SH.K.A. “Dedë Gjon Luli” nga Traboni, mori pjesë në festivalin folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”

Siç ka qenë rasti edhe viteve të mëparshme, shoqata jonë edhe këtë vit mori pjesë në Festivalin folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë” që u mbajt në qytetin e Klinës, në Kosovë, më 06, 07 dhe 08 Qershor të këtij viti.
Ky Festival organizohet me rastin e përvjetorit të lindjes të komandantit Mujë Krasniqi “Kapuçi”, i cili këndoj dhe dha jetën për liri.
Në këtë Festival morën pjesë artistë, shoqata dhe ansamble nga të gjitha trevat shqiptare.

SH.K.A. “Dedë Gjon Luli” u mirëprit, si nga publiku, ashtu edhe nga organizatori dhe kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, i cili organizoj një pritje për shoqatën tonë në ambientet e Komunës së Klinës.
Pos kësaj, një pritje madhështore për shoqatën tonë, e organizuan disa dashamirë të Malësisë, në krye me bashkëvendasin tonë, me banim në Klinë, z. Lekë Camaj. Faktin se janë me të vërtetë dashamirë të shoqatës, e vërteton edhe vizita e tyre që ia bën Hotit dhe Malësisë me 21 Qershor, me ç’rast erdhën një grup vëllezërish tonë nga Kosova.

Mysafirët tonë me këtë rast vizituan Hotin, me ç’rast te Kroni i Traboinit zhvilluam një ndeshje futbolli në mes anëtarëve të SH.K.A. “Dedë Gjon Luli” dhe djemve të Klinës. Më pas vizituan shtëpinë muze të heroit kombëtar “Dedë Gjon Luli”, ku edhe shtruam një darkë vëllazërore.
Vlen të theksohet se pos kësaj, SH.K.A. “Dedë Gjon Luli” mori pjesë në “Festivalin e këngës dhe valles çame”, i cili u mbajt në qytetin e Sarandës, në Shqipëri, më 24, 25 dhe 26 Qershor të këtij viti. Në Sarandë poashtu patëm një pritje vëllazërore për shoqatën tonë.

Vlen të përmendet fakti se SH.K.A. “Dedë Gjon Luli” është shumë aktive në ruajtjen e vlerave më të bukura të kulturës dhe traditës sonë kombëtare. Shoqata jonë është bashkëorganizatore e festave kombëtare me shoqatat tjera.
Më 6 Prill ishte pjesëmarrëse në Koncertin festiv “Ku e muer emrin Malësia”, i cili u mbajt me rastin e 98 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Kjo shoqatë nga Hoti u paraqit përkrah artistëve më të mirë shqiptarë, siç janë Ilir Shaqiri, Besim Zekthi, Nikollë Nikprelaj, Çun Lajçi, Arif Vlladi, Rrok Gjelaj, Lirie Rasha, etj.

Duke përfunduar, mund të konstatojmë se kjo shoqatë edhepse në kushte të vështira, por me një angazhim vullnetar i përfaqëson vlerat më origjinale të folklorit malësor nga Vlora deri në Drenicë.

Tuz, më 10.07.2009
SH.K.A. “Dedë Gjon Luli”

FOTOGRAFITË KOMENTOJE