Ertemiona Mejdani kurorëzohet “Miss Shqipëria 2009”

Në Torre Venecia në Durrës u shpall mbretëresha e bukurisë shqiptare

Ertemiona Mejdani kurorëzohet “Miss Shqipëria 2009”. Vajza me numër 4, bukuroshja 18 vjeçare nga qyteti i Korçës u shpall si mbretëresha e bukurisë shqiptare për këtë vit. Shoqëruese e parë e “Miss Shqipëria 2009” u shpall Megi Goga, ndërsa shoqëruesja e dytë u shpall Jona Gjoni. 31 bukuroshet e përzgjedhura këtë vit nga “Deliart Association” u prezantuan për publikun shqiptar në një skenë madhështore të ngritur rrëzë Torres Veneciane në Durrës, ku mbrëmë Shqipëria shpalli dhe mbretëreshën e bukurisë për vitin 2009. E ndërkohë që Almeda Abazi, e shpallur edhe “Miss Globe International 2008” ishte akomoduar pranë konkurrenteve të këtij viti, në pritje të dorëzimit të kurorës. U mbyll kështu një muaj, përgjatë të cilit vajzat e përzgjedhura për edicionin e 11-të të garës së bukurisë kanë qenë protagoniste në një tur të gjatë të zhvilluar në vende historike e turistike të Shqipërisë dhe Malit të Zi; kanë zhvilluar minikonkurse, pjesë e zakonshme e këtij kompeticioni prej nga kanë dalë fitueset e para, por edhe kanë bërë prezantimin e parë përpara jurisë së këtij viti.
Ndërsa nata e mbrëmshme, përveçse një spektakël i mbushur me surpriza dhe elegancë, ajo shënoi pas një muaji të gjatë elektoral, ku kryefjala e çdo media ka qenë politika, një mbrëmje relaksi. Thënë ndryshe lodhja e këtyre ditëve nga beteja elektorale u pasua nga një spektakël, ku bukuria dhe klasi ishte mbizotërues në çdo detaj. Surpriza e spektaklit ishte tenori me famë botërore Andrea del Principe. Ai ka pranuar ftesën e organizatorëve për të kënduar në skenën e “Miss Shqipëria” disa nga pjesët më të njohura të repertorit të tij. Por, megjithëse i ftuar special, Del Principe, nuk ishte i vetmi që u ngjit në skenën e mbrëmjes së bukurisë. I drejtuar nga regjisori Alert Çeloaliaj, spektakli i së mërkurës pati edhe të ftuar të tjerë, që i dhuruan publikut momente të mrekullueshme.

Kështu vëllezërit korçarë, Rezarta Shkurta, Afërdita Dreshaj, para pak vitesh pjesë e këtij kompeticioni, e grupi “Produkt 28” ngjitën në skenë harmoninë dhe bukurinë e tingujve shqiptarë. Një homazh kishin menduar organizatorët edhe për legjendën e muzikës, i ndarë nga jeta pak ditë më parë, Michael Jackson. Koreografia Kozeta Bakiu solli një numër special koreografik, i cili u interpretua nga balerinët pasuar nga numra të tjerë baleti kompozuar enkas për “Miss Shqipërinë”. Sakaq 31 konkurrentet këtë vit ishin më të gatshme se kurrë për këtë përballje me publikun. Sepse ndryshe nga çdo vit formula e këtij edicioni ka qenë, protagonizëm që në ditët e para. Bukuroshet e ardhura nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht nga Veriu i vendit, kanë qenë protagoniste që në ditët e para pas përzgjedhjes, në spektakle të organizuara nga vetë ato në çdo qytet ku “Miss Shqipëria” ka shtegtuar këtë vit. Siç ka shpjeguar producenti Bozo, kjo për ti përgatitur ato për përballjen finale. Megjithëse vetëm njëra nga vajzat u shpall si më e bukura e Shqipërisë, të tjerat nuk duhet të trishtohen.

Mjaft çmime të tjera u dhanë dhe atyre të drejtën e konkurrimit nëpër spektakle të ndryshme të kësaj natyre, që do të zhvillohen përgjatë një viti brenda dhe jashtë vendit. Nuk duhet harruar këtu kalendari i famshëm i fundvitit, që tashmë Bozo e ka shndërruar në një traditë; vajzat më të vlerësuara dhe më fotozhenike të “Miss Shqipërisë” do të pozojnë artistikisht për faqet e tij, por ende është herët për të folur mbi vendet ku ato do të fotografohen dhe modelet që do të jenë pjesë e këtij kalendari. “Miss Shqipëria 2009” ishte një produksion i Vizion Plus dhe “Deliart Association” dhe u ndoq nga qindra spektatorë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët në Torre Venecia në Durrës shijuan hiret e vajzave shqiptare. I kthyer tashmë në një traditë, mënyra e konceptimit dhe organizimit të “Miss Shqipëria” synon gërshetimin e vlerave historike dhe turistike të vendit tonë. /sot.com.al/

KOMENTOJE