Letër përshëndetëse nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” – Pejë e Kosovës

I nderuari At Anton Kçira, i nderuari vëlla Fran Gjoka, përshëndetje vëllazërore nga Shoqata jonë dhe nga unë zëdhënësi i saj, Ju lusim të përshëndetni nga ne gjithë vëllezërit tonë pjesëmarrës në takimin Tuaj madhështor në kujtesë të 98 vjetorit të njërës prej ngjarjeve madhore për kombin tonë.

Unë personalisht, por edhe qindra e qindra anëtarë të Shoqatës jemi ndjerë krenar për ftesën që më kishit bërë për të qenë mes Jush e për t’u bërë pjesë e kujtesës për angazhimet sublime të Dedë Gjo Lulit e trimave tjerë të Malësisë në merr të lirisë së kombit tonë. Ne kishim bërë gjithë angazhimet dhe kishim paguar taksa shtesë nga fondi i vogël i Shoqatës për të bërë gati dokumentacionin me kohë. E bëmë këtë dhe ditët na shkonin duke kuvenduar e duke zgjedhur fjalët më të bukura për t’i thënë në fetën Tuaj e tonën, por kjo nuk u realizua nga shkaku i tekave të një zyrtari në Ambasadë. Ky gjest i tij dhe mohimi i ftoftë, na preku dhe për momentin na solli dëshpërim, por e gjitha na u kthye në forcë për angazhime të reja.

Juve ju përgëzojmë dhe shprehim admirimin tonë për gjithë punën që po bëni në shërbim të Zotit dhe për unitetin e kombit tonë. Ju garantojmë se edhe në këto largësi të mëdha gjeografike ne jemi me Ju . Ju garantojmë se me gjithë forcën tonë intelektuale do të jemi në angazhime për të mbetur zë i Malësisë dhe për Malësinë. Do të vazhdojmë me aktivitetet kulturore, sportive e arsimore duke krijuar ura të reja të bashkëpunimit vëllazëror mes shqiptarëve të Kosovës dhe vëllezërve tonë të një gjuhe e të një kombi në të gjitha trojet tona etnike. Këtë do ta dëshmojmë duke i dhënë bukuri muajt prill me Manifestimin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë”. Ai edhe këtë vit në Pejë, Dukagjin e Kosovë do t’i bashkojë në një këngë, valle , në një lojë sportive e në një sofër vëllezërit nga trojet etnike duke kultivuar kështu frymën e dashurisë vëllazërore dhe duke kultivuar e ruajtur vlerat e larta të traditës së kombit tonë.

Ju garantojmë se me ndihmën e Zotit dhe të njerëzve të vullnetit të mirë do të vazhdojmë të jemi një ambasadë e vogël e Malësisë dhe e trojeve tjera etnike duke ngritur zërin në emër të tyre dhe në mbrojtje të të drejtave, që po u nëpërkëmbën nga tekat sllave.

Ju lusim të mos na harroni, sepse përkrahja juaj morale, me fjalë vëllazërore, e kur të mundeni edhe me anën materiale, do të jetë forcë për ne për të vazhduar rrugëtimin në mbajtjen gjallë të urave të vëllazërisë mes trojeve etnike.

Paçi ndihmën e Zotit dhe Ju priftë e mbara në punë e jetë të gjithë Juve vëllezër e motra të nderuara!

Vëllai i Juaj, Rrahman Jasharaj,

Zëdhënës i Shoqatës së Vëllazërisë

Kosovë- Malësi e Madhe

“Martin Dreshaj”

Përshëndetje vëllazërore për të gjithë Ju edhe nga

Kryetari i Shoqatës Ukshin Jashari, sekretari i përgjithshëm Frashër Rraci, nga nënkryetarët : Sali Lukaj, Pal Dreshaj, Ali daci, Rexhep Abazi , Ismet Demaj dhe nga gjithë anëtarët e Shoqatës.

KOMENTOJE