Eh, sikur mos të ishin SHBA-të

Opinioni në Kosovë nuk fsheh dot faktin se është ndjerë i tronditur lidhur me vendimin e një Komisioni të Unionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për ca popuj e shtete kriminale e vrastare dhe krijimin e GETO-s për popullin me paqësor në botë, shqiptarët, dhe për dy shtetet e tyre.
“Është hipokrizi e llojit të vet që një shtet, siç është Serbia, , e cila deri para pak vjetësh ishte shkaktar i katër luftërave në ish –Jugosllavi, shtet me regjime gjakatare, fashizoide, që bëri gjenocidin më të tmerrshëm në fundshekullin e kaluar ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, në vend se të ndëshkohet , shpërblehet me liberalizimin e vizave! Kjo vërtet është e paparë dhe e turpshme”, ka deklaruar publikisht shefi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, prof. Dr. Agim Zogaj duke dhënë një intervistë për të përditshmen “Epoka e re”.
Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik Shqiptar, Bardhyl Mahmuti ka dhënë një opinion dhe alarm mjaft të qartë lidhur me “harresën” në liberalizimin e vizave që i është bërë Kosovës, po se po, por edhe Shqipërisë. Ai duke i shkruar letër Parlamentit Evropian ka kujtuar ata zotërinj se veprime të tilla dhe vazhdimi i përkëdheljeve ndaj Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë veç se ka dhënë efektet e para negative e kundër shqiptarëve. “ Serbia e inkurajuar nga argumentet se gjoja “ ka plotësuar kushtet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ndërmori operacione të gjëra të terrorit policor kundër popullit shqiptar në Luginën e Preshevës “, ka kujtuar z. Mahmuti. Ai ka kritikuar Komisionin Evropian edhe sa i takon liberalizimit të vizave për Maqedoninë, duke kujtuar se edhe ky shtet nuk ka përmbushur as kushtet elementare dhe se po përgatit ditë të zeza për shqiptarët duke i thirr në deklarata se në atë shtet qarkulluakan nga 50.000 deri në 100.000 armë pa leje. “ Kjo propagandë , që është ripërsëritur shpesh në të kaluarën, ka shërbyer dhe shërben si maskë për operacionet e dhunës policore kundër popullit shqiptar në Maqedoni”, ka kujtuar kryetari i BDSH-së, z. Bardhyl Mahmuti. Ai ka shtuar në një publikim autorial se Bashkimi Evropian duhet t’ia bëj me dije Malit të Zi se respektimi i të drejtave të shqiptarëve, krahas obligimeve që dalin nga vlerat dhe standardet evropiane, është edhe obligim i këtij shteti nga fakti se shqiptarët kishin luajtur rol të madh në pavarësimin e këtij shteti nga thundra dhe tutela e Serbisë.

Nga ana tjetër njohës të mirë të realitetit nëpër dekada e vite në Kosovë e Evropë, intelektualë e njerëz të shkencës e pendës, nuk ngurojnë të kujtojnë se e tëra kjo është edhe një lojë e disa qarqeve të Evropës, që janë dëshmuar edhe në të kaluarën me qëndrim vëllazëror për Serbinë dhe me një qasje antishqiptare. Këta njerëz nuk ngurojnë të thonë publikisht “Eh, sikur mos të ishin SHBA-të !!! “, duke shtuar se po të pyeteshin vetëm shtetet e Evropës, e veçmas disa sosh, atëherë, jo për liberalizimin e vizave, por këtyre ditëve, nuk do të flitej dot as edhe për Kosovën, si vend të lirë,po do të thuhej e shkruhej për të si pjesë të një shteti kuçedër.
Pra, sipas deklarimeve publike të intelektualëve nga sferat e ndryshme të jetës publike e shkencës, dhe vlerësimeve të sinqerta nga zemra i njerëzve të thjeshtë, vlerësohet se kjo liri, herë edhe e atakuar dhe e zbehur, e Kosovës, nuk do të agonte as sot e gjithë ditën po të mos ishte lufta dhe angazhimet sublime të UÇK-së dhe ndihma e përkrahja vëllazërore dhe e sinqertë e SHBA-ve. Sa për disa shtete të Evropës liria kurrë nuk do të agonte në këtë truall shqiptar. Këto shtete po i hapin dyert e kontinentit për qytetarë të një shteti vrastar. Nëpër shtetet e Evropës , që propagandojnë demokracinë, do të rrugëtojnë edhe kriminelë e vrasës të fëmijëve e civilëve të pa mbrojtur, kurse njerëzit që i kënduan himne Evropës, lirisë , demokracisë dhe që i kanë dhënë këtij kontinenti edhe njerëz të vyer, do të vihen në karantinë dhe në GETO. Një pjesë e Evropës, vazhdon me ato tekat e saj, që të shpërblej popuj e shtete vrastare e kriminele e të dënojë viktimat, sidomos kur,ato viktima, janë shqiptarë.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE