaj, thekson për opinionin e gjerë shqiptar,se ky është edicioni i dhjetë i kësaj gazete që botohet me shpenzimet e tyre, që nga 16 janari e deri me 1 korrik të këtij viti.
Ky është një akt bujar, i cili do të hyjë në analet e historisë së kësaj gazete dhe të komunitetit shqiptar në Amerikë. Shpenzimet për botimin e një numri të Diellit, siç thotë Kallajxhi, kanë qenë 950 dollarë. Me fjalë të tjera botimi i Diellit për gjashtë muaj, përkatësisht për 12 numra do të kushtojë 11,400 dollarë! Natyrisht se kjo mund të jetë një shumë e madhe edhe për një të pasur. Vëllezërit Gjonlekaj i kanë dërguar çeqet kurdoherë, disa ditë përpara se të nxirrej gazeta nga shtypshkronja, në mënyrë që “Vatra” t’ i ketë paratë në dorë, apostrofohet në këtë shkrim.
Më tej, Kallajxhi thekson: ” Sa dimë ne, kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë në historinë e “Vatrës”. Nuk e kemi fjalën për shqiptarët e emigracionit të vjetër, se ata janë dalluar për bujarinë dhe sakrificat e tyre, por e kemi fjalën për pjesëtarët e emigracionit të ri, për ata që kanë filluar të vijnë në Amerikë në periudha të ndryshme pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka dyshim se në radhët e shqqiptarëve të emigracionit të ri, që janë anëtarë të “Vatrës”, ka edhe të tjerë që kanë dhënë ndihma bujare për “Vatrën” dhe Diellin- n, dihma që arrijnë në mijëra dollarë, por ndihmat e tyre i kanë dhënë në periudha prej 15- 20 vjetësh, kurse Vëllezërit Gjonlekaj po e japin kontributin e tyre në një kohë prej gjashtë muajsh”. Duke ven në dukje rëndësinë e këtij aksioni në një situatë tejet kritike për gazetën Dielli, Xhevat Kallajxhi nënvizon se ata janë të parët në këtë kohë që marrin një nismë të tillë, e cila duhet të përkrahet dhe admirohet nga të gjithë ata që e duan atdheun dhe kulturën shqiptare.
“Në numrin 18 të fletorës Dielli (16 janar 1986) lexova një shënim, në të cilin thuhej se dy vëllezërit Gjek dhe Luc Gjonlekaj, kanë marrë përsipër të paguajnë shpenzimet e botimit dhe të shpërndarjes së Dielli-t për një periudhë gjashtë mujore”, shkruante inelektuali i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan të New York-ut, Dr. Sami Repishti.
“Gjesti fisnik i vëllezërve Gjonlekaj u kuptua mirë e shpejtë nga të gjithë lexuesit e Diellit. Kjo vepër bujare më mbushi me gëzim dhe në këto ditë të vështira për shtypin shqiptar në Amerikë, e Dielli-n veçanërisht, veprimi i dy vëllezërve merr një kuptim të dyfishtë: bujari dhe patriotizëm”.
Dr. Sami Repishti në artikullin e tij të botuar pas kësaj inisiative të vëllezërve Gjonlekaj bën fjalë edhe për prejardhjen, duke theksuar se ata janë nga Malësia e Madhe, nga ajo pjesë e malësisë që gjendet në veri dhe veri-lindje të Shkodrës, dhe që për fatin e keq të saj, u shkëput nga Shqipëria dhe iu dha padrejtësisht Jugosllavisë, që nga viti 1912-1913.
Kryetari i”Vatrë” Dr. Andreë Elia,në edicionin e gazetës “Dielli” të datës 16 maj 1986, në një artikull të botuar në gjuhën angleze flet me admirim për kontributin e Vëllezërve Gonlekaj. Nga ky shkrim shkëputem këtë fragment “: Vëllezërit Gjonlekaj e mbajten fjalën. Jemi prekur shumë për këtë kontribut që dhanë për botimin e gazetës dhe nuk mund të feshehim kënaqësinë tonë për këtë bujari kaq të madhe, e cila vjen nga bindjet e tyre atdhetare dhe zemrat bujare. Oferta e tyre nuk ka asnjë motiv tjetër veç jetëzgjatjes së gazetës sonë. Ky është një akt patriotik dhe një ndërmmarrje e guximshme. Kjo vepër pasqyron më së miri natyrën e shpirtit të tryre. I falenderojmë dhe i urojmë për këtë ndërmarrje të rëndësishëm shoqërore”.
Me kërkesën e zotit Elia, gazteta Dielli botoi letrën e vëllezërve Gjonlekaj. Ky kishte kërkuar që Vëllezërit Gjonlekaj, të japin më shumë njohuri mbi jetën dhe veprimtarinë e tyre.
“Ne lindem në Triesh që është një trevë në Malësi të Mbishkodrës afër Bregut të lumit Cem-pushtuar nga jugosllavët. Në vitin 1970 emigruam në SHBA. Prej atëherë kemi qenë përkrahës të sinqertë të gazetës Dielli, për të cilën mësuam gjatë shkollimit tonë në vendlindje dhe në Kosovë. Shqiptarët etnik janë krenarë për veprimtarinë e kësaj gazete, e cila për afro 80 vjet me radhë jetoi me të mirat dhe vështirësitë e popullit tonë të shumëvuajtur”, shkruajnë vëllezërit Luc dhe Gjek Gjonlekaj.
Në çerekun e parë të këtij shekulli Dielli dhe “Vatra” kontribuan në mënyrë të shkëlqyeshme për p
avarësinë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Megjithatë, për fatkeqësinë tonë, thonë ata, gjysma e tokave arbërore dhe e popullit shqiptar mbeten nën pushtimin jugosllavo-grek. Qëllimi më i shenjtë dhe më ideal i racës arbërore-domethënë bashkimi kombëtar- akoma nuk është realizuar. Ky është dhe do të jetë misioni kryesor i racës shqiptare”, është thirrje e vëllezërve Luc dhe Gjek Gjonlekaj.
S’ ka dyshim se prej disa vjetësh Dielli po lëngon, kryesisht për çështje financiare. Do të ishte mëkat që pothuaj 300 mijë shqiptarë të Amerikës të lejojnë që një gazetë si kjo të mbyllej. Duhet të ndiqet shembulli i grupeve të tjera etnike, të cilat nxjerrin gazeta, pothuaj edhe të përditshme. Zotimin për ta ndihmuar Diellin e moren në Kuvendin e fundit të “Vatrës” që u mbajt në Boston, nëe shtator të vitit 1985. “Jemi shumë të lumtur që patem mundësi ta mbajmë këtë premtim”, theksohet në shkrimin e vëllezërve Gjonlekaj, të cilët i bënë thirrje komunitetit shqiptar se një gazetë, siç është “Diell”, është e nevojshme për të mbajtur gjallë ndjenjen kombëtare, traditën dhe kulturën.
Nga Muhamet Mjeku