Koalicioni i PD 70 mandate, koalicioni i PS 66 mandate, koalicioni i LSI kyçi i qeverisjes me 4 mandate

Rezultatet

Ajo që kishin paralajmëruar mediat prestigjioze botërore se LSI do të ishte kyçi i qeverisjes pas 28 Qershorit, duket se ishte një nga parashikimet më profetike. Tashmë rezultati i konfirmuar deri në orët e vona të natës tregon se LSI me katër mandatet e saj është forca që do të përcaktojë qeverisjen e re. Tashmë 70 mandatet e PD dhe 66 mandatet e PS janë të pamjaftueshme për të krijuar qeverinë e re. Është koalicioni i LSI që do të vendosë për fatin e qeverisë së re, duke qenë kyçi deçiziv dhe surpriza e këtyre zgjedhjeve. Pavarësisht qetësisë së mbizotëroi ditën e zhvillimit të zgjedhjeve, mesa duket debati ishte lënë për më pas, pikërisht gjatë procesit të numërimit të votave. Kanë qenë ditë të tëra që kanë mbajtur në tension dhe në ankth të vërtetë dy forcat politike më të mëdha të vendit, të cilat kanë konkurruar me njëra- tjetrën tepër ashpër. Me tepër emocione është shfaqur procesi i numërimit të votave, i cili përpiu brenda vetes çdo shqiptar, pavarësisht bindjes politike. E veçanta këtë vit, krijuar nga sistemi proporcional rajonal i zhvilluar për herë të parë në vendin tonë, ka qenë numërimi i votave në çdo qendër, ku binte në sy ngritje dhe ulja e numrit të votave nga ana e secilës parti, e cila luftonte në fije të perit për fitoren e madhe.
Këtu mund të përmendet rasti i Fierit, ku PDI fitoi një mandat të dytë deputeti, por ky gëzim zgjati vetëm disa minuta, pasi me numërimin e plotë të kutive të votimit, PS arriti të rimerrte kandidatin e ri të saj. Situata tensionuese ka mbizotëruar edhe mbrëmjen e djeshme, pak kohë para se të mbyllej plotësisht numërimi i votave në Fieri, Bushat, Laç, Berat dhe Tiranë. Ndërsa dukej se procesit të numërimit të votave po i vinte fundi, ankthi nga dy partitë e mëdha sa vinte e shtohej. Nga këto vota dhe kryesisht nga ato të Fierit pritet ndarja përfundimtare e mandateve. Nëse PS merrte edhe një deputet tjetër në Fier, Aleanca për Ndryshim nuk e kishte shumicën për të formuar qeverinë.

Rezultatet

Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, mbizotëronte një klimë balancuese mes kampit rozë dhe atij të djathtë, ku flitej qartë për një barazim midis të djathtës dhe të majtës. Megjithatë, midis koalicioneve ka diferenca. Koalicioni i djathtë “Aleanca për Ndryshim”, i udhëhequr nga Partia Demokratike, ka marrë 70 deputetë, koalicioni i majtë “Bashkimi për Ndryshim”, me në krye Partinë Socialiste, ka marrë 66 deputetë, ndërsa koalicioni tjetër i majtë i udhëhequr nga LSI-ja, “Aleanca Socialiste për Integrim”, ka fituar 4 deputetë. Ndërsa në qark vendi, Më konkretisht në qark vendi, kampi i djathë dhe kampi i majtë balancoheshin me 70 mandate deputetësh. Në qarkun e Tiranës, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste klasifikoheshin të dyja me nga 15 deputetë, ndërsa LSI dhe PR me nga një deputetë.
Qarku i Fierit, i cili ishte qarku i dytë me numër më të madh deputetësh, ku numërimi i votave është shoqëruar me tepër tension dhe konflikte të ashpra nga ana e deputetëve socialiste dhe demokratë, shfaqej deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme me 9 deputetë PS, 6 deputetë PD si dhe 1 depuetë LSI. Qarku Elbasan, ku përfundimisht ishte mbyllur numërimi i votave do të përfaqësohet në parlamentin e ri shqiptar me 7 deputet të PS dhe 7 deptuetë të PD. E njëjta gjë në fakt ka ndodhur edhe në qarkun e Korçës, ku mandatet janë ndarë në mënyrë të barabartë, kështu PS dhe PD do të përfaqësohen me nga 6 deputetë në këtë qark. Në qarkun e Beratit ka fituar PS me 4 deputetë, ndërsa PD ka marrë vetëm 3 deputetë, LSI 1. Qarku i Vlorës, mbizotëroi kampi rozë, ku deputetët socialistë arritën të merrnin 6 deputetë, PD 4 deputetë, PBDNJ 1 dhe PDI 1. Ndërsa në qarkun e Durrësit PD ka marrë 7 mandate deputetësh, PS 5, ndërsa LSI 1 mandat deputeti. Qarku i Shkodrës, i cili është mbajtur si një bastion i djathtë edhe këtë herë nuk e ka tradhtuar besnikërinë e tij, duke ia dhënë votat përfaqësuesve të djathtë. Në këtë qark PD arriti të merrte 7 deputetë ndërsa PS 4 deputetë.
Edhe në qarkun e Lezhës ka triumfuar fitorja e të djathtës edhe pse diferenca mes dy kampeve ka qenë vetëm me një mandat, kështu PD morri 4 deputetë, ndërsa PS 3. Në qarkun e Kukësit e djathta ka fituar thellë, me 3 deputetë ndërsa e majta ka arritur të marrë vetëm 1. Në qarkun e Dibrës PD 4 deputetë ndërsa PS 2. Qarkun e Gjirokastrës PS ka arritur të zotërojë 3 mandate deputetësh, ndërsa PD 2. Rezultati i ngushtë i publikuar nga KQZ-ja ka bërë që dy udhëheqësit e partive kryesore, Sali Berisha dhe Edi Rama të tregoheshin të kujdesshëm gjatë deklaratave të tyre ditën e djeshme. Të dy udhëheqësit përshëndetën ecurinë e votimeve dhe u bënë thirrje mbështetësve të tyre të prisnin me durim deklarimin e rezultateve përfundimtare.

********************************************************************
Mbyllet numërimi në Korçë, PD-PS, nga 6 deputetë secila
Ditën e djeshme ka përfunduar procesi i numërimit edhe në KZAZ e fundit të juglindje që i përkiste bashkisë së Korçës. Kështu zgjedhësit e qytetit të serenatave në shumicë i kanë dhënë votën e tyre Partisë Socialiste, ndërsa bilanci i votave në KZAZ 28 ka rezultuar deri në kutinë e fundit me plot 2500 vota më shumë në favor të subjektit të majtë PS. Përfundimi i numërimit të 62 kutive për bashkinë e Korçës ka ndodhur rreth orës 1.00 pas mesnate duke u gdhirë dita e mërkurë, ndërkohë që nuk janë shfaqur probleme apo bllokime me përjashtim të ndërprerjeve të ardhura si rezultat i lodhjes të numëruesve. Zgjedhësit e këtij rajoni që ka plot 12 mandate për parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit kanë vendosur gati në mënyrë të barabartë ndarjen e këtyre mandateve 6 për subjektin e Partisë Socialiste që ka dhe më shumë vota, kundrejt po 6 mandateve që ka përfituar edhe Partia Demokratike.
Emrat më të njohur të politikës shqiptare të këtyre dy partive si Ben Blushi, Mimi Kodheli, Pandeli Majko nga e majta por dhe Ritvan Bode, Edmond Spaho apo Ismail Hoxha nga e djathta do të jenë deputetët kryesorë në numrat e parë të listave respektive, për tu pasuar me të tjerë më pak të njohur. Ndërkaq e shprehur në shifra PS ka arritur të fitojë me 43.7% kundrejt 42.02% që ka arritur PD. Duhet thënë se juglindja ka qenë ndër qarqet më të ekuilibruara të vendit kundrejt dy forcave të mëdha. LSI një nga subjektet e tjera pretendente për të arritur te një mandat në Korçë ka dalë tejet e zhgënjyer. I pari në listën e kësaj partie në Korçë ka qenë sekretari i përgjithshëm i saj Petrit Vasili, teksa partia e Metës në juglindje ka grumbulluar rreth 4 mijë vota me të cilat s’ka mundur të prekë mandatin.
Por janë rrëzuar pa shpresë dhe të gjitha synimet e Partisë Republikane që kërkonte jo një për dy mandate në këtë qark. Gjithsesi mandatet tashmë u fiksuan në dy forcat kryesore politike të cilat i kanë ndarë në mënyrën më harmonike nga 6 për secilën parti. Kryetari i KZAZ 28 Adrian Maho ka deklaruar për gazetën se procesi ka ecur normalisht ndonëse me ritme disi të ngadalta edhe për shkak të lodhjes së shfaqur gjatë numërimit, por nuk janë përballur në asnjë rast me përplasjen apo probleme të ndonjë natyre tjetër. Përsa i përket dy KZAZ-ve që veprojnë gjithashtu në qytetin e Korçës me votat që iu përkasin komunave të këtij rrethi, ndonëse ka përfunduar numërimi kanë mbetur plot 5 kuti për të cilat do të vendosë
KQZ-ja dhe do të numërohen pranë këtij institucioni.
Në KZAZ 29 dhe atë me numër 30 janë 5 kuti njëra prej të cilave i përket fshatit Sovjan dhe që nuk shoqërohet me procesverbalin përmbyllës i cili mungon, po dhe për parregullsitë e shfaqura në katër kuti të tjera në të cilat nuk korrespondon numri i zgjedhësve me atë të votave të ndodhura në kuti. Kjo ka sjellë anomali dhe përplasje mes komsionerëve të dy forcave kryesore politike duke mbajtur pezull procesverbalin përfundimtar, ndonëse këto 5 kuti nuk do ndihmonin në ndryshimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për rajonin juglindor.

*****************************************************************************
E djathta kryeson në Berat me 4 mandate, 3 i fiton e majta, 1 LSI
Ka përfunduar me hapjen dhe numërimin e kutisë së fundit procesi i numërimit të votave në Qarkun e Beratit. Kutia që mbante peng këtë proces dhe që kërkohej të bllokohej nga ana e komisionerëve të PD-së, për shkak të pretendimeve se vulat e fletëve të votimit nuk ndodheshin në vendin e duhur, është hapur dhe numëruar gjatë ditës së djeshme por që nuk ka ndryshuar asgjë në rezultat. Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme kutia me numër 3259, që i përkiste lagjes “ Uznovë” është hapur me mbledhjen e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve numër 1.
Pas shumë debatesh dhe polemikash për bllokimin e kësaj kutie dhe dy votimeve nga ana e komisionerëve, njëri prej të cilëve për dërgimin e saj në KQZ nuk është pranuar, kutia me 500 vota është hapur dhe numëruar. Nga numërimi i fletëve të votimit rezultoi se në të ndodheshin 463 vota të vlefshme dhe 37 të pa vlefshme, nga të cilat PS mori 243 vota, PD 85, LSI 42 dhe PR mori 16 vota. Por, veç vonesave që shkaktoi në procesin e numërimit të votave, kjo kuti nuk ndryshoi asgjë në rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Beratit. Nga rezultatet e numërimit dhe të kutisë së fundit rezulton se PS ka marrë në këtë proces 39380 vota, PD 21805, LSI 10674 dhe PR 4185. Me këto rezultate, Partia Socialiste fitoi në këtë qark 4 deputetë, Partia Demokratike 3 deputetë, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim 1 deputet. Në proçesin e votimit, në të gjithë Qarkun e Beratit morën pjesë në zgjedhje 82406 votues nga 168.724 të regjistruar në listat e votimit. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve të kutisë së fundit, simpatizantët e PD-së në këtë qytet kanë nisur festën për fitoren e tre deputetëve.
Por, pak përpara numërimit të kutisë së fundit, kandidatët e PS-së Erion Braçe e Marko Bello deklaruan se do t’i drejtoheshin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u rinumëruar 10 kutitë e fundit me pretendimin se nuk është bërë numërimi i duhur dhe se ka pasaktësi në proces verbale. Por, me gjithë pretendimet e PS-së, dega e PD-së në këtë qytet është shprehur qartë se të gjitha procesverbalet e kutive të votimit që i përkasin Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve numër 1, ku përfshihej qyteti i Beratit janë firmosur dhe nga komisionerët e majtë dhe tashmë pretendimet e socialistëve janë të pa baza.

***********************************************************************
Përfundon Elbasani, numërohen edhe 2 kutitë “peng”
I ka dhënë fund numërimit të votave qarku i Elbasanit me 2 kutitë e mbetura peng që i përkisnin KZAZ nr 12, vota këto të qytetit të Elbasanit. Nga numërimi i tyre nuk ndryshojnë mandatet por rritet pak përqindja e votave për PS në rang qarku. Elbasani çon në Kuvendin e ri 7 deputetë të majtë dhe shtatë të djathtë. Nga KZAZ nr 12 rreth orës 17:00 të ditës së djeshme doli rezultati për kutinë nr 2321, ku PS mori 137 vota dhe PD 134 vota. Ndërsa kutia nr 2321/1 kishte 122 vota për të majtën dhe 84 për të djathtën. Një ditë më parë komisionerët vunë re dëmtime të kutive ndaj kërkuan të mos numëroheshin. Më pas KZAZ e ndryshoi këtë vendim, duke mbyllur kështu në total procesin e numërimit të votave për qarkun e Elbasanit.

KOMENTOJE