Venezuela përfshihet në diskutimin për Kosovën

Venezuela është përfshirë në diskutimin për pavarësinë e Kosovës që zhvillohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Siç bën të ditur B92, deponimi i deklaratës (argumentimit) me shkrim të këtij shteti në GJND, është pranuar edhe pse ai është dorëzuar pas afatit të caktuar për pranimin e argumenteve të tilla.

Venezuela, sikur edhe shumica e shteteve të Amerikës Latine, nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, dhe supozohet se – përkundër faktit që përmbajtja e këtyre deklaratave nuk është e njohur për opinion – ky shtet të jetë pozicionuar kundër pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të burimeve të B92, pritet që pavarësinë e Kosovës në GJND të mbështesin 22 shtete, kundruall 15 shteteve, që thuhet të jenë pozicionuar kundër pavarësisë së saj.

Po ashtu bëhet e ditur se argumentimin më voluminoz kundër pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, krahas Serbisë, e kanë parashtruar edhe Argjentina, Spanja, Rusia dhe Qiproja.

Pos thirrjes në të drejtën ndërkombëtare, që – siç thuhet – nuk lejon shkëputjen e Kosovës nga Serbia, Qiproja në deklaratë ka përfshirë edhe një mori regjionesh në Evropë – të cilët, sipas këtij shteti, nëse GJND megjithatë deklarohet pro-pavarësisë së Kosovës, do të mund të ndërmerrnin një veprim të tillë separatist.

Ndërkaq, Moska, siç thuhet, ka potencuar faktin se, “nuk është plotësuar asnjë kusht që Kosova të trajtohet si rast i veçantë” në drejtësinë ndërkombëtare.

Megjithatë, të kundërtën e pohojnë një mori shtetesh, në krye me Slloveninë. Në deklaratat e këtyre shteteve theksohet se Kosova është rast i veçantë, që nuk do të shkaktojë pasoja ligjore për shtetet të tjera në të ardhmen.

Argumentimin më të fortë në favor të pavarësisë së Kosovës, siç kanë bërë të ditur burimet e këtij mediumi, e kanë dhënë SHBA-të, Britania e Madhe, dhe vetë Kosova, që përfaqësohet nga britaniku Michael Wood.

Edhe pse deklaratat e deponuara në GJND nuk bëhen publike për opinion, ato tashmë u janë bërë të ditura shteteve pjesëmarrëse në këtë diskutim, të cilat, deri më 17 korrik duhet t’i komentojnë qëndrimet e shteteve të tjera, dhe atë në formë të shkruar.

Para se të japë “mendimin këshillëdhënës” për pavarësinë e Kosovës, GJND do të organizojë edhe një diskutim gojor, që pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/