Në çdo fillim të majit Evropa kremton festën e saj të ngadhënjimit ndaj errësirës në vitet e largëta të shekullit të kaluar. E kishin sulmuar me të gjitha mjetet e mundshme shtetet e Evropës dhe botës errësirën për t’i hapur rrugë rrezeve të diellit. Evropa edhe në këtë 9 maj do ta festojë ditën e saj e kësaj feste do t’i bashkohen edhe shqiptarët ne Shqipëri, Kosovë e trojet tjera etnike. Shumë dekada kanë kaluar nga viti kur u nis me këtë festë dhe Evropa e dehur nga triumfi dhe nga bindja se nuk ka më errësirë dhe urrejtje filloi të bashkohej e të krijonte Unionin e saj. Ajo nuk e pa, apo nuk deshi ta shihte, se në një pjesë të sajën, që e la anash e pa kujdes, po vazhdonte të kultivohej e të rritej me kujdes fashizmi. Ky është fashizmi modern sllav, që u krijua e vazhdon të rritet në inkubatorët e vendosur në Beograd, për t’u shpërndarë në Mal të Zi e në vende t ë tjera ku ka serb, gjegjësisht ku ka sllav. Të përballurit me këtë fashizëm e paguan mijëra familje në Bosnjë. Mijëra njerëz të pafajshëm u vranë në Srebrenicë vetëm pse nuk ishin serb. Makineria vrastare e fashizmit sllav vazhdoi rrugëtimin e demonëve drejt Kosovës dhe në listat e tyre kriminale të vrasjeve u shtuan edhe 20.000 jetë. Fashizmi sllav po kërkonte gjak të ri. Kësaj urrejtje patologjike i doli përball një ushtri e dalë nga gjiri i popullit. UÇK-ja hapi fronte betejash të lavdisë për ta ndalur turrin e demonëve fashistë nga Serbia. Kjo nuk mjaftonte dhe u deshtë një botë e tërë demokratike të përballej për më shumë se 87 ditë me hijet e zeza që po ndjellshin katrahura e vdekje në këtë pjesë të Evropës. Fashizmi modern i krijuar në inkubatorët e Beogradit u gjunjëzua, por nuk u zhduk. Ai duket në skenë çdo ditë dhe atë ,herë në Mitrovicën e Veriut, herë në Malësi e herë në vendbanimet e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ky fashizëm vazhdon të jetojë e të trashet pa qenë i penguar as me fjalë nga liderët shqiptarë e as me mënyra të tjera nga Evropa e shekullit 21.
-Faktori shqiptar dhe fashizmi sllav
Liderët shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, pas pavarësisë, dhe në trojet tjera etnike, fatkeqësisht , as me fjalë nuk janë munduar të angazhohen kundër fashizmit modern sllav. Në Mitrovicën e Veriut ky fashizëm defilon me të gjitha ngjyrat e tij të zeza dhe as Evropa e as institucionet vendore nuk kanë bërë gjë për ta shuar. Edhe më keq po këto institucionet ndërkombëtare dhe vendore i kanë dhënë çdo privilegj bartësve të këtij fashizmi dhe e kanë shpallur gjuhën serbe zyrtare në Kosovën e zhuritur nga serbët e nuk kanë pyetur edhe asnjë herë pse në Mal të Zi gjuha shqipe po degradohet nga pushteti atje edhe pse në përqindje shqiptarët e administruar nga malazezët ia kalojnë përqindjes së serbëve në Kosovë. Institucionet e Kosovës me veprimin e tyre përkëdhelës ndaj serbëve kanë shkelur rëndë mbi të drejtat e popullit shumicë (shqiptarëve), që lirinë e paguan me gjak e me sakrifica sublime, por edhe mbi të drejtat e pakicave, që Kosovën, që nga ditët e para të pasluftës e kishin pranuar si shtet të tyre, pa kërkuar privilegje, si kanë kërkuar e vazhdojnë të kërkojnë serbët. Liderët në Shqipëri , Kosovë e trojet tjera etnike , vazhdojnë me sharjet e bërrylat kundër njëri- tjetrit, por nuk kanë guxim e as forcë, që së paku, të bëjnë me gisht drejt fashizmit modern sllav. Serbia dhe Mali i Zi janë kthyer në burgje për shqiptarët. Ato janë kthyer edhe në forca që bëjnë çmos për ta vrarë rishtazi Kosovën duke i bërë bllokada e duke u munduar ta vrasin, si dikur me armë, tani me skamje e uri. As Evropa e as faktori shqiptar në dy shtetet, shpesh formale, nuk po bëjnë gjë kundër ekzistimit të këtij fashizmit modern sllav. Urojmë që të mos ngjaj si në shekujt e kaluar, që këtij fashizmi t’ia shohin sherrin Ballkani dhe jo vetëm ai. Lexues i dashur në fund po të rikujtoj edhe vetëm një moment të vogël. Po të hidhnin shqiptarët koktej “Mollotov” mbi makinat e ndërkombëtarëve, në lajmet qendrore do të përmendeshin persona të vdekur. Serbët sa e sa herë kanë hedhur bomba, koktej “mollotov” e madje, si ishte rasti në Kastrat ( ish Gorazhdevc), fshat i banuar me serbë, afër Pejës, serbët sulmuan edhe dy krerët kryesorë ndërkombëtarë , atëbotë në Kosovë, Komandantin kryesor të KFOR-it dhe shefin , atëherë, të UNMIK-ut, por kaluan pa therë në këmbë.
Fashizmi modern serbë do të jetojë duke gllabëruar lirinë e shqiptarëve në Ballkan sot e me siguri nesër duke rrezikuar paqen në këtë pjesë të Evropës. Këta demonë të së kaluarës duhet ndalur sot se nesër bëhet vonë.
Rrahman Jasharaj