Karate Team Ulqini shkëlqen në Dubrovnik

Karate Team “Ulqini” mori pjesë me sukses në dy turne ndërkombëtare të karatesë

Karate Team “Ulqini”, i përbërë nga karateistët e klubeve “Ulqini” dhe “Albulena”, mori pjesë në dy turne ndërkombëtare të karatesë: në Turneun e VI ndërkombëtar të karatesë “Dubrovnik Open”, i cili u mbajt në Dubrovnik më 13 qershor të këtij viti dhe në Turneun e IX përkujtimor të karatesë “Xhevat Makolli”, i cili u mbajt më 7 qershor në Prishtinë.
Ekipi i Karate Team “Ulqini” në Dubrovnik u kurorëzua me 12 medalje: 5 të arta, 5 të argjendta, 2 të bronzta dhe 7 kupa. Në këtë garë morën pjesë 16 klube me 250 garues nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia, ndërsa Karate Team “Ulqini” u paraqit me 10 garues të gjeneratave të ndryshme: 2 shpresa, 2 kadetë dhe 6 juniorë.

Nga Karate Team “Ulqini” në këtë garë me medalje dhe kupa u shpërblyen këta garues: me nga një medalje të artë dhe nga një kupë u kurorëzuan Petar Barlloviq, Diamant Rexha, Viktor Curoviq, Dardan Ceka dhe Albion Duraku, me një medalje të argjendtë dhe një të bronztë u kurorëzua Blerta Tahiri, Besnik Adoviq, i cili garoi në kategorinë e rëndë dhe në atë open u kurorëzua me një medalje të argjendtë, një të bronztë dhe dy kupa, kurse Liridon Elezi,Granit Rexha dhe Lulzim Suma u kurorëzuan me nga një medalje të argjendtë.
Në Turneun e IX përkujtimor të karatesë “Xhevat Makolli” në Prishtinë, Karate Team “Ulqinin” e përfaqësoi garuesi ynë i njohur Kreshnik Tahiri, i cili u kurorëzua me medaljen e argjendtë dhe një kupë.

– Shpresojmë që dhe në të ardhmen nuk do të mungojnë këto prezentime të shkëlqyeshme të garuesve tanë – shprehen të kënaqur udhëheqësit e këtij ekipi dhe njëkohësisht falënderojnë organizatorin Zhelko Perkoviq në Dubrovnik dhe Federaten e karatesë së Kosovës për ftesat, si dhe sponzorët që mundësuan pjesëmarrjen në këto turne: Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe firmën “Mastering”.

SHËRBIMI PËR MARRËDHËNIE ME PUBLIKUN
I KARATE TEAM “ULQINI”

KOMENTOJE