Raport gazetaresk nga Klina e Kosovës – Manifestimi I këndojmë Lirisë

Mujë Krasniqi- zë i trojeve etnike

Klina e Dukagjinit ka arritur edhe këtë vit që në mënyrën më dinjitoze ta lartësojë kujtimin për dëshmorët e kombit. Kujtimi më i ndritur për komandantin UÇK-së, Mujë Krasniqi u bë , ashtu si kishte dëshirë ai, përmes këngës e valles shqiptare. Veshjet kombëtare dhe kënga e pastër shqipe kishin shpalosur faqet e historisë dhe në Klinën e vogël ishin bërë bashkë gjithë trojet. Ky Manifestim i bukur e tregoi edhe këtë herë se shqiptarët kur janë bashkë janë më të mirët. Flamuri kombëtar dhe mbishkrimet e të gjitha trojeve tona po prinin e rapsodët po ngjallnin kujtimet për Mujën dhe dëshmorët e tjerë. Ky Manifestim është mënyra më e bukur e shprehjes së respektit ndaj atyre që lirisë i thuren këngët më të bukura, ndaj atyre që iu bën krah lirisë dhe atdheut me zërin e këngës dhe të pushkës. Ky Manifestim e bëri Klinën e vogël për nga sipërfaqja, por fort të madhe për nga zemra dhe mikpritja, kryeqytet të gjithë shqiptarisë. Shqiptarët duke admiruar veprën e skulptorit po përkuleshin para kujtimit për Mujë Kapuçin dhe dëshmorët e tjerë të kombit. Klina tregoi se di të respektojë e nderojë bijtë më të mirë. Klina tregoi se di të organizojë Manifestime të mëdha. Tregoi se di ta ruaj kujtimin për të kaluarën e ndritur. Tregoi se di ta ruaj e kultivojë këngën e pastër e të bukur shqipe. Për tri ditë me radhë ishin bashkë trojet e Klina bëri që këto troje të vazhdojnë të jenë bashkë ndër dekada e shekuj. Në Kosovë e Dukagjin u bënë bashkë Shqipëria me gjithë qytetet e saj. Ishin aty edhe Malësia e Madhe me gjithë Hotin, Grudën, Kojën e Trieshin. Ishin edhe Kosova Lindore e Çamëria.
Te publiku i shumtë në Klinë kanë lënë përshtypje veçmas apelet përmes këngës që të unifikohet kombi e të mos lejojnë që Medvegja të mos mbetet nën Serbi dhe që të punohet me dije e pendë në mënyrë që të vihet në jetë amaneti sublim i rapsodit e dëshmorit të lirisë Mujë Krasniqi për BASHKIMIN KOMBËTAR.

“E kemi nisur me ndrojtje ardhjen në Kosovë në nga Ansambli “Shpëtimi”, por pritjet që na jenë bërë në Dukagjin nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” na kanë dhënë forcë të punojmë dhe ruajmë folklorin autokton të Kosovës Lindore”, është shprehur në bisedën ekskluzive për malësia.org, prof Rexhep Abazi. Ai ka premtuar se Ansambli, që ai drejton, pjesën tjetër të festës së madhe do ta vazhdojë në Prizrenin e historisë në kuadër të valles së madhe që niset nga Dukagjini për t’i bërë bashkë e në një festë trojet etnike.
I emocionuar me këtë ngjarje të madhe kulturore e atdhetare ishte edhe Ilir Selba bashkë me Ansamblin nga Tirana.
“ Këtu po lidhen penjtë e atdheut. Do të kemi bashkëpunim të shkëlqyer edhe në të ardhmen me Ansamble e Shoqata nga Kosova.Bashkë trojet do ta sjellin e ruajnë këngën e vallen e bukur shqipe. Këto pamje të bukura janë dëshmia më e mirë se shqiptarët janë tok ne në një sofër. Janë dëshmia më e mirë se ata e ruajnë respektin për trimat e lirisë dhe për vlerat e larta të kulturës shqiptare. Në Klinën e Mujë Krasniqit po jehon kënga dhe zëri i përbashkët i trojeve shqiptare. Këto troje sot po lartësojnë kujtimin për bijtë më të mirë të këtij nën qielli që të udhëhequr nga flamuri kombëtar e të stolisur me shenjën madhore të UÇK-së i sollën lirinë këtij vendi”, shprehet për malësia.org, Selba.
Në Festivalin “I këndojmë Lirisë” shpallja e rezultateve nuk kishte rëndësi për publikun. Ishte e rëndësishme se kujtimi për komandantin e UÇK-së, Mujë Krasniqi, i bëri, edhe një herë bashkë, këngëtarët e valltarët nga trojet shqiptare. Ishte i rëndësishëm mesazhi RRNOFTË BASHKIMI KOMBËTAR. Këtë mesazh e tha zëshëm Klina, Dukagjini, Kosova, Shqipëria dhe gjithë trojet etnike. Ky mesazh do të gjej fuqinë edhe në Prizrenin e historisë në 131 vjetorin e Lidhjes së Madhe.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE