Komuniteti shqiptar në SHBA shembull i dashurisë së vërtetë për kombin

Nuk di si më kishte arritur në adresën time elektronike shkrimi i Ruben Avxhiut “Tre kongresistë amerikanë në fushatë diplomatike për Kosovën”. E lexova me kujdes sepse kishte të bënte me përpjekjet për ta ndihmuar procesin e njohjeve të reja për shtetin më të ri të botës. E kuptova se kjo letër u është dërguar 25 vendeve me kërkesën që ato ta njohin Kosovën. Ajo që më shtyri ta punoj këtë shkrim është pjesa se: Ky kontribut i kongresistëve amerikanë (Engel, Wexler dhe Hastings) është nxitur nga komuniteti shqiptar në SHBA.

E lexova disa herë dhe nga shpirti e zemra më doli urimi për Komunitetin shqiptar në SHBA. Në memorien time pastaj u shpalosen me radhë angazhimet atdhetare të këtij Komuniteti në vite e dekada. Kujtova gjithë ato demonstrata në të kaluarën për t’u bërë zë i kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për liri e shtet të pavarur. Mu kujtuan gjithë ato para që ata kishin mbledhur për ta ndihmuar lirinë e Kosovës dhe për ta shuar urinë në këtë vend, dikur të prangosur, zhuritur e të vrarë. Mu kujtuan rrëfimet dhe pamjet nga nisja e djelmoshave shqiptarë nga SHBA për t’u bërë zë i pushkës për lirinë e Kosovës. Mu kujtuan gjithë ato angazhime diplomatike për t’i bërë sa më shumë miq Kosovës.

Këto angazhime sublime treguan miliona herë se Komuniteti shqiptar në SHBA është simbol i dashurisë së vërtetë për kombin. Tek bëja këto analiza dhe mburresha me vëllezërit tonë në SHBA dhe ëndërroja se si mund të bëj e të gjendem bile pak ditë mes tyre për t’ua shtrirë dorën në emër të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, në emër të Dukagjinit e gjithë Kosovës, fillova të ndjehem keq dhe mu zbeh kjo dëshirë. “ Çfarë bëri Kosova shtet për këtë Komunitet “ ?, Më goditi në kokë e zemër kjo pyetje. Përgjigje nuk gjeja dhe në fund u pajtova me vlerësimin se Kosova dhe institucionet e saj kanë bërë fare pak ose hiç për t’ia shprehur respektin e merituar këtij komuniteti. Kosova me institucionet e saj është dashur në ditët e para të lirisë gjithë Shoqatave atdhetare dhe individëve të devotshëm shqiptarë në SHBA t’ua përgatisin një pritje dhe t’u ndajnë mirënjohje për punën e tyre të madhe atdhetare. Në shenjë respekti për ta Kosova me institucionet e saj, bashkë me Shqipërinë, po , po edhe me Shqipërinë, është dashur të bëhen zë i mbrojtjes së të drejtave të nëpërkëmbura të malësorëve. Është dashur, në shenjë respekti për punën e madhe të këtij komuniteti, t’i tregojnë Malësisë se nuk është e vetme. Është dashur…..

Engel, Wexler dhe Hastings Nga gjithë detyrat që është dashur t’i bëjnë Shqipëria, si shtet mëmë i shqiptarëve, dhe Kosova si shtet i gjithkujt e i askujt, ato nuk bënë asgjë. Malësia nuk ndjeu as edhe në momentet më të vështira një zë të mbrojtjes nga këto dy shtete. Shqipëria dhe Kosova me liderët e tyre, mbase të dehur pas kolltukëve e bajraktarizmave, e kanë harruar misionin atdhetar. Kanë harruar se Komuniteti shqiptar në SHBA ka bërë, e po bën shumë, për çështjen kombëtare.

Ky komunitet, ky sinonim i dashurisë së vërtetë për kombin, do të vazhdojë me angazhimet atdhetare. Këtë e di dhe kjo më bën krenar. Ky shpirt i madh atdhetar e kombëtar jep forcë për punë e angazhime te shumë njerëz në Kosovë e Shqipëri. Deshi dikush a nuk deshi me dëshira sublime e atdhetarëve nëpër shekuj do të bëhet realitet dhe shqiptarët do ta kenë kombin dhe shtetin NJË. Atyre, që kombin dhe dheun e përdorin për t’u bërë bajraktarë e për t’u ulur në kolltukë, do t’u perëndojnë kohët. Atdhetarët e vërtetë në Komunitetin shqiptar në SHBA dhe kudo tjetër do të vazhdojnë së punuari dhe do ta kemi BASHKIMIN KOMBËTAR, deshën apo nuk deshën bajraktarët e njerëzit e kolltukëve.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE