“Një vend, një popull, një ëndërr”, është festa e madhe në të cilën bashkia e Tiranës fton gjithë qytetarët për të ndarë së bashku realizimin e një ëndrre të madhe. Anëtarësimin në NATO. Koncerti festiv zhvillohet nesër, të shtunën, në orën 18:00, në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”.
Për 5 orë, këngëtarë të njohur të rrymave të ndryshme muzikore do të performojnë, të shoqëruar nga grupe të baletit modern. Stine, Produkt 28, Mariza Ikonomi, Julka e shumë artistë të tjerë, do këndojnë në këtë ditë feste për të gjithë Shqipërinë.
“West Side Family” me një recital të përzgjedhur nga këngët e tyre të suksesshme do të përshëndesin festën e hyrjes së Shqipërisë në NATO.
Pranë Galerisë së Arteve, fëmijët do të gjejnë një skenë të ndërtuar vetëm për ta.
KARAOKE e vendosur në fillim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pranë Parkut “Rinia”, nga ora 18:00 e në vazhdim do të bëhet skena zbuluese e “talenteve te reja”.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nuk do të lejohet qarkullimi për automjetet, nga ora 12:00 e në vazhdim. /Shekulli/