Fillojnë integrimet brendashqiptare

Përurohet tuneli i Kalimashit

Ëndrra po bëhet realitet. Merre si ta marrësh, por këtë ëndërr e ka ëndërruar i pari Sali Berisha dhe është pikërisht ai, “gërshërët” e të cilit po e bëjnë realitet. Kjo nuk është më e rëndësishmja, por është mirë të dihet. Ashtu siç është mirë të dihet se kjo nuk kishte ndodhur po të mos shembej komunizmi, po të mos ndodhte rezistenca paqësore dhe lufta e armatosur e UÇK-së ndaj regjimit të Millosheviqit, po të mos ndodhte intervenimi humanitar i NATO-s, po të mos ndodhte shteti i pavarur i Kosovës, po të mos ndodhte miqësia shqiptaro-amerikane.

Ferhat Dinosha

Të dielën e 31 majit të këtij viti është bërë inaugurimi i tunelit të Kalimashit, të fundit dhe më të madhit në rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë. Përfundimi i këtij tuneli flet se është afër edhe përfundimi i projektit më të madh të infrastrukturës në historinë tonë, autostradës Durrës-Prishtinë, që tashmë është pagëzuar me emrin Rruga e Shqiptarëve. Në pajtim me rëndësinë e kësaj, të vetëdijshëm se me këtë fillojnë integrimet e mirëfillta brendashqiptare, inaugurimin e tunelit e kanë bërë kryeministrat e qeverive të dy shteteve shqiptare, Sali Berisha e Hashim Thaçi.
Njeriun e përshkon një emocion i papërshkrueshëm duke shikuar përqafimin e dy kryeministrave në hyrje – dalje të tunelit, mbi të cilën është vendosur një pano, me një fjalë: “PËRGJITHMONË”. E qëlluar. Sepse, shqiptarët e ndarë gjatë, po afrohen, përgjithmonë. Ata shembën malet, për t’u afruar. Mali me mal nuk takohet, por shqiptarët takohen një ditë… ky nuk është më romantizëm. Ëndrra po bëhet realitet. Merre si ta marrësh, por këtë ëndërr e ka ëndërruar i pari Sali Berisha dhe është pikërisht ai, “gërshërët” e të cilit po e bëjnë realitet. Kjo nuk është më e rëndësishmja, por është mirë të dihet. Ashtu siç është mirë të dihet se kjo nuk kishte ndodhur po të mos shembej komunizmi, po të mos ndodhte rezistenca paqësore dhe lufta e armatosur e UÇK-së ndaj regjimit të Millosheviqit, po të mos ndodhte intervenimi humanitar i NATO-s, po të mos ndodhte shteti i pavarur i Kosovës, po të mos ndodhte miqësia shqiptaro-amerikane.

Rruga Durrës-Prishtinë do të jetë vërtetë aortë e metabolizmit nacional, ekonomik e shpirtëror, të shqiptarëve. Të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Prishtina, me këtë rrugë, e merr n’grykë Tiranën për tri orë. Kur dy kryeqytetet janë afër, afër janë të gjithë shqiptarët.
Rruga do të josh qarkullime të reja ekonomike, kanale të reja të biznesit, oaza të reja turistike, kontakte të rjea rajonale. Kjo është rrugë e shqiptarëve, por dhe do të mund ta shfrytëzojnë të gjithë miqtë e shqiptarëve. Madje edhe ata të cilët deri dje nuk kanë qenë të tillë, e tash duan të bëhen.
Rruga Durrës-Prishtinë do të josh ndërtime edhe të rrugëve të tjera, të rëndësishme për shqiptarët. Tashmë është i prekshëm projekti i Rrugës së Arbërit, që do të lidhë tokat shqiptare të Maqedonisë me kryeqendrën e Shqipërisë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të mund të shfrytëzojnë të dy drejtimet për të arritur shpejt në Tiranë, varësisht nga objektivi i vajtjes atje. Edhe shqiptarët në Mal të Zi mund të shpresojnë që në një të ardhshme të afërt, të kenë lidhje më të mira rrugore me Tiranën dhe me Prishtinën. Ky autor ka qenë i pranishëm në bisedimet e paradokohshme në Tiranë, ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, dhe të kryeministrit malazez, z. Millo Gjukanoviq, në të cilat është folur, konkretisht e seriozisht, për akse të reja rrugore ndërmjet dy shteteve fqinje. Është shprehur gadishmëri për aganzhim të përbashkët për ndërtimin e rrugës Kosovë – Plavë (nëpër Shqipëri) – Dinoshë – Podgoricë, që do të shkurtonte shumë udhëtimin në relacionin Prishtinë – Podgoricës dhe do ta afronte anën e Plavë – Gucisë me kryeqytetet e Kosovës, të Malit të Zi dhe të Shqipërisë.
Me një fjalë, me zhvillimet e lartpërmendura, integrimet brendashqiptare po bëhen gjithnjë e më të prekshme. Ato janë shumë të rëndësishme, sepse të integruar brendapërbrenda, shqiptarët do të jenë faktor i pakapërcyeshëm i integrimeve europiane e euroatlantike të Rajonit dhe faktor relevant i stabilitetit të tij.

Rrugët e reja do të sjellin, natyrisht, edhe qarkullime të reja kulturore, arsimore e shpirtërore, libra të rinj në shkollat e bibliotekat tona, shfaqje të reja në skenat tona, busta të reja në sheshet tona…
Të gjithë duhet të japin kontributin e vet në këtë drejtim. Është i rëndësishëm edhe kontributi i partive politike shqiptare në Mal të Zi. Mund të jetë i levërditshëm vetëm veprimi institucional i tyre dhe bashkëpunimi me forcat politike malazeze të cilat shohin dhe njohin realitetin e ri në Ballkan, duke përfshirë edhe shtetin e ri të Kosovës. Partia më e fortë shqiptare në Mal të Zi, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, këtë e ka kuptuar dhe në pajtim me këtë sillet kaherë.
Partitë tjera shqiptare ende sillen tryezave të opozitës proserbe malazeze. Të shpresojmë se jo edhe gjatë. Integrimet e duan të parën e jo të dytën. /kohapress/

KOMENTOJE