Joseph Biden në Kosovë: Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju!

Pavarësia, opsion i vetëm –

Joseph Biden ka mbajtur fjalimin në Kosovë duke shprehur optimizmin e tij të madh për krijimin e një demokracie shumetnike. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Bidenin me Medaljen e Lirisë, ndërsa kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova do të vazhdojë rrugën e saj në ndërtimin e demokracisë dhe një shteti funksional.

Nënpresidenti i SHBA-së, Joseph Biden, ka thënë në një fjalim në Parlamentin e Kosovës se rruga e kosovarëve për pavarësi ka qenë e gjatë dhe e dhimbshme. Kosova, sipas Biden, ka përjetuar spastrimin më të madh etnik pas Luftës se Dytë Botërore nga regjimi i diktatorit Sllobodan Millosheviq.

“Pavarësia e Kosovës ishte opsioni i vetëm. Pavarësia e juaj është e pakthyeshme, absolutisht e pakthyeshme”, ka thënë Biden, për të marrë më pas duartrokitjet e deputetëve, në seancën solemne.

Pavarësia një proces i pakthyeshëm

Nënpresidenti amerikan, Joseph Biden ka siguruar të enjten edhe njëherë në Prishtinë se njohja e pavarësisë së Kosovës është një proces i pakthyeshëm, nuk do të ndryshojë dhe se Kosova është një e plotë dhe e pandashme.

Këto komente numri dy i SHBA-ve i bëri pas takimit me udhëheqësit më të lartë të vendit – presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.

“SHBA të e kanë bërë të qartë që njohja e pavarësisë së Kosovës është një proces i pakthyeshëm, ajo nuk do të ndryshojë. Dhe nën dy është ajo që një Kosovë e plotë e pandarë është kërkesa minimale dhe shumë esenciale sipas rregullave të Amerikës”, tha ai.

Biden vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka bërë përparim të konsiderueshëm në vitin e parë, duke thënë se është e mrekullueshme që për një vit të arrihet ky përparim që është bërë. Por ai kërkoi që të vazhdohet me këtë sukses, duke thënë se “përderisa të ketë sukses dhe pandashmëri ju mund të llogaritini në mbështetjen e SHBA-ve”.

Biden mbërrin në Kosovë


Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden arriti sot në Prishtinë. Biden, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u prit nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Skender Hyseni, ambasadorja e SHBA-ve Tina Kaidonow dhe zonjat Sejdiu dhe Thaçi.

Aeroplani i Bidenit “Air Force 2” ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës në orën 9:40 minuta, ku nënpresidentin Biden e ka pritur edhe një poster prej 100 metrash katror me flamurin amerikan – i përgatitur nga menaxhmenti i ANP-së – që i uronte atij mirëseardhje.

Prej Aeroportit Biden ka fluturuar me helikopter drejt bazës së KFOR-it në Prishtinë, prej nga me makinë ka shkuar drejt Kuvendit të Kosovës, ndërsa rrugës është pritur nga mijëra qytetarë.

Në agjendë të Bidenit është takimi me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, ndërsa më pas do tu drejtohet me një fjalim edhe ligjvënëseve kosovarë. /Telegrafi/Express/REL/QiK/